15 qershor 2009
Edhe anglezët në radhë për Maikonin
Mjaftoi vetëm një sinjal “i keq” dhe menjëherë trokitën në derë. Tri skuadra të mëdha janë të interesuara për Maikonin: Real, Mançester Siti e Çelsi. Tre klubet kanë përgatitur ofertat për Moratin. Përveç shumës së parave, duhet të mjaftojë edhe ndonjë këmbim teknik. Braziliani është i gatshëm për të pranuar transferimin e tij në një nga këto tri skuadra. Klubi i Florentino Perezit është gati t’i afrojë Interit 20 milionë plus Shnajderin. Një këmbim teknik që duhet të vlerësohet nga Mourinjo. Por anësori zikaltër u pëlqen edhe sheikëve të Sitit. Çelësi për të mbyllur lëvizjen është gjetur te Elano. Siti nuk do të japë më shumë se 10 milion euro, ndonëse Interi do më shumë. Pista e tretë të çon te Çelsi. Bisedimet mund të lehtësohen nga fakti se Interi kërkon dy portugezët e bluve, Karvaljon e Dekon. Pikërisht mbi të ardhmen e tij, Sisenando Maikon është akoma në udhëkryq: “Nuk di gjë për drejtuesit e Realit që paskan dashur të më takojnë, - tha braziliani. - Siç e kam thënë gjithnjë, unë kam një kontratë me Interin deri më 2013-ën. Dy muaj më parë pata një dëmtim serioz, tani jam mirë dhe shpresoj të kthehem në formë me Brazilin. Pas Kupës së Konfederatave të shohim ç’do të ndodhë”. Se ç’do të thotë Maikoni me këtë frazë, është shumë e vështirë të kuptohet, duke parë që kontrata që ka i siguron një të ardhme që nuk mund të cilësohet sigurisht një vazhdimësi. Ai parapëlqen ta mbyllë idenë: “Mjaft, mbarova, nuk kam më gjë për të thënë”. Po çfarë ka ndryshuar nga “qëndroj te Interi me 100%” e thënë më 21 maj në krahasim me deklaratat e fundit, që kanë sjellë shumë pështjellim? Maikoni kërkon akoma rritje rroge dhe një kontratë deri në 2014-ën, por ka gjetur një farë ftohtësie nga ana e Interit, i cili ka besimin e Santonit, por para së gjithash nuk ka vlerësuar disa sjellje të brazilianit në fazën e dytë të kampionatit. Morati e ka cilësuar si “një nga mbrojtësat më të mëdhenj në botë”, por nga ana tjetër shtoi se “nëse duhet ta shes, duhet të marr një ofertë të mirë”, gjë që e ka bashkuar “rrugën” mes Interit dhe Maikonit.