12 qershor 2009

Lipi: Jemi gati për ndeshjen me SHBA-të

Trajneri i Italisë është shprehur optimist për ndeshjen e së hënës në Kupën e Konfederatave
Të gjithë në shtëpi nëse mundeni. Ky ka qenë apeli që është lëshuar nga Marçelo Lipi drejt atyre lojtarëve të kombëtares italiane që mund të marrin pjesë në Botërorin e vitit të ardhshëm. Duke parë drithërimat që ka provokuar Zelanda e Re, kjo thirrje për t’u riatdhesuar duket akoma më shumë aktuale. “Lojtarëve që janë këtu u kam thënë: mundoheni të riktheheni në kampionatin italian, - ka thënë trajneri i Italisë. - Sa më shumë italianë të kem në Serinë A aq më mirë është”. Por nëse Pirlo do të largohej drejt Çelsit, ky nuk do të ishte një shqetësim i madh për të. “Nuk ka asnjë problem kudo që të luaj. Një fluturim Londër-Romë është si një fluturim Milano-Romë”. Në pritje të biletave të avionit, është më mirë të mos bëhen paraqitje të turpshme.
“Vazhdoj të them, duke bërë shaka por jo shumë, se përfaqësuesja që ka fituar Kupën e Konfederatave nuk ka fituar asnjëherë Botërorin që zhvillohet më pas. Por kjo është një eksperiencë që duhet të bëhet me seriozitet”. Në fund të ndeshjes me Zelandën e Re trajneri është shprehur i kënaqur, por jo shumë. “Kam lënë pushim shumë veteranë, sepse kanë nevojë të punojnë. Gjithsesi, ka qenë një stërvitje e mirë.
Sigurisht, ka pasur gabime, por kemi ditur t’i ndreqim dhe më ka pëlqyer reagimi që ka pasur grupi sa herë që ka qenë në disavantazh. Por golat më kanë lënë një shije të hidhur, shpresoj të mos i shoh më gabime të tilla. Diferenca që egzistone midis meje dhe kolegut të Zelandë së Re ishte se për mua kjo ishte një ndeshje përgatitore, ndërsa ata kishin përballë kampionët e botës. Dhe në fund kemi fituar ne.
Gjithsesi, jemi gati me lojtarët që do të rekuperojnë, për t’u përballur me ekipin USA të hënën”, - ka thënë Lipi. Ndërsa Herbert, trajneri i Zelandës së Re, ka thënë se: “Nuk ndodh shpesh t’i shënosh një gol kampionëve të botës, më pas është llogjike që në fund ka fituar eksperienca e tyre. Por jam i bindur se do të bëjmë një paraqitje të mirë në Kupën e Konfederatave”.