12 qershor 2009

Lajmet shkurt nga Serie A..

Hulio Kruz: Më pëlqen Panathinaikosi

Hulio Kruz mund të bëhet shumë shpejt një lojtar i Panathinaikosit. Klubi grek ka lëvizur në mënyrë të vendosur për të arritur tek sulmuesi i Interit, i cili me kontratën drejt skadimit kërkon të gjejë shpejt një sistemim të rëndësishëm. “Vendi më pëlqen, oferta ka ardhur, - ka thënë sulmuesi. - Edhe mundësia për të luajtur në Champions Ligë është shumë e rëndësishme. Të shohim”. Kruz duket se që tani ndodhet në Greqi, zyrtarisht në Kretë me pushime, por ka shumë mundësi që në ditët në vazhdim të zhvillohet një takim tjetër me drejtuesit e Panathinaikosit për të përcaktuar detajet e operacionit.

Vieira: Dua të qëndroj tek Interi

“Dua të qëndroj, por për këtë do të vendosë Interi. Qëllimi im është të vazhdoj të luaj me fanellën zikaltër, besoj se mund të jap akoma shumë për këtë klub. Nëse Mourinjo nuk do të ketë më nevojë për mua atëherë do të largohem”. Ka shpejguar gjithçka në një intervistë për revistën franceze “L’Equipe”, Patrik Vieira, i cili ka folur për situatën e tij para sezonit të ardhshëm. “PSZH-ja dhe Lioni mund të jenë dy sfida të bukura. Gjëja më e rëndësishme për mua është të luaj me vazhdimësi para Botërorit. Kështu që zgjedhja ime do të jetë sportive”, - ka thënë mesfushori francez.

Parma del hapur për Himenezin

Parma ka zbuluar qëllimet e saja: në krye të listës së shpenzimeve është emri i Luiz Himenez, kiliani që nuk ka më dëshirë të qëndrojë tek Interi. “Lojtari na interson shumë, po kërkojmë një futbollist me karakteristikat e tij, - ka saktësuar presidenti i Parmës Tomazo Girardi. - Di Natale është vetëm një ëndërr, Xhiuzepe Rosi është një “fiksim” i imi personal, por është e pamundur që të rikthehet tek ne. Për Paloskin vazhdojnë diksutimet me Milanin, por unë e konsideroj një titullar të skuadrës tonë për të ardhmen dhe Kristiano Lukareli mbetet një nga pikat tona më të forta”.