Menaxheri i mesfushorit paralajmëron: Në merkato, kurrë mos thuaj kurrë. Ka mbetur keq nga ikja e Ançelotit e Kakàsë
Maldini u tërhoq nga futbolli, Ançeloti shkoi te Çelsi, Kakà u largua te Reali, Pirlo është në dyshim. Dhe tani Milani duhet t’i bëjë llogaritë me një tjetër “hije” të rëndë mbi të ardhmen e tij, atë të Rino Gatuzos. Menaxheri i mesfushorit luftarak, Andrea D’Amiko, ka deklaruar dje që, “Gatuzo e ka vuajtur shumë largimin e Ançelotit, me të cilin ishte shumë i lidhur. Nuk e besoj se Milani do të privohet nga Rino, por në merkato, “kurrë mos thuaj kurrë”. Fjalë që të adresojnë në mënyrë të menjëhershme drejt një teorie shumë të lehtë: Gatuzo te Çelsi, te “mjeshtri i vjetër” i tij. “Xhenaro i ka të gjitha karakteristikat dhe cilësitë për të luajtur në kampionatin anglez, - ka vazhduar D’Amiko, - ndaj nëse do të vijë ndonjë ofertë shumë e rëndësishme te Milani, besoj se mund të ulemi në tryezë për të biseduar. Por për momenti nuk ka pasur oferta”. Po vetë i interesuari ç’mendon? Për momentin është në heshtje dhe nuk referon shumë: “Unë jam një lojtar i Milanit dhe duhet të mendoj të bëj rolin e futbollistit, - deklaroi Gatuzo pas ndeshjes miqësore në Afrikën e Jugut ndaj Zelandës së Re (4-3). - Kemi drejtues që dinë ta bëjnë shumë mirë punën e tyre. Është e qartë që më vjen keq për Ançelotin, po ashtu edhe për Kakànë. Por nga Milani janë larguar edhe më parë Gulit, Van Basten dhe klubi ka ditur gjithnjë të riniset. Nëse kam folur me Galianin dhe drejtuesit? Por unë te Milani jam vetëm një lojtar…”