Zëvendëspresidenti kuqezi: Të gjithë “big”-ët do të qëndrojnë me 99.9%. Vetëm braziliani qëndron me 100%
Një i paprekshëm dhe një lojtar në dyshim, ose më saktë Pirlo. Është ky mendimi i Adriano Galianit për merkatën në lëvizje të Milanit: “Të gjithë “big”-ët do të qëndrojnë te Milani me 99.9%. Vetëm njëri është i paprekshëm, me 100% i sigurt që do të qëndrojë dhe është Pato, që është një sulmues 19 vjeç, më i forti në botë”. Por para së gjithash duhet një futbollist i zoti që të mos ndjehet mungesa e Kakàsë. Galiani shpjegon: “Dzeko na pëlqen. Volfsburgu nuk na bëri ndonjë kërkesë, sepse e cilëson lojtarin të pashitshëm. Një gjë e ligjshme, duke parë që ka edhe dy vjet kontratë. Por ne do të përpiqemi sërish, sepse boshnjaku është objektivi ynë i parë. Pastaj kemi një objektiv të dytë dhe të tretë në rast se nuk e marrim Dzekon.” Mes gjithë të tjerëve nuk është ama Kasano. “Nuk kemi menduar asnjëherë për Kasanon, - ndalon zëvendëspresidenti kuqezi. - Isha optimist për ardhjen e tij te Milani kur iku nga Reali, por ideja nuk kaloi në komisionin tonë të brendshëm dhe tani po kërkojmë një qendërsulmues, sepse kemi dy anësorë, Pato e Ronaldinjo”. Të cilët do të qëndrojnë. “Të gjithë “big”-ët do të qëndrojnë te Milani me 99.9%, vetëm Pato, më i forti në botë është i sigurt me 100%”. Megjithatë Paolo Maldini dy ditë më parë tha se pa Kakànë Championsi është një utopi: “Nuk më lejohet të gjykoj mendimin e Maldinit dhe nuk e komentoj, - ia preu shkurt Galiani. - As idenë e tij që Leonardo trajner është një bast…? Maldini ka çdo të drejtë të thotë mendimin e tij, unë të them idetë e mia dhe është mirë kështu. A do t’i afrojmë një vend në klub? Nuk e di, të shohim”. Duke u kthyer te merkatoja, Galiani flet për Meksesin: “Të shohim, të shohim, nuk është se duhet të them gjithçka. Një gjë është e sigurt: do të jetë një Milan absolutisht i fortë. Për çdo lojtar që ikën, do të vijë një zëvendës i përshtatshëm. Iku Paolo Maldini, erdhi Tiago Silva. U largua Kakà, do të vijë një lojtar i rëndësishëm. Milani nuk po rri pa lëvizur. Deri më sot, me përjashtim të të tjerëve që kanë luajtur më pak, janë larguar lojtarë si Senderos, Shevçenko e Mationi, që nuk iu ble gjysma tjetër e kartonit”.
Po Championsi a është vërtet një utopi? Galiani përgjigjet: “Nuk është, sepse futbolli nuk është një sport ekzakt. Ka sporte të tjerë më ekzaktë, si basketbolli, ku në finalen e madhe arrijnë katër skuadra me buxhetin më të lartë. Për fat të mirë futbolli nuk është. Nuk është e thënë që me 11-të lojtarët më të fortë në botë të arrish në Champions. Pastaj te Reali i Madridit dhe te Barcelona, kur kanë ardhur 11-të, 12-të e 15-të lojtarë, kanë ndaluar. Me që në të gjithë botën lojtarë të fortë janë rreth 30-të, shpresohet që të tjerët të jenë po aq të mirë sa të parët. Për fat të mirë në botë gjenerojnë më shumë lojtarë të zotë, ndryshe nga aftësitë e Barcelonës e Realit”.