15 qershor 2009
Formacioni italian, Xhilardino më i favorizuar
Marçelo Lipi e ka thuajse të gatshëm formacionin e tij për sidën kundër Shteteve të Bashkuara, e vlefshme për grupin B të Kupës së Konfederatave. Trajneri i përfaqësueses italiane preferon të hedhë në vijën e parë të sulmit Alberto Xhilardinon. Sulmuesi i Fiorentinës ndodhet në një moment të shkëlqyer, ku në dy paraqitjet e fundit ka arritur të shënojë katër gola, çka e favorizon atë më shumë se Tonin. Në portën e kampionëve të botës do të qëndrojë pa diskutim Xhanluixhi Bufon. Në qendër të mbrojtjes pritet të jetë Kielini dhe Legrotalie, në të majtë Groso, ndërsa në krahun e djathtë të mbrojtjes do të jetë Zambrota. Në mesfushë Lipi do të aktivizojë Gatuzon, De Rosin dhe Pirlon. Në repartin e avancuar do të jenë Kamoranezi, Xhilardino dhe Jakuinta.