15 qershor 2009

Morati: Inter si Reali

Në një intervistë publikuar sot në të përditshmen sportive italiane Gazzetta dello Sport, Masimo Morati flet 360 gradë për Interin e sezonit të ardhshëm, për merkaton, për Ibrahimoviçin, Maikonin, Karvajon e Dekon, Barçën dhe supermerkaton e Realit të Madridit.Për takimin me homologun Laporta tregon se ka qenë një takim normal midis dy presidentësh klubesh që pëlqejnë lojtarë të ekipeve të tyre. Morati rrëfen se Laporta e ka pyetur nëse Ibra ka një karakter të vështirë, por Morati thekson se bëhet fjalë për një kampion brenda dhe jashtë fushës. Interi nuk e ka të domosdoshme shitjen e tij dhe derimë tani s’ka marrë asnjë ofertë zyrtare. Sa kushton? “Në rast se Bajern kërkon 60 milionë për Riberi, unë kërkoj 90 për Ibran”, deklaron presidenti zikaltër. Duke qenë se Barça s’ka ndërmend për të tilla shifra, duhet të jetë Reali që do të bëjë një hap përpara. Pas Militos dhe Tiago Motës, Morati tregon se po diskutojnë me Çelsin për Dekon e Karvajon, të shumëkërkuar nga Moruninjo. “Vullneti i lojtarëve është të bashkohen me ish trajnerin e tyre dhe kjo i lehtëson situatat. Së shpejti priten të përmbyllet tratativa”. Atij që i kujton se Deko është 32 vjeç, Morati i thotë se edhe Figo aq ishte kur erdhi te Interi dhe rezultoi shumë i vlefshëm. “Pastaj Deko do të kontribuojë në rritjen profesionale të neointerisit, brazilianit Koutinjo, për të cilin të gjithë flasin me shumë entuziazëm. Morati rrëfen dëshirën për Karvajon, një mbrojtës me personalitet dhe me përvojë në arenën ndërkombëtare, për Arnavutoviçin që janë gati për ta marrë. Për Maikonin tregon se do qëndrojë në Milano dhe se vetë futbollisti s’ka kërkuar asgjë. Së fundmi, kur e pyesin nëse Interi do të jetë në nivelin e Realit, Morati përgjigjet me një “PO” në aspektin teknik e jo financiar. “Besoj se në fund të merkatos së verës, Interi do të jetë në të njëjtin nivel”, pohon Morati. Po si???