10 prill 2010

Bergamo: Kam darkuar edhe me Moratin

Ndërkohë, Luçiano Moxhi sulmon Xhon Elkan: Çfarë ke bërë në këto katër vjet?

“Ishte një ‘modus vivendi’ (mënyrë jetese). Kështu funksiononte për të gjithë”. Bergamo rrëfen të vërtetat e tij rreth skandalit “Calciopoli”, duke nxjerrë emrat dhe mbiemrat e njerëzve me të cilët fliste apo takohej. Mes tyre figuron edhe numri 1 i Interit: “Kam ngrënë një darkë me Dela Valen (Fiorentina), një drekë me Alibertin (ish-Salernitana), një darkë me Moratin. Nëse më jepej rasti, nuk i kam refuzuar asnjëherë”. Sipas fjalëve të Paolo Bergamos, njeriu që përcaktonte gjyqtarët e ndeshjeve, të gjithë telefononin, bisedonin dhe takoheshin, duke hedhur poshtë tezën e “Kupolës” së krijuar nga Moxhi. Ndër të tjera, ai theksoi se “ai që shkon për të ngrënë një darkë kërkon të shijojë shoqërinë e njerëzve, të cilët i vlerëson”. E vërteta e treguar nga Bergamo duket si gjëja më e natyrshme në botë, ndërsa shton se “nëse më pas dikush e tepron pa dijeninë time, unë nuk mund të cilësohem i përfshirë”. Më tej ai theksoi: “Duhet t’i kërkojmë rrënjët e ‘Calciopoli’-t pak më lart, atje ku ka lindur. Askush nuk ka kurajë ta thotë, por mjafton të lexosh çfarë thuhet në gjyqin ‘Telecom-Pirelli’…”. Ndërkohë, Moxhi ka sulmuar Xhon Elkan nëpërmjet faqeve të gazetës “Libero”: “Ju Elkan më kujtoni njeriun pa emër, që pas një mbrëmje mes ankthit moral, vendos të ndryshojë dhe t’i japë një drejtim pozitiv jetës së tij… Më lind pyetja: Çfarë keni bërë gjatë këtyre katër viteve? A mos ndoshta reagimi i vonuar ka ardhur për të larguar vëmendjen nga dështimet që me drejtimin tuaj të ndritur u keni dhuruar tifozëve…”. “Big Luçiano” thekson: “Nuk kishte asnjë ‘Kupolë’, Bergamos nuk i telefonoja vetëm unë. I zhytur deri në fyt është edhe zoti Morati dhe Interi i tij. Të gjithë e dinin çfarë ndodhte dhe të gjithë vepronin”.