25 janar 2010

Van Nistëlroi: Te Hamburgu për të luajtur

Sulmuesi holandez: Nuk ishte i lehtë largimi nga Reali, por s’më mjaftojnë 10 minuta, se dua të jem titullar
Rud van Nistëlroi ka pohuar se vendimi për t’u larguar nga Reali ka qenë ndër më të vështirët në karrierën e tij, por ishte i bindur se duhet të shkonte te Hamburgu për të rritur shanset e aktivizimit si titullar. Hamburgu ka lajmëruar të shtunën në mbrëmje se kishin arritur të merrnin firmën e Van Nistëlroit për 18 muaj dhe kishin lënë pas disa rivalë. Ky transferim i jep fund një periudhe të vështirë për sulmuesin e njohur, i cili kishte dalë golashënuesi më i mirë në kampionat në sezonin e tij të parë me Realin, 2006/07, por më pas u dëmtua rëndë. Me gjithë dëmtimet, lojtari 33-vjeçar është shprehur me keqardhje për largimin nga Madridi dhe ka thënë se ndeshja midis Madridit dhe Malagës mund të jetë e fundit për të. “Do të shkoj te Hamburgu, që është një mundësi e madhe për mua për të vazhduar karrierën, por është shumë e vështirë t’i thuash lamtumirë Realit”, ka thënë Van Nistëlroi për “Marca”.
“Nuk e di nëse do t’i mbaj dot lotët në “Bernabeu”, sepse dashuria që kanë fansat për mua më ka dhënë diçka të pabesueshme. Mendoj se do ta kem të vështirë të mos qaj. E shoh Hamburgun si një mundësi të madhe dhe shumë të rëndësishme. Presidenti i Hamburgut më thirri dhe më tha se do të jem shumë i rëndësishëm. Unë kam nevojë të luaj sepse nuk mund të qëndroj rezervë. Jam i trishtuar që po lë Realin, por i lumtur sepse një ditë do të mund të kthehem, pasi nuk e kam mbyllur derën përgjithmonë.” Në sezonin e parë të tij me Madridin, në vitin 2006, Van Nistëlroi shënoi 25 gola në 37 ndeshje, duke e ndihmuar skuadrën të marrë titullin e kampionit. Në sezonin e tij të dytë, ai shënoi 16 gola në 24 ndeshje, teksa Madridi mbrojti titullin.
Dëmtimet ishin ato që e prishën sezonin e tij të tretë dhe ai thuajse nuk luajti gjithë sezonin. Ai u kthye në fushë në shtator kundër Kserezit dhe shënoi, por u dëmtua sërish dhe nuk luajti për një tjetër muaj. “Dëmtimet kanë qenë problemi im më i madh. Unë nuk kam mundur të jap 100% te Reali më pas, vetëm në sezonin e parë kam qenë shumë mirë. Në të dytin nisën problemet, në të tretin u dëmtova…”, ka thënë Van Nistëlroi, që ka luajtur vetëm disa ndeshje për Realin në 18 muajt e fundit. “Kur nisa sezonin isha i bindur se do të luaja.
U ndjeva shumë mirë dhe e dija se do të vija prapë në formë. Por nuk kam qenë me fat. Dëmtimi kundër Kserezit më prishi shumë punë. Por ai gol më dha forcën që të vazhdoja dhe të kthehesha sërish. Luajta disa minuta në “San Siro” dhe në Kupën e Mbretit, por pata një tjetër problem në pulpë. Tani kanë mbetur edhe katër muaj deri në fund të sezonit dhe e dija se te Reali do të kisha pak shanse, pasi jam sulmues i pestë, pas Kristiano Ronaldos, Pipa Gonzalo Higuein, Karim Benzemasë dhe Raulit. Duhet të jem realist.”
Van Nistëlroi ka pohuar se fakti që do të humbë mundësinë të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon me Realin e vret shumë, por shpreson që te Hamburgu të marrë veten dhe të luajë për Holandën në Kupën e Botës. Kur e kanë pyetur nëse do të shkonte në botëror, është përgjigjur: “Do të shohim. Nuk jam dorëzuar. Eshtë një ëndërr që e kam prej kohësh, por që të realizohet unë duhet të luaj në një nivel të lartë. Do t’i hedh hapat një nga një, por sigurisht që dua të luaj në Kupën e Botës.”