29 janar 2010
Shqipëri-Kosovë, miqësorja e Pavarësisë më 17 shkurt
Një seleksion i kampionatit shqiptar të futbollit, me lojtarët më të mirë të skuadrave të superligës, do të luajë më 17 shkurt 2010, në Prishtinë, me rastin e dyvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, një ndeshje miqësore me kombëtaren e shtetit më të ri në botë. Në fakt kjo ndeshje, më tepër se miqësore është vëllazërore, mes dy skuadrave të një kombi, atij shqiptar, që së bashku do të përkujtojnë kësisoji një datë të shënuar për Kosovën, e cila është në prag të 2-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Një vendim i tillë është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, në mbledhjen e ditës së enjte, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së Federatës Kosovare të Futbollit. Në këtë kuadër u miratua ndryshimi i datave të zhvillimit të ndeshjeve të turit cerekfinal të Kupës së Shqipërisë, që do të luhen në këto data: 10 dhe 24 shkurt 2010.