28 janar 2010
Botërori, janë shitur dy milionë bileta
Edhe pse mungojnë disa muaj nga fillimi i fazës finale të Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut, interesimi i tifozëve është mjaft i madh. FIFA bëri të ditur se janë shitur 2 milionë bileta për aktivitetin më të rëndësishëm në futboll. Federata Botërore shpjegoi se në fazën e tretë të shitjes, e cila u mbyll më 22 janar, kishte marrë 1.2 milionë kërkesa nga 192 vende, ku 950 mijë prenotime janë bërë vetëm nga Afrika e Jugut. Sipas të dhënave zyrtare nga FIFA, deri më tani janë shitur 2 nga 3 milionë biletat e vendosura në dispozicion për tifozët. Për gjashtë ndeshje, duke përfshirë gjysmëfinalet dhe finalen, të gjitha biletat janë prenotuar prej kohësh.