28 janar 2010

Në Prishtinë deri në verë

Agron Skeraj do të luajë për Prishtinën, deri në verë. Mesfushori kosovar është provuar tek klubi gjerman, FSV Frankfurt, ku ka lënë përshtypje të mira.
Mirëpo, për shkak se klubi nga Bundesliga 2 gjermane ka shumë futbollistë, për mesfushorin e krahut nuk kishte vend tash. Trajneri dhe kryesia e këtij klubi janë ndarë të kënaqur me cilësitë e prizrenasit, të cilin mendojnë ta bëjnë të vetin në qershor.
“Unë bëra katër stërvitje, gjatë dy ditëve sa qëndrova aty. Trajneri e pëlqeu lojën time, mbi të gjitha formën fizike, pasi isha i përgatitur mirë. Madje, ai deshi ta largonte njërin nga 5 futbollistët nga të cilët nuk llogarit në pranverë, për të ma bërë një vend mua, por ata nuk pranuan të largoheshin pa dëmshpërblim. Kështu që, edhe pse unë dhe menaxheri im e prisnim kontratën, kjo duket se do të ndodhë më vonë”, shpjegoi Skeraj.
Ai do ta kalojë edhe sezonin pranveror në Kosovë, por vëmendja e tij mbetet në Gjermani. “Ne u morëm vesh që, nëse Frankfurt nuk bie në ligë të tretë, unë të nënshkruajë me këtë klub gjatë verës”, vazhdoi ish-futbollisti i Lirisë.

Mund të rikthehet edhe Kaçiu

Përpos Skerajt, edhe mesfushori tjetër kosovar, Bardhyl Kaçiu, pritet të luajë në kampionatin kosovar, gjatë pranverës. Futbollisti i Trepçës është provuar tek Alemannia Aachen, por në fund hasi në një problem, që bëri të dështonte gjithçka.
“Po ishte një problem i vogël. Unë luajta një pjesëlojë, por kur kanë biseduar zyrtarët e Aachen me menaxherin tim, e kanë kuptuar se unë kam kontratë me Trepçën dhe se duhet të paguajnë dëmshpërblim, kështu që u tërhoqën. Unë kam ardhur në një periudhë kohore të keqe këtu, ngase ekipet i kanë përfunduar përgatitjet dhe janë kompletuar tashmë”, tha Kaçiu.
Ish-futbollisti i Prishtinës nuk e ka përjashtuar mundësinë që këto ditë, të provohet tek klubi tjetër gjerman, Karlsruher. Në të kundërtën, ai do të kthehet tek Trepça, me të cilën ka kontratë, për të luajtur deri në verë.


U larguan vetë

Tre futbollistët shqiptarë nga Maqedonia, Vebi Alievski, Ertan Hasan dhe Dardan Miftari, janë befasuar kur kanë dëgjuar lajmin se drejtuesit e FC Prishtinës i kanë liruar nga klubi, pasi trajneri Skënder Shengyli nuk llogarit në shërbimet e tyre.
Tashmë tre ish-anëtarët e kampionit aktual të Kosovës, thonë se ishin vetë ata që u larguan nga klubi bardhekaltër, e jo siç pretendon FC Prishtina se i ka lënë të lirë, pasi nuk llogarit në ta për sezonin pranveror.
Sipas treshes shqiptare nga Maqedonia, mosmarrja e pagave për dy muaj si dhe disa premi që arrijnë shifrën 5000 euro, janë arsyet kryesore pse kanë marrë vendim të kthehen në vendlindje.
“Nuk është e vërtetë se na kanë larguar. Ne jemi larguar vetë, e jo siç thonë ata që na kanë larguar. Ne i kemi paralajmëruar që një muaj se, nëse nuk na kthejnë borxhin, do të largoheshim”, ka thënë portieri Dardan Miftari,të mërkurën.
Ish-portieri i skuadrës tetovare “Shkëndija” dhe i “Bashkimit” nga Kumanova ka thënë se klubi nuk mbahet me gënjeshtra, me llafe dhe me marketing, por me para.
“Ne i kemi kontratat dhe po të doni, ua tregojmë. Prishtina duhet të pastrohet në krye, pasi ky klub ka imazh të mirë, të gjithë e kanë dashur këtë klub, edhe këtu në Maqedoni.
Prishtina nuk meriton të udhëhiqet nga njerëz si Afrim Muçiqi”, vazhdoi Miftari, i cili nuk e ka ndërmend ta thërrasë më në telefon askënd në Prishtinë.
Sipas Miftarit, kryesia e klubit prishtinas e ka harruar menjëherë faktin se ishin pikërisht futbollistët nga Maqedonia, ata që e këndellën këtë ekip, kur po përjetonte një krizë të thellë të rezultateve.
“Kur shkuam ne, Prishtina qëndronte vazhdimisht në pozitën e fundit dhe nuk merrte pikë askund. Unë personalisht, në 5 ndeshje nuk kam pësuar gol. Ne e këndellëm ekipin dhe u ngrit lart. Në të kundërtën, do të mbetej aty ku ishte”, vazhdoi ai.
Edhe mbrojtësi Alivski ankohet se Prishtina nuk e ka respektuar aspak kontratën që kishin nënshkruar, përfshirë këtu edhe gjërat elementare, si vendbanimi, ushqimi etj. Sidoqoftë, ata nuk e kanë ndërmend t’i hyjnë kësaj pune me gjyq.
“Ne qëndruam deri tash në Prishtinë vetëm për hatër të shoqërisë, sepse nuk ia vlente për diçka tjetër. Unë bisedova me ta para 3-4 minutash dhe e pranuan se na kanë borxh, e Muçiqi del në opinion e thotë që nuk na kanë borxh. Gjithçka le të mbetet në dorë të Zotit. Nëse janë fer, le të na paguajnë paratë”, tha Alievski.
Në anën tjetër, nënkryetari Afrim Muçiqi, këmbëngul se Prishtina nuk ka borxh asnjë cent ndaj këtyre futbollistëve. “Nuk është e vërtetë që u kemi borxh aq sa thonë. Prishtina nuk u ka paguar lojtarëve vetëm rrogën e muajit janar, e dihet se janari nuk ka përfunduar ende”, ishte i shkurtër ai.
Sido që të jetë, eksperienca e futbollistëve shqiptarë nga Maqedonia në Kosovë doli të ishte mjaft e shkurtër (përpos Hasan, që luante edhe më parë për Prishtinën). Ata u kthyen në shtëpi me përshtypje dhe me bindje të keqe nga klubi më i madh në Kosovë, të cilin e kishin paramenduar ndryshe.