28 janar 2010
Kasano drejt Sitit, Mançini në pritje
Antonio Kasano mund t’i thonë lamtumirë Sampdorias më parë nga sa mendohet. Pas mosmarrëveshjeve me trajnerin Del Neri, në fakt, sulmuesi barez nuk është grumbulluar me skuadrën për ndeshjen kundër Udinezes, që më pas është fituar nga Sampi. Fitorja në transfertë sigurisht ka bërë që mungesa e lojtarit të mos ndihet, duke i dhënë të drejtë kështu trajnerit. Ndër të tjera, të martën ylli puljez ka pësuar një dëmtim gjatë stërvitjes dhe ka pak mundësi që të grumbullohet me ekipin për sfidën e radhës në kampionat kundër Atalantës. Por, e ardhmja e lojtarit, mund të jetë larg Gjenovës dhe Serisë A. Në gjurmët e Kasanos duket se është vënë Mançester Siti. Klubi i drejtuar nga Mançini ka larguar Robinjon, që gjatë kësaj jave do të jepet borxh tek Santosi dhe është gati të presë Kasanon, lojtar që pëlqehet shumë nga ish-trajneri i Interit. Menaxheri i futbollistit, Boco, ka filluar të negociojë me klubin anglez për kalimin e një lojtari tjetër, romanistit Marko Mota. Ka shumë mundësi që gjatë këtyre negociatave të diskutohet edhe për fantazistin barez.