28 janar 2010
Humolli në Flamurtar
Mbrojtësi Florim Humolli kalon në radhët e skuadrës së futbollit Flamurtarit të Prishtinës. Ai vet deklaroi se nuk do të shkon askund tjetër përveç në radhët e skuadrës kuqezi, ku luan me sukses edhe vëllai i tij, Milaimi. Sipas Humollit, brenda disa orëve pritet edhe të nënshkruajë kontratën me klubin e ri, Flamurtarin. “Kanë mbetur edhe disa çështje teknike të rregullohen dhe të nënshkruajë në radhët e Flamurtarit”, tha Humolli. Ky futbollist, vite me radhë ka qenë anëtarë i kampionit në fuqi, Prishtinës. Ai së bashku me futbollistët Ertan Hasan, Dardan Miftarin dhe Vebi Aliesvkin, ditë më parë janë liruar nga KF Prishtina, me arsyetim sipas drejtuesve të Prishtinës, se nuk i kanë përmbushur parashikimet me lojë gjatë stinorit vjeshtor, por edhe në pamundësi të mjeteve financiare. Drejtori i KF Flamurtarit, Agim Hasani, ka thënë se me Humollin është çështje e kryer. “Sa i përket Flamurtarit, çdo gjë është e kryer, por ka mbetur që Humolli të vendosë sesa do të nënshkruajë”, tha Hasani. Flamurtari edicionin vjeshtor e përfundoi në vendin e tretë me 27 pikë ose pesë pikë më pak se lideri i tabelës, Trepça. Kjo skuadër synon ta ruaj këtë pozitë në vazhdim të kampionatit dhe madje synojnë edhe më tepër nëse i jepet rasti.