28 janar 2010
“Prishtina” na ka borxh 15 mijë euro
Shkup, 28 janar - Portieri shkupjan Dardan Miftari nuk do të kthehet në klubin e tij Prishtina për t’i mbrojtur ngjyrat e kësaj skuadre në edicionin pranveror të kampionatit të Kosovës në futboll, për shkak të mosshlyerjes së obligimeve ndaj tij, shkruan sot “Lajmi” i Shkupit. Ai ka thënë se në Prishtinë nuk do të kthehen as Ertan Hasan dhe Vebi Alievski. “Nuk shkoj te Prishtina, sepse ata më kanë mbetur borxh dy rroga dhe një pjesë të kontratës, prandaj po kërkojë t’i marrë dokumentacionet. Klubi as qiranë e banesës nuk e ka paguar. KF Prishtina është klubi më i paorganizuar në Kosovë dhe me njerëz si Afrim Muçiçi nuk dua të kem punë”, tha i zhgënjyer Miftari. “Ne e kemi shpëtuar nga më e keqja, ngase cfarë organizimi ka në klub Prishtina duhej të binte nga Super liga e Kosovës”. Edhe futbollisti tjetër nga Shkupi, Vebi Alievski ankohet në sjelljen e zyrtarit të KF Prishtina, Afrim Muçiçi. “Unë isha në Prishtinë dhe kërkova nga klubi shlyerjen e borxhit ndaj nesh, por Muçiçi nuk e hapte telefonin. Mua, Ertanit dhe Dardanit skuadra e Prishtinës na ka borxh nga 5 mijë euro, sepse nuk i ka paguar dy rrogat e fundit dhe një pjesë të kontratës. Në pamundësi për të na paguar ata shkruajnë nëpër media se na kanë larguar”, tha Alievski. Ndërkohë, stafi teknik i KF Prishtinës largimin e futbollistëve të ardhur nga Maqedonia (Dardan Miftari, Vehbi Alievski, Ertan Hasan dhe Mensur Limani nga Tërrnoci) e kishte arsyetuar me mospërmbushjen e parashikimeve të tyre.