Zakeroni dhe Xhentile janë emrat më të përfolur për të zëvendësuar Ferrarën
Juventusi shikon dritë në fundin e tunelit. Një dritë që mban emrin e Rafa Benitezit: klubi, vendos të braktisë projektin Lipi dhe të thërrasë trajnerin e Liverpulit për të ndërtuar një projekt të ri në sezonin e ardhshëm. Por ky cikël do të mund të fillojë vetëm në qershor, sepse Liverpuli nuk do ta lërë të lirë menjëherë teknikun spanjoll. Atëherë, duhet një zëvendësues i përkohshëm i Ferrarës për 4 muajt e ardhshëm dhe gara është midis Zakeronit e Xhentiles.
Dy alternativa këto që kanë ardhur pas “jo”-së së zgjedhjes së parë të bërë nga “Treshja” e re e bardhezinjve: Xhiovani Trapatoni. Zakeroni, menaxheri i të cilit është kontaktuar nga klubi bardhezi, është në avantazh edhe për shkak të një vlerësimi më të madh që “senatorët” e Juves kanë ndaj tij. Por ngre disa dyshime e kaluara e tij jo shumë e suksesshme si trajner i Torinos dhe fakti se nuk ka drejtuar një skuadër prej tre vitesh, edhe pse, duhet kujtuar, ka refuzuar gjithmonë pas eksperiencës torineze, të marrë drejtimin e një ekipi pas fillimit të sezonit.
Por, është e qartë, për Juven do të bënte një përjashtim. “Rivali” i tij, Klaudio Xhentile, nuk ka eksperienca në nivel klubesh dhe gjithashtu nuk drejton një ekip që nga viti 2006. Në favor është e kaluara juventine, dëshira për konfirmim dhe për të karikuar grupin e bardhezinjve, që, në këtë moment, mund të jetë cilësia thelbësore për të ringjallur Juventusin. Për të dy, kontrata do të jetë e përkohshme: 5 muaj, prej të cilëve vetëm 4 do të kalohen në fushë, duke parë që në fundin e majit bie sipari i aktivitetit të klubeve.
Më pas, do t’i hapet rruga Benitezit. Një zgjedhje e rëndësishme, në të gjitha aspektet, sepse, i mbyll portën në fytyrë projektit të planifikuar nga Blank, Seko dhe Lipi dhe sepse do të jetë sigurisht e kushtueshme në aspektin ekonomik. Benitez, tek Liverpuli, fiton 2,8 milionë euro në sezon, që janë “vite dritë” larg pagesës së Mourinjos, por megjithatë trefishi i shumës që merr Çiro Ferrara. Për më shumë, Don Rafa njihet për faktin se tërheq pas vetes një staf të madh ndihmësish, vëzhgues, ekspertë të taktikës, një grup prej rreth dhjetë vetësh.