Nesër ditë zie kombëtare, homazhe për legjendën Panajot Pano
Trupi i pajetë i Panajot Panos, që vdiq në Xheksonvill të SHBA-së, nesër, ditën e enjte, do të mbërrijë në atdhe, për t’u prehur përjetë në dheun e tokës mëmë. Sikurse ka vendosur më parë, një ditë pas vdekjes, edhe qeveria shqiptare, dita e varrimit të të madhit Pano do të jetë ditë zie kombëtare. Pra, e enjtja do ta ketë flamurin kuqezi në gjysmështizë, në respekt dhe nderim të Panajot Panos. Në orën 10.00, trupi i pajetë i Panos do të mbërrijë në Aeroportin e Rinasit, ku do ta presin me nderime njerëz me funksione të rëndësishme shtetërore dhe publike, por edhe njerëz të thjeshtë, sportdashës dhe sportistë. Më pas, trupi i pajetë i mbretit të futbollit shqiptar do të vendoset në Pallatin e Kongreseve, ku të gjithë do të kenë rastin t’i bëjnë homazhet e fundit, para se Panajot Pano të prehet përjetë në varrezat e Sharrës. Me të gjitha ceremonitë përkatëse do të merret Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërkohë që në orën 12.00, në të gjithë vendin do të mbahet një minutë heshtje, ndërsa flamuri do të ngrihet në gjysmë shtizë në të gjitha institucionet shtetërore.
18 janari 2010 ishte dita e fundit e jetës së futbollistit më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave, e legjendës së madhe e të papërsëritshme Panajot Pano. Zemra e “mbretit” të top-këmbës shqiptare ka pushuar së rrahuri atje larg, në Xheksonvil të Floridas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dje rreth mesditës, pasi kishte 3 ditë i shtruar në spital, si pasojë e një parainfrakti që kishte pësuar. Ndërhyrja e mjekëve ka qenë e pasuksesshme, pasi intervenimi i tyre përmes kryerjes së koronografisë është shoqëruar me humbjen e jetës së Panos. Zemra e ka tradhtuar “lojtarin fluturues”, të cilin nuk kishte kundërshtar që ta markonte, pas një infarkti, duke na thënë të gjithëve “lamtumirë”. Legjenda shqiptare, më i njohuri në botë, Panajot Pano, para një viti, teksa mbushi të 70-tat, u dekorua me urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë, Zoti Bamir Topi. Ka qenë pikërisht ky, i pari që ka shprehur publikisht ngushëllimet e tij për këtë humbje të madhe. Jeta e tij ka qenë vërtet intensive dhe me shumë ngjarje, që nuk harrohen. Cilësitë dhe aftësitë e tij kaluan kufijtë e kohës, pavarësisht se izolimi i regjimit ishte i pashoq. Vlerësimet e ish-trajnerit të përfaqësueses së RFGJ-së, Helmut Shen, se “Shqipëria ka një futbollist të madh, Panon”, të Franc Bekenbauerit, ish-kapiten i përfaqësueses së RFGJ-së, se “më pëlqeu kundërshtari im, Bizi, ndonëse në Gjermani njohim më shumë Panon”, i Shulc, qendërmbrojtës i përfaqësueses së RFGJ-së, se “askush në vendin tim dhe jashtë tij nuk ka guxuar të më sjellë rrotull, të më kalojë dorë për dore, të më gjunjëzojë, ashtu si Pano”, sot janë “kurora” më e fisme te koka e këtij gjiganti të futbollit shqiptar.
Panajot Pano, pasaporta
Emri: Panajot
Atësia: Thoma
Mbiemri: Pano
Datëlindja: 7 mars 1939
Vendlindja: Durrës
Tituj sportiv:
“Mjeshtër sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nder i Sportit Shqiptar”
Klubet: SK Tirana, Partizani, Dinamo
Aktivizuar: Me të rinjtë e Tiranës 1955-57, Puna e Tiranës 1957-59 (të rritur), Partizani 1960-75, Dinamo 1962 (për Kupën Ballkanike)
Trofe:
1957 - Kampion me të rinjtë e “17 Nëntorit”.
1960 - Golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1961 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë, golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1963 - Kampion kombëtar me Partizanin, medalje argjendi në turneun e Ushtrive të Vendeve Socialiste.
1964 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë.
1966 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
1967 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
1970 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, fitues i Kupës Ballkanike midis klubeve, golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1971 - Kampion kombëtar me Partizanin.
1973 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
5 herë fitues i anketës të “Sporti Shqiptar” (10 sportistët më të mirë të vitit)
2000 - Fitues i anketës “Sportisti më i mirë i shekullit”, fitues i anketës së gazetës “Sporti Shqiptar”: “11-shi më i mirë i historisë së futbollit shqiptar”, “11-shi më i mirë i 50 dhe i 55 kampionateve kombëtare”.
1979 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.
1980 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, si zv/trajner i Partizanit.
1981 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.
Dekoratat:
Urdhri i Artë “Mjeshtër i Madh”, Urdhër Pune i klasit 2, Urdhri “Naim Frashëri i klasit 3,2,1″, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, medalja “Urdhëri i Meritës” për 100-vjetorin e FIFA-s.
I zgjedhur:
Më 1999 president nderi i Partizanit, më 2002 president nderi i FSHF-së.
- Hobi: muzika popullore shqiptare dhe ajo greke.
- Idhulli: si futbollist, Pele; si skuadër, Gjermania.
- Karriera si futbollist: e filloi në vitin 1954 dhe e mbylli në maj 1975.
- Trajnerët që e kanë stërvitur: A.Karapici (në moshën 14-15 vjeçare), Xh.Demneri (16-17), M.Alla (18-19), R.Spahiu (trajneri i parë te Partizani), L.Boriçi, R.Resmja, K.Kraja, B.Birçe, I.Shuke, Z.Konçi (trajneri i parë me kombëtaren), Bolanesku (rumun).
- Ndeshja e parë zyrtare me të rinjtë e Tiranës: ndaj të rinjve të Peshkopisë, 18 korrik 1956, për kampionatin kombëtar.
- Goli i parë i karrierës me të rinjtë: ndaj Kukësit, 5 gusht 1956
- Ndeshja e parë me të rriturit: ndaj Besës, në vitin 1957, për Kupën e Shqipërisë, me fanellën e 17 Nëntorit (Tiranës).
- Ndeshja e parë në kampionatin kombëtar: me 17 Nëntorin, më 4 maj 1958, ndaj Dinamos (4-0). Pano shënon dhe golin e tij të parë.
- Ndeshja e fundit, si futbollist i 17 Nëntorit: ndaj Besës, më 9 dhjetor 1959 (4-2), ku ka shënuar golin e fundit për bardheblutë.
- Ndeshja e parë me Partizanin: më 14 shkurt 1960, ndaj Dinamos (3-0), ku dhe ka shënuar golin e tij të parë për të kuqtë.
- Ndeshja e parë ndërkombëtare me Tiranën: ndaj skuadrës sovjetike “Krahët e Sovjetëve” (Kujbishev), në vitin 1957.
- Ndeshje si përforcues me 17 Nëntorin: më 6 mars 1960, ndaj rusëve të Admiraltejec; më 28 gusht 1969, ndaj Standart Liezh (Belgjikë)
- Ndeshja e parë ndërkombëtare me Partizanin: mars 1960, ndaj Nojebrandenburg (e fituar 3-2), në turneun në RDGJ.
- Goli i parë i karrierës: ndaj Besës, më 1957, për Kupën e Shqipërisë.
- Goli i parë në takime ndërkombëtare: ndaj Moldava të Kishinjevit, në turneun e 17 Nëntorit në BS, në vitin 1958.
- Goli që i ka sjellë më shumë kënaqësi e sukses: ai i shënuar ndaj Dinamos, në vitin 1961, në finalen me dy ndeshje, që zgjati 242 minuta. Ky gol e shpalli Partizanin kampion, titulli i parë dhe për Panon.
- Goli më i bukur: i shënuar ndaj kombëtares së Danimarkës (1963).
- Më tepër gola në një ndeshje: 4 ndaj Vllaznisë së Shkodrës; në takimet ndërkombëtare, ka shënuar 3 gola ndaj Forverts të Berlinit, në turneun e Vietnamit.
- Hidhërimi më i madh: kur, nga një distancë fare pranë portës së boshatisur, nuk mundi të shënojë ndaj Torinos, në një ndeshje për Kupën e Kupave, në “Qemal Stafa” (1968)
- Gola nga distanca mbi 20 metra: ndaj Olimpikes bullgare, Vakerit, Advidabergut, ndërsa ndaj Vllaznisë mbetet ndër më të bukurit.
- Penallti të humbura: vetëm tri gjuajtje nga 11-metërshi.
- I përjashtuar nga gjyqtari: dy herë.
- Ndeshja e lamtumirës: Partizani -17 Nëntori, më 23 maj të vitit 1975.
- Titulli i parë kampion kombëtar: me Partizanin, në vitin 1961.
- Kupa e parë e Shqipërisë e fituar: me Partizanin, në vitin 1961.
- Numri i fanellës: 10.
- Ndeshja e parë me ekipin kombëtar: më 24 qershor 1963, me Danimarkën në Kopenhagen (0-4).
- Ndeshja e fundit me kombëtaren: më 7 nëntor 1973, ndaj përfaqësuese kineze.
- Më shumë gola në takime ndërkombëtare: në vitin 1963 (11).
- Gjithsej gola në takimet ndërkombëtare: 34
- Skuadra e huaj, me të cilën është ndeshur më tepër: me Fenerbahçen 7 herë (3 herë më 1961 me Partizanin, 2 herë me Dinamon në vitin 1962 dhe 2 herë me Partizanin në vitin 1967).
Vila: Tiranës s’ia ka fajin Dinamo, as Bakaj
Sipas futbollistit Emiliano Vila, dinamovitët mendojnë për ndeshjen e radhës me Skënderbeun
Mesfushori Emiliano Vila ka zhvilluar premierën e tij në derbin e javës së 18-të ndaj Tiranës. Mesfushori me tipare sulmuese është i kënaqur për performancën personale, por ka rezerva për pozicionin në fushën e blertë, edhe pse lë gjithçka në duart e stafit teknik. Lidhur me dhunën e shfaqur në derbi, durrsaku këmbëshpejtë deklaron se Tiranës s’ia ka fajin as Dinamo, as Elis Bakaj. Sipas nr.11 të bluve, dhuna është një pengesë e madhe në botën e futbollit, e cila duke krijuar pasiguri, nuk i lejon lojtarët të shfaqin vlerat maksimale në fushën e blertë.
‑ Emiliano, paraqitja e parë te Dinamo, por ana futbollistike ka qenë e ndërthurur me dhunën dhe tensionin në fushën e blertë…?
‑ Normale, ishte premiera ime me Dinamon në një derbi shumë të rivalizuar. Por në radhë të parë dua të falënderoj djemtë e skuadrës për atë që dhanë në fushën e blertë. Për sa i takon dhunës, nuk më takon mua si futbollist ta analizoj, pasi ka instanca të tjera që merren me ato ngjarje të turpshme.
‑ Jeni aktivizuar si mesfushor i majtë në këtë ndeshje, ndërkohë që në të dytën në qendër të saj së bashku me Allmuçën. Pozicioni juaj ju ka kondicionuar për të dhënë maksimumin tuaj, apo jo?
‑ Krahu i majtë nuk është i preferuari im, por është trajneri që vendos për aktivizimin tim. Ndoshta në të ardhmen mbase pozicioni im mund të ndryshohet, ndërkohë që për momentin jam mirë këtu ku jam. Si ndeshja e parë edhe unë kërkoj kohë për ambientim. Por deri tani gjërat janë duke rrjedhur pozitivisht për mua.
‑ Po dueli me Muzakën ka ndikuar te loja e Vilës?
‑ Po, sepse dihen vlerat e një futbollisti si Gjergji Muzaka.
‑ Këtë javë vjen Skënderbeu…?
‑ Në çdo sfidë ne futemi për fitore në fushën e blertë. Përderisa jemi në vendin e parë, në çdo sfidë ne do të luajmë për tri pikë. Si ndaj Tiranës, Skënderbeut, apo çdo kundërshtari tjetër, ne futemi në fushë vetëm për fitore.
‑ Si futbollist i Dinamos, si ndiheni në momentet që një shoku juaj i skuadrës goditet në të tillë mënyrë? E pengojnë ato veprime pjesën tjetër të skuadrës për të dhënë maksimumin e mundësive në vazhdimësinë e ndeshjes?
‑ Sigurisht që po. Duke parë gjithë atë dhunë, habitemi. Fajin Tiranës s’ia kemi ne. I keni parë të gjithë lojtarët e Dinamos shumë të disiplinuar dhe s’e kuptoj çfarë ishte gjithë ai inat kundër Elisit. Kanë vite që merren me Bakajn, që është grindavec e të tjera, por për kaq sa e njoh unë Elisin, pasi e kam edhe mik, ai ka ndryshuar shumë kohët e fundit dhe s’ka bërë asnjë gjest antisportiv. Bakajt deri tani i kanë rënë kot më qafë, për mendimin tim.
Allmuça nuk stërvitet, probleme të lehta
Dje, mesfushori Igli Allmuça ka qenë i pranishëm në stërvitjen e Dinamos, por nuk ka qenë pjesë aktive e saj, pas një problemi të lehtë në kavilje si pasojë e një dyluftimi në derbi. Shumë shpejt lojtari do të bashkohet me shokët e skuadrës për t’u përgatitur për ndeshjen ndaj Skënderbeut. Korçarët vijnë të lodhur në Tiranë, sepse dje kanë zhvilluar një 90-minutësh me Besën e Kavajës.
Blutë, analizë përpara stërvitjes
Përpara startimit të stërvitjes së ditës së mërkurë, trajneri Shkëlqim Muça ka zhvilluar një analizë në sallën e konferencave me futbollistët blu: “Në çdo ndeshje duhet të luajmë për fitore. Skuadra duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të mos kapet nga euforia. Sërish kemi një ndeshje përpar
Belisha: Mos e gjykoni tani Vllazninë!
Kapiteni shkodran Amarildo Belisha shprehet se nuk mund të vlerësohet ekipi me një ndeshje
Dështimi i Vllaznisë në ndeshjen e parë të këtij viti, atë të luajtur në Peqin, është komentuar në mënyra të ndryshme në Shkodër. Tifozët, por në veçanti mediat, e kanë konsideruar këtë humbje ndaj Shkumbinit një dështim të trajnerit Martini, por edhe të blerjeve të janarit që kuqeblutë kanë bërë.
Ai që kërkon të dalë në mbrojtje të ekipit është pikërisht futbollisti që në ndeshjen e së shtunës ka mbajtur shiritin e kapitenit të skuadrës shkodrane, pikërisht Amarildo Belisha. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, ai ka thënë: “Mënyra si është komentuar kjo humbje, na ka alarmuar të gjithëve. Duket se me atë humbje ka ndodhur fundi i botës. Jemi të vetëdijshëm se nuk duhej ta humbnim, por ja që ndodhi. Kundërshtari për asnjë moment nuk na ka vënë në vështirësi. Ne patëm pak probleme me ambientimin me fushën dhe po ashtu edhe në lojë me njëri‑tjetrin, por në përgjithësi ndeshja po shkonte drejt barazimit.
Nëse nuk morëm pikë, nuk ka pse të akuzohen stafi apo lojtarët e ardhur në merkaton e janarit si dështim. Besoj se duhet të na lini edhe pak në dispozicion për të shprehur atë çfarë jemi në gjendje të bëjmë.” Presioni mbi skuadrën është gjithnjë i madh. Këtë e kanë të qartë të gjithë në kampin shkodran. Nuk ka më kohë për justifikime, por duhen rezultate. Belisha e ka të qartë këtë dhe suksesin e ardhshëm e bazon pikërisht te puna që është bërë gjatë përgatitores në Ulqin, por edhe blerjeve që klubi ka bërë. “Kur thashë që duhet të na lini edhe pak kohë në dispozicion për të punuar, e thashë ngaqë e di se ekipi ka shumë më tepër forca nga sa ka shprehur deri tani. Të gjithë në Ulqin kanë qenë të kënaqur me punën e bërë dhe lojtarët që kanë ardhur.
Kështu që të gjithë së bashku do të bëjmë që Vllaznia të arrijë objektivat që ka. Skuadra ka përgatitjen, lojtarët dhe trajnerët e duhur për të bërë ndryshimin dhe besoj se këtë do ta bëjmë shumë shpejt,” ‑ thotë më tej numri 8 i kuqebluve. Ndërkohë, këtë javë, shkodranët presin në fushën e tyre ekipin e Laçit. Në pamje të parë, kemi të bëjmë me një ndeshje të lehtë, por në realitet nuk vlerësohet e tillë edhe nga futbollistët dhe stafi drejtues i Vllaznisë. Aq më tepër që në këtë ndeshje skuadra shkodrane do të ketë edhe disa mungesa të titullarëve të saj.
Një ndër ta është edhe Amarildo Belisha, që nuk do të luajë për arsye kartonësh, por ndërkohë vetë ai mendon se mungesat nuk do të ndihen dhe skuadra do të arrijë ta fitojë këtë takim. “Nuk do të luaj në këtë ndeshje dhe po ashtu edhe Leci e Rajoviç, por jam i bindur se ata që do të luajnë në vendin tonë do të japin më të mirën dhe Vllaznia do ta fitojë këtë ndeshje. Nuk dua të nënvlerësoj Laçin, por nëse nuk e mundim edhe atë, nuk ka pse të pretendojmë asgjë. Duke nisur nga kjo ndeshje, edhe loja e ekipit tonë mendoj se ka për të qenë ajo e duhura,” - thotë në fund Belisha.
Largohet ganezi Nafiu, nuk bën për kuqeblutë
Erdhi në fillim të javës së kaluar dhe të gjithë shpresonin se ai do të ishte blerja e radhës për Vllazninë. Ganezi Suleman Nafiu, që luante si sulmues dhe ishte 20 vjeç, mendohej që të ishte një përfocim i rëndësishëm, por dje ka lënë Rinasin dhe ka marrë avionin për në Ganë, andej nga kishte ardhur.
Anglezi Feniks, kartoni vjen sot
Anglezi Xhemi Feniks do të jetë në fushë ditën e diel, kur do të luhet ndeshja me Laçin në formacionin e Vllaznisë. Lajmi duket i sigurt nisur nga fakti që pikërisht ditën e sotme do të mbërrijë në FSHF kartoni i këtij futbollisti. Mungesa e tij ka qenë pengesa që ai nuk luajti në Peqin, por nuk do të ndodhë kështu këtë javë.
Veteranët shkodranë, në ceremoninë e Panos
Sot, një autobus me veteranët e Vllaznisë do të niset nga Shkodra për të marrë pjesën në ceremoninë e varrimit të legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Panos. Ky autobus është vënë në dispozicion nga klubi shkodran dhe veteranët kuqeblu kanë pranuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni mortore.
Meto: Besa e fortë, por në Fier fitojmë ne
Mesfushori i Apolonisë, Agim Meto, vlerëson kundërshtarin, por nuk i mbivlerëson kavajasit
Duhet harruar sa më shpejt Gramozi bashkë me humbjen që i shkaktoi Apolonisë dhe duhet përgatitur një terren sa më i përshtatshëm për një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Besës. Verdhezinjtë i kanë përforcuar më tej pozitat e tyre në renditje në vendin e dytë, pasi kanë fituar ndeshjen e prapambetur me Skënderbeun, çka do t’u japë kurajë edhe për takimin e fundjavës me Apoloninë, ku kavajasit do të luajnë transfertën e tretë radhazi.
Fierakët duhet të çlirohen nga një ndeshje humbëse me kolonjarët dhe të ngrihen në lartësinë e një ndeshjeje me skuadrat pretenduese, ku bardhëjeshilët flasin tjetër “gjuhë” dhe paraqesin në fushë një performancë të vlerësueshme. Ekipi përgjithësisht ndihet i kompletuar në përbërjen e vet, pavarësisht ndonjë surprize të mundshme, që mund të ketë në këto ditë të fundit përpara mbylljes zyrtare të saj. Me kavajasit, Apolonia ka zhvilluar gjithmonë ndeshje të bukura, të hapura dhe me rivalitet sportiv, takime mbresëlënëse dhe emocionuese për sportdashësit.
Një e tillë është zhvilluar edhe fazën e parë në Kavajë, ku fierakët kanë zhvilluar një nga ndeshjet e tyre më të mira në këtë sezon, duke barazuar me meritë 0‑0, me një Besë atëherë në kulmin e formës së saj. Edhe këtë herë në Fier pritet që të ketë një dualitet të bukur mes këtyre skuadrave, të cilat do të jenë të dyja kërkuese drejt rezultatit maksimal. Besa nuk është nga ato ekipe që “turpërohet” të kërkojë fitoren në ndeshjet e transfertës dhe këtë nuk heziton ta bëjë edhe në “Loni Papuçiu”.
Por përballë do të jetë Apolonia, ekip që në shortet me skuadrat e forta, ka një ego karakteristike dhe nuk lëshon pe. Një takim nga më të rëndësishmit e javës XIX dhe që ia vlen për t’u ndjekur. Kavajasit vazhdojnë të kenë një skuadër mjaft të fortë, me elementë cilësorë, madje të përforcuar në radhët e tyre, ndaj nuk do të jetë e lehtë detyra e Apolonisë. Mesfushori fierak Agim Meto e vlerëson seriozisht të vështirë ndeshjen me kavajasit, megjithatë, kur vjen puna te parashikimi i rezultatit, ai nuk do në asnjë mënyrë që të hedhë dyshime te skuadra e tij. “Besa po zhvillon një nga kampionatet më të mira në vitet e fundit.
Ata kanë një skuadër të fortë dhe kompakte dhe luajnë pa frikë në çdo fushë. Me atë që kanë dhënë gjatë këtij sezoni, kavajasit kanë treguar se e meritojnë në mënyrë të padiskutueshme vendin e dytë. Nuk ka nevojë për komente të shumta dhe për diskutime, me Besën është një ndeshje shumë e vështirë për ne, ndonëse luajmë në fushën tonë.
Asgjë tjetër nuk mund të na japë rezultatin e dëshiruar, përveç lojës së kujdesshme dhe të organizuar mirë në çdo repart. Sigurisht, Apolonia luan vetëm për fitore në shtëpinë e saj dhe kjo nuk do shumë mend, por në ndeshje me skuadra të niveleve si Besa, kërkohet shumë përqendrim dhe motivim, elemente që nuk na mungojnë. Unë besoj se do t’i paraqesim në fushën e lojës në ditën e ndeshjes kundër kavajasve,” ‑ është shprehur mesfushori i Apolonisë, Agim Meto. Kavajasit kanë fituar me Skënderbeun dhe ndihen mirë moralisht e të motivuar për ndeshjen me fierakët, ndërsa bardhëjeshilët do të përpiqen që, veç faktorit fushë, të shfrytëzojnë edhe faktin që janë më të freskët fizikisht se kavajasit.
Magani, në Peqin me Memellin në ekip
Trajneri i Flamurtarit do të luajë ndaj ish-ekipit të tij, Shkumbinit, por do pikë
Ndërsa e gjithë vëmendja ka qenë natyrisht në vendimet e komisionit të disiplinës, vendime për të cilat klubi vlonjat tashmë është detyruar të luajë dy ndeshje pa tifozë, por edhe është dënuar sekretari Geri Çipi, sërish jashtë vëmendjes në opinion sportiv të qytetit të Vlorës ka mbetur situata në ekipin vlonjat. Kështu, në merkaton e dimrit, Flamurtari ka bërë ndoshta dhe afrimin më të bujshëm, kur bëhet fjalë për golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar, ish-sulmuesin e Tiranës, Migen Memelli. Një lojtar që ndoshta u jep fund përpjekjeve të Flamurtarit për të gjetur një lojtar që e njeh mjaft mirë portën dhe natyrisht afrimi i Memellit e ka zgjidhur këtë gjë.
Por natyrisht mbërritja e ish-sulmuesit të Tiranës pranë Flamurtarit ka surprizuar jo pak, duke parë faktin se tashmë vlonjatët mund të arrijnë natyrshëm tek objektivat e vendosura, por edhe për faktin se sulmuesi pogradecar kërkohej si jashtë Shqipërisë, ashtu dhe nga një numër i konsiderueshëm ekipesh të superligës, por duket se vlonjatët kanë bërë lëvizjen më të shpejtë dhe krejt në heshtje kanë afruar lojtarin në fjalë.
Memelli pritet të jetë tashmë në dispozicion të trajnerit Magani dhe ndoshta në formncionin vlonjat prej ndeshjes së kësaj fund jave, që Flamurtari do të luajë në transfertë me Shkumbinin, aty ku tashmë trajneri Magani do të luajë përballë të kaluarës së tij si futbollist, por edhe si drejtues. Natyrisht, edhe vendimet e komisionit të disiplinës nuk kanë kaluar pa u përfolur në opinionin sportiv të qytetit të Vlorës, ndërsa pritet tashmë nëse vlonjatët do të apelojnë apo jo rreth vendimeve të dhëna në dëm të tyre, kjo edhe për faktin se nga shumë sportdashës deklarohet se fusha e lojës nuk ka paraqitur asnjë problem gjatë ndeshjes me Besën, madje ajo u zhvillua normalisht, pa cënuar asnjë, si futbollistët kavajas, por edhe gjyqtarët e takimit.
Megjithatë, jashtë kësaj situate duket se kërkon ta mbajë ekipin vetë trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, ku tashmë kanë nisur normalisht seancat stërvitore për ndeshjen me Shkumbinin. Me fitoren e ditës së diel, Flamurtari është ngjitur tashmë në kuotën e 18 pikëve dhe natyrisht çdo ndeshje për ekipin vlonjat është mjaft e rëndësishme. Sipas Maganit, do të luhet natyrisht ndaj një kundërshtari cilësor, por Flamurtari luan për objektivat e veta.
“Ne shkojmë në Peqin me synimin për të arritur objektivin tonë për këtë ndeshje dhe besojmë se mund t’ia arrijmë. Për mua është një ndeshje e veçantë, pasi kthehem në qytetin tim dhe natyrisht ndaj ekipit kur kam luajtur për vite të tëra dhe kam qenë madje edhe trajner. Por tashmë jam te Flamurtari, ky është futbolli dhe natyrisht tashmë duhet të kërkoj më të mirën për këtë ekip,” ‑ ka thënë trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani.
Shameti, kapiteni që po udhëheq Kastriotin
Në ndeshjen me Skënderbeun, gjirokastriti Ylli Shameti mbajti për të parën herë shiritin e kapitenit. Nisur nga ky fakt përgjegjësia për të ka qenë më e madhe se të tjerët. Drejtuesit e skuadrës krutane ia dhanë këtë privilegj për vetë formën stabël që ai ka treguar, por edhe për natyrën e tij inkurajuese. Gjirokastriti, që ka të dytin sezon që mbron ngjyrat e skuadrës krutane, flet me tone pozitive për lojën e saj në Korçë, të cilën e konsideron mjaft të merituar: “Nuk duhet mohuar fakti se ndeshja ndaj korçarëve ishte mjaft e vështirë. Vetë pozicioni që kishin në renditje të dyja skuadrat i detyronte të jepnin gjithçka për marrjen e maksimumit të pikëve. Ne mundëm t’i përballonim me sukses vështirësitë e atij takimi, duke u kthyer me pikë të plota në Krujë.”
Në fakt, fitorja në transfertën korçare nuk është e para për skuadrën krutane. Marrja e tri pikëve në transfertën korçare, për kapitenin e krutanëve, shërben si argument bindës që skuadra e tij, ndonëse e formatuar 10 ditët e fundit, po jep shenja optimiste se në ndeshjet në vazhdim do të jetë akoma më mirë. “Me marrjen e fitores në Korçë, u dha sinjali i parë që skuadra, me gjithë ndryshimet e bëra kohet e fundit, ka forca të ecë akoma më shumë,” ‑ do të shprehej mes të tjerash kapiteni gjirokastrit i Kastriotit, Ylli Shameti, duke lënë të nënkuptojë se të njëjtin fat do të ketë këtë fundjavë edhe skuadra kolonjare.
Grboviç, një nisje e mbarë te Shkumbini
Sulmuesi boshnjak Altin Grboviç ka arritur të shënojë që në start, madje i sapofutur në lojë
Shkumbini i bëri një nisje të mirë pjesës së dytë të kampionatit, duke fituar ndeshjen e parë me Vllazninë e Shkodrës. Ka qenë goli i boshnjakut Altin Grboviç, i sapofutur në lojë, që ka rezultuar përcaktues në rezultatin përfundimtar 2-1 të ndeshjes së parë të vitit 2010.
Ashtu si një vit më parë, Vllaznia është detyruar të pranojë humbjen e shkaktuar edhe atëherë nga një tjetër boshnjak, mbrojtësi i qendrës Ahmed Mujdragiç. 23-vjeçarit Altin Grboviç iu deshën vetëm pak minuta lojë për të shënuar në rastin më të parë, që iu paraqit atë gol tripikësh, që pati edhe vlera për nga mënyra e realizimit, duke qenë në një pozicion të prirët me portën e “gardianit” të shkodranëve, Likës, edhe ky i fundit një nga debutuesit te kuqeblutë e Vllaznisë. Kësisoj, sulmuesi boshnjak, që ka të dhëna të mira, ka shënuar emrin e vet në listën e golashënuesve të kampionatit shqiptar, teksa është i vetëdijshëm se do të shënojë përsëri, madje shumë shpejt në takimin e nesërm me Flamurtarin në Peqin.
Grboviç, në prononcimin e tij të parë për “Sportin shqiptar”, tregon se është pritur ngrohtë te Shkumbini ku luajnë edhe dy bashkëatdhetarët e tij, Mujdragiç dhe Feruzoviç, me të cilët ka luajtur për dy sezone për ngjyrat e Novi-Pazarit. “Kam vetëm pak ditë në Peqin dhe e kam pasur të lehtë të përshtatem me lojën e ekipit edhe për atë se te Shkumbini gjeta shokun tim të fëmijërisë, Mujdragiçin, por edhe Feruzoviçin, me të cilët kam luajtur në sezonet 2006-2008 në Bosnjë me Novi-Pazarin. E vlerësoj fitoren e fundit me Vllazninë, ndërsa të dy ekipet luajtën fort dhe kërkonin tripikëshin, por Shkumbini shfrytëzoi më mirë rastet, që iu paraqitën dhe fitoi me meritë,” - thotë Grboviç, autor i golit të fitores në përballjen me Vllazninë.
Sulmuesi premton se do të japë më të mirën e tij për skuadrën po të aktivizohet më shumë. “Besoj se goli që shënova ndaj Vllaznisë do të pasohet nga të tjerë. Jam pak prapa në përgatitjen fizike, por shpejt do ta marr veten. Falënderoj drejtuesit e klubit, por edhe Ahmedin, sepse ishte dëshira e këtij të fundit që në verën e vitit të kaluar, që u realizua javët e fundit dhe premtoj gola të tjerë për Shkumbinin dhe sportdashësit peqinas,” - përfundoi sulmuesi 23-vjeçar Altin Grboviç, që erdhi te Shkumbini gjatë merkatos së dimrit.
Lena: Me Kastriotin, pikë me çdo kusht
Futbollistët kolonjarë, pasi kanë kaluar ditën e diel pranë familjeve të tyre, që nga dita e hënë kanë filluar përgatitjet për ndeshjen e vështirë që do të luajnë në transfertën e Krujës. Në kampin kolonjar takimi i kësaj jave me Kastriotin duket se është vlerësuar maksimalisht, pasi do të kërkohet një rezultat pozitiv. Megjithatë, kolonjarët janë të ndërgjegjshëm që nuk do ta kenë aspak të lehtë, pasi për ta krutanët kanë qenë gjithmonë një “kockë e fortë”, si në fazën e parë, ashtu dhe në sezonin e kaluar ku Kastrioti ka arritur të marrë pikë në Ersekë dhe fitore në fushën e tij. Për këtë, të gjithë në kampin kolonjar e kanë të qartë se ndeshja me Kastriotin është sa e vështirë, aq edhe e rëndësishme e jetike, për të vazhduar luftën e mbijetesës në kategorinë superiore.
Mesfushori Bledar Lena, në lidhje me takimin e radhës, u shpreh: “Kastrioti ka në përbërjen e vet lojtarë cilësorë dhe luan në fushën e vet për të forcuar pozitat në renditje. Ndaj Kastriotit do të luajmë një ndeshje të vështirë për sa i përket luftës së ashpër që është ndezur midis disa ekipeve për mbijetesë. Duhet me çdo kusht të marrim pikë, për të mos rrezikuar rënien në kategorinë e parë. Tashmë ne e dimë mirë detyrën tonë dhe se çfarë duhet të bëjmë për të siguruar qëndrimin në superiore. Shpresoj që po të japim maksimumin në fushë dhe të zhvillojmë një lojë të mirë, siç zhvilluam ndaj Apolonisë, rezultati pozitiv nuk do të mungojë.” Ndërkohë, një ofertë e majme ka ardhur në adresë të mesfushorit kosovar Shpëtim Babaj, i cili po e sudion këtë ofertë, edhe pse ka një kontratë me Gramozin. Do të ishte humbje e madhe, por gjithsesi mbetet për t’u parë në ditët në vijim.
Hodo: Tirana na jep vendin e tretë
Mesfushori i Teutës, Bledar Hodo, thotë se duhet bërë e pamundura për të thyer bardheblutë “Këtë javë synojmë të marrim tri pikë dhe të kalojmë në vendin e tretë.” Kështu shprehet mesfushori i Teutës, Bledar Hodo, i cili komenton duelin e vështirë të durrsakëve me Tiranën. Sipas Hodos, Teuta kërkon të marrë vendin e tretë dhe për këtë i duhen tri pikët ndaj rivalit direkt, Tiranës. “Pavarësisht problemeve që ndodhën në Tiranë, ekipi kundërshtar ka motivimin që të mos e lëshojë vendin e tretë, ndërsa ne luftojmë për të fituar. Unë mendoj se në “Niko Dovana” ne i kemi shanset maksimale për të bërë rokadën dhe të hipim në vendin e tretë. Do të jetë shumë e vëshirë, por po nuk e realizuam këtë gjë tani dhe në Durrës, do të jetë e vështirë ta bëjmë më pas, sepse nuk ka më kohë.
Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne nuk kemi rrugë tjetër, veç fitores, që do t’i bindë të gjithë për ambiciet e Teutës në këtë sezon,” - shprehet Hodo, i cili shton se kjo do të jetë një sfidë e vështirë për durrsakët, ku nuk duhet bërë asnjë gabim i vetëm që mund të ndëshkojë. “Ne kërkojmë që të arrijmë një fitore dhe besojmë se do të arrijmë te suksesi, pasi ekipi ynë është në një gjendje të mirë dhe mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari. Skuadra e Tiranës po vlerësohet maksimalisht nga ne, por diferencën në fushë do ta bëjë impenjimi. Nëse përqendrohemi maksimalisht, mundësitë janë që të jemi më pranë fitores. Deri tani është parë se ndeshjet në Durrës nuk janë asnjëherë të lehta, sepse kundërshtarët na lënë më pak hapësira. Nëse do të jemi kompaktë, ashtu siç jemi shfaqur në të gjitha ndeshjet në fushën tonë, jam i sigurt që gjithçka do të na shkojë mirë. Teuta sigurisht që ka shanse, sidomos në këtë kampionat, ku dallimet midis ekipeve nuk janë të mëdha, pavarësisht renditjes.
Ne luajmë mirë dhe kërkojmë një fitore në fushën tonë, ndërkohë që edhe Tirana, pas humbjes së fundit, kërkon tri pikët. Nisur nga kjo, kuptohet që ndeshja do të jetë shumë delikate. Një rezultat negativ do të ishte një zhgënjim i madh për të gjithë ne, ndërsa një rezultat pozitiv do ta bënte Teutën të pandalshme, pasi do të na shtohej besimi në këtë fillim viti. Kjo ndeshje është delikate edhe në planin psikologjik, sepse duhet të ruajmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Këtë kërkojmë të bëjmë, sidomos në fushën tonë, dhe unë mendoj se do t’ia arrijmë. E rëndësishme është që të shënojmë shpejt dhe të luajmë me shumë kujdes prapa, që të mos ndëshkohemi, pasi një gabim i vetëm u mjafton ekipeve të mira për të na goditur. Unë jam optimist për një rezultat pozitiv, që do të thotë tri pikë,” - përfundon mesfushori i Teutës, Bledar Hodo, i cili kërkon në këtë ndeshje edhe mbështetjen e tifozërisë durrsake, që sipas tij, është një mbështetje e madhe për ekipin durrsak në një ndeshje kaq të fortë e të rëndësishme.
Besa hap një “dritë”, dorëzohet Skënderbeu
Kavajasit, me fitoren e djeshme, i shkëputen tri pikë Tiranës, ndërsa korçarët fundosen keq
Skënderbeu ‑ Besa 0‑2
Shënues: Babamusta 35′, Xhafa 74′
Skënderbeu: Kosturanov, Doku, Lika, Çajku, Çipi, Xaka, Muça (Islami 68′), Mitre (Aliu 29′), Frashëri, Leskarovski, Çeka (Gjata 58′). Trajner: A.Marko.
Besa: Shehi, Traga (Cikalleshi 46′), Vrapi, Babamusta, Hasalla, Fagu, Dhëmbi (Shtini 75′), Poçi, Mihani (L.Vrapi 66′), Sinani, Xhafa. Trajner: Sh.Duro.
Gjyqtarë: L.Jemini, D.Rexha, R.Avdo (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Frashëri, Çeka, Muça
“Radiografia”
6′‑ Korçarët pretendojnë për një 11‑metërsh, pasi Frashëri është penguar brenda zonës, por gjithçka e rregullt për gjyqtarin Jemini.
11′‑ Doku për Skënderbeun ka rastin më të pastër për të shënuar. I vetëm përballë Shehit, paksa diagonal në krahun e djathtë, gjuan fuqishëm dhe portieri mik e zgjidh situatën me një grushtim.
13′‑ Goditje këndi për Besën. Pas krosit, topi endet në zonën korçare dhe është Sinani që gjuan 5 metra larg dhe vetëm traversa e shpëton Skënderbeun nga pësimi i goli të parë.
17′‑ Muça për korçarët gjuan në hyrje të zonës, por pret Shehi.
27′‑ Mihani, pas një krosi nga krahu i djathtë i sulmit, nuk arrin ta çojë topin në kuadratin e portës korçare.
35′‑ Pas një goditjeje dënimi, Vrapi e çon topin te Babamusta, që i vetëm përballë portierit Kosturanov, nuk e ka të vështirë të shënojë golin e avantazhit. 0-1 për Besën.
36′‑45′‑ Pas shënimit të golit dhe deri në minutën e fundit të kësaj pjese të parë, duhet thënë se loja ka qenë e qetë dhe pa raste për shënim.
49′‑ Eshtë Çajku për korçarët që kroson nga një goditje dënimi dhe Xaka i ndodhur pranë portës gjuan fuqishëm, por topi largohet në vijën fatale nga Vrapi.
50′‑ Sinani kundërpërgjigjet menjëherë me një gjuajtje të fortë, por grushton portieri korçar.
51′‑ Mihani për miqtë godet sërish traversën me një gjuajtje nga 20 metra, ndërkohë që Kosturanov vetëm sa e ka ndjekur topin me sy. 55′‑ Xhafaj del i vetëm diagonal me portën korçare, gjuan fuqishëm dhe topi përfundon ngjitur mbi traversën e portës vendëse.
58′‑ Muça dhe Frashëri për vendësit brenda një minutë për pak sa nuk rrezikojnë portën e Shehit, por në të dy raset topi përfundon jashtë kuadratit.
74′‑ Pas një topi të gjatë brenda zonës dhe pas një gabimi të mbrojtësit Aliu, Xhafaj përfiton, duke e dërguar topin lehtësisht në rrjetë. 0‑2 për Besën.
81′‑ Çipi për vendësit kërkon të shënojë golin e nderit, ku në hyrje të zonës e dërgon topin ngjitur me shtyllën e majtë të Shehit.
91′‑ Xhafaj për kavajasit ndodhet i vetëm përballë portës korçare dhe gjuajtjen e tij e grushton portieri Kosturanov.
Komenti
Besa ka marrë tri pikë me vlera dje në Korçë në ndeshjen e prapambetur që është zhvilluar mes Skënderbeut dhe Besës në stadiumin juglindor. Kavajasit, tashmë me këtë fitore e shohin veten katër pikë larg Tiranës së vendit të tretë, ndërkohë që Duro ka theksuar se tashmë po konsolidohet edhe më shumë vendi i dytë, ndërkohë që për Besën dje ka filluar edhe kampionati. Kavajasit, pasi kanë marrë atë që kanë dashur dje në Korçë, tashmë presin vendimin që do të marrë federata për humbjen e së dielës së kaluar 1‑0 në Vlorë. Për Skënderbeun, humbja e djeshme i ka vënë “kapakun” krizës korçare, duke konfirmuar tashmë se Skënderbeu është ekipi i parë pretendent për të dalë nga superliga. Dy humbje brenda katër ditësh për Skënderbeun e Andrea Markos, trajner i cili akoma s’e ka bërë “sefte”, qoftë edhe me një pikë në pankinën korçare.
Dy gola, dy traversa dhe tri pikë kanë mjaftuar që Besa të buzëqeshë në takimin e djeshëm dhe me të drejtë mund të themi se ka gjetur një Skënderbe që s’ka pasur fare lidhje me atë skuadër të 17 javëve të para të vitit 2009. Edhe pse korçarët në formacion kanë pasur edhe pesë lojtarë të tjerë që mungonin në ndeshjen me krutanët, nuk u kanë bërë aspak presion kavajasve, që kanë ditur më së miri të marrin një fitore vërtet me vlera. Thirrjet e tifozëve korçarë gjatë gjithë ndeshjes kundër drejtuesve të Skënderbeut flasin qartë se Skënderbeu po e pret para kohe “biletën” për në kategorin e parë. Për sa i përket kronikës së lojës, duhet thënë se 12 minutat e para kanë qenë të mira për korçarët, që kanë kryer më shumë volum loje dhe kanë rrezikuar dy herë portën e Shehit.
Kavajasit, me anë të Sinanit, do të trondisnin traversën korçare një minutë më vonë dhe kjo ka treguar qartë se Besa kishte mbërritur vetëm për tri pikë. Për të ardhur deri te minuta e 35‑të, minutë që do të vinte edhe goli i parë për Besën, ku pa dyshim që Babamusta, i ardhur nga mbrojtja, ka kaluar vendësit në avantazh dhe tashmë me këtë gol bie heshtja në stadiumin korçar, ndërkohë që sportdashësit e pranishëm, edhe pse të paktë në numër, pas këtij goli, janë marrë vetëm me ofendime drejtuar presidentit të tyre. Pjesa e parë nuk dhuron më shumë se kaq, ndërkohë që në pjesën e dytë, madje që në minutat e para, korçarët besojnë se mund të barazojnë dhe Xaka ka rastin më të pastër në minutën e 49‑të, por Vrapi e largon topin te vija fatale. Kaq për Skënderbeun, ndërkohë që miqtë kërkojnë të shënojnë edhe golin e sigurisë.
Sinani, Mihani dhe Xhafa kanë nga një rast tjetër për shënim, ndërkohë që trajneri i korçarëve, Marko, deri në minutën e 68‑të, kryen të tri ndërrimet, duke besuar të barazimi. Vetëm në minutën e 74‑t do të përfundonte shpresa korçare, pasi Xhafaj, një nga më të mirët në fushë në pjesën e dytë, do të shënonte edhe golin e dytë, falë një gabimi amator të korçarit Aliu. Pas shënimit të golit të dytë dhe deri në fund miqtë janë munduar të mbrojnë rezultatin, ndërkohë që edhe Skënderbeu është “pajtuar” me këtë humbje, e dyta radhazi në shtëpinë e vet.
Deklarojnë…
Andrea Marko, trajner i Skënderbeut: “Pas kësaj humbjeje mund të themi se jemi në një moment të vështirë në fundin e renditjes. Koha ishte e shkurtër për të kolauduar skuadrën dhe për pasojë kanë ardhur këto dy humbje njëra pas tjetrës. Kam shumë besim që do të shpëtojmë, por sigurisht që duhet të gjejmë një mënyrë që të dalim nga kjo gjendje. Ndryshe nga ndeshja me Kastriotin, luajtëm më mirë, por përsëri humbëm. Eshtë momenti që të reflektojmë.”
Shpëtim Duro, trajner i Besës: “Kampionati për ne ka filluar sot (dje) me këtë fitore ndaj Skënderbeut. E them këtë, pasi për ndeshjen e Vlorës ne presim një përgjigje. Dua të theksoj se sot ishte ndeshje e vëshirë, pavarësisht se Skënderbeu është në një gjendje jo fort të mirë. Me këtë fitore konsoliduam më shumë vendin e dytë, duke u shkëputur katër pikë nga Tirana. Sidoqoftë, duhet të jem realist, që është shumë e vështirë për të kapur Dinamon e vendit të parë, por ne do ta bëjmë detyrën tonë deri në fund. Më vjen keq për Skënderbeun që e pashë në këtë gjendje.”
Të veçanta
‑ Tifozët korçarë, dje në shenjë proteste ndaj drejtuesve të skuadrës, nuk kanë vendosur asnjë banderolë.
‑ Ish‑kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, dje ka qenë i pranishëm në tribunën qendrore, ndërkohë që pak më larg tij kanë qenë presidenti i Skënderbeut, Niko Peleshi, zv/presidenti Mindili dhe donatori Fejzulla.