I jepet lamtumira e fundit legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Panos. Në orët e mesditës arriti në Tiranë trupi i legjendës së futbollit, Panajot Panos, i cili u nda nga jeta me 19 janar në moshën 71 vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas mbërritjes në aeroport, arkivoli me trupin e legjendës së futbollit u vendos në hollin e “Pallatit të Kongreseve” ku u bënë homazhet zyrtare të qeverisë dhe shtetit, të afërmve dhe kolegëve të Panajot Panos. “Kam shumë dhimbje për ndarjen nga jeta të një talenti të rrallë dhe të një njeriu ekstremisht modest dhe përtej dhimbjes, isha me fat që në këtë jetë pata rast të shikoj talentin e rrallë të sportit shqiptar. Pra isha me fat që e kisha mik personal”, u shpreh presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Kryeministri Sali Berisha tha se këto janë momente prekëse pasi kombi po i jep lamtumirën një futbollisti të shquar. “Vërtet sot ai ndahet nga jeta, po lë një trashëgimi të jashtëzakonshme, një emër të nderuar për sot dhe të gjithë kohërat”, theksoi shefi i qeverisë.