Klubi kuqezi është i indinjuar me sjelljen dhe provokimet e Interit gjatë dhe pas derbit
Koha do t’i sistemojë gjërat, por asnjë nga ne nuk do ta harrojë asnjëherë arrogancën e këtyre orëve dhe ekzaltimin e tepruar nga kampi interist”. Fjalë zyrtarisht jo të thëna, as të shkruara nga kampi kuqezi, por të theksuara nga shtypi italian për “të fotografuar” gjendjen shpirtërore të klubit të Milanit, i zemëruar me Interin për çështjet e ndodhura gjatë dhe pas derbit. Një drejtues kuqezi që qëndron anonim denoncon “një gjendje frike në tribunën e nderit”.
Një ekzaltim i tepruar në një derbi i cilësuar po “i tepruar”, duke kaluar çdo kufi, i pakonceptueshëm, sipas skuadrës kuqezi, duke konsideruar marrëdhëniet e mira të ruajtura kohët e fundit mes dy klubeve dhe krerëve respektivë, të paktën deri në çështjen e kalendarëve të kupës, ku Milani vazhdon të këmbëngulë mbi vizionin e tij të gjërave: “Ka pasur një sërë kontestimesh para derbit, - ka shpjeguar disa herë zv.presidenti milanist Adriano Galiani. - Shtyrja e ndeshjes Fiorentina-Milan është vendosur në mënyrë të pavarur nga Liga Italiane e Futbollit për të shpëtuar Kupën e Italisë nga nënvlerësimi që mund t’i bëhej nga ana e tifozëve”.
Shumë inat edhe për fjalët pas derbit, ato të “erërave” të ndryshme, të të ashtuquajturit “komplot” nga ana e administratorit të deleguar zikaltër Ernesto Paolilo (por i mohuar nga presidenti Morati), i provokimeve të Hoze Mourinjos kundër gjithçkaje dhe të gjithëve. Kësisoj, selia e rrugës “Turati” në Milano është shumë e shqetësuar në këtë kuptim para së gjithash me Masimo Moratin, i cilësuar si përgjegjësi kryesor i një qëndrimi të rrezikshëm përballë pozicionit dhe politikës interiste.
Madje, i pyetur mbi heshtjen kolektive, por veçanërisht të drejtuesve të klubit kuqezi, numri një i Interit, u tregua sa i prerë dhe i qartë: “Pse hesht Milani? Është e drejtë e tyre të mos flasin, por para së gjithash është normale pas një humbjeje të tillë në derbi. Nuk shoh ndonjë gjë alarmante në këtë rast, çdo skuadër mund të sillej në këtë mënyrë pas një humbjeje”. Morali: këtë herë nuk është një keqkuptim, është një grindje serioze, ku mund të vijë me shpërthime të tjera qoftë edhe me një provokim të vogël nga të dyja palët. Ama me pasoja të hidhura dhe serioze mbi vijimësinë e atmosferës së kampionatit dhe në Ligë. Shumë më keq se një derbi i humbur.