25 janar 2010

Fergusoni, tifozëve: Mos mendoni për borxhet!

Trajneri i “djajve”: Disa tifozë merren më shumë me ekonomi, sesa mbështesin skuadrën dhe Runin

Sër Aleks Ferguson u ka kërkuar tifozëve të Mançester Junajtid që të lënë mënjanë zemërimin që kanë me pronarët e klubit dhe ta mbështesin skuadrën në garën për titullin kampion. Para fitores 4-0 kundër Hull Sitit, ku Uejn Runi ishte fenomenal me katër gola, Fergusoni ka përdorur elokuencën e tij për të apeluar që tifozët të lënë fushatën kundër familjes Glejzër dhe të përqendrohen te skuadra.

“Familja e Mançester Junajtid është nën presion si rezultat i çështjeve, që lidhen me pronësinë dhe situatën financiare të klubit”, ka thënë Fergusoni. “Disa prej tifozëve tanë janë të pakënaqur nga gjendja jonë financiare, por nuk duhet të lejojmë që kundërshtarët tanë të fërkojnë duart nga qejfi kur mendojnë se ne do të biem nga këtu ku jemi. Duhet të jemi të kujdesshëm për atë se çfarë bëjmë. Tifozët duhet të mbështesin ekipin dhe Runin dhe jo të krijojnë atmosferë të tensionuar.” Gjatë ndeshjes së fituar kundër Hullit, që e çoi Junajtid në vend të parë për herë të parë në tre muajt e fundit, tgrupe ifozëtsh kanë hedhur parrulla kundër familjes Glejzër, edhe pse Fergusoni ka thënë që lojtarët e tij nuk i kanë problem koret kundërshtuese.

“Nuk mendoj se reagimi ishte kundër lojtarëve, që t’i prekte ata. Në vend të kësaj, Ferguson është fokusuar te loja e Runit, i cili e çoi në 20 numrin e golave këtë sezon, tre më pak se rekordi i tij. “Golat e Runit ishin gjëja më e bukur e ndeshjes. Eshtë hera e parë që ai shënon katër gola për ne në një ndeshje dhe është i pari që shënon kaq gola pas Ole Gunar Solskjaerit disa vite më parë. Ishte diçka e bukur. Ai është në formë të shkëlqyer. Mendoj se do të jetë edhe më i mirë gjatë sezonit, jam i sigurt. Ai është në formë të mirë dhe ky është një inkurajim për të. Ai ka treguar me këta gola se ka përvetësuar disa aftësi për të finalizuar saktë.” Fergusoni ka pohuar se është i kënaqur edhe me kthimin në fushë të mbrojtësit të Anglisë dhe Junajtid, Rio Ferdinand.

Ai tha: “Mendoj se mbrojtja jonë u duk e fortë gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes. Prania e Rios është domethënëse, veçohet.” Junajtid tani kryeson Premier Ligën për herë të parë pas tre muajsh, duke u gjendur në pozicionin që Fergusoni do të donte të ishte në fillim të garës. “Diferenca e golave mund të jetë e rëndësishme, ashtu siç është e rëndësishme prania jonë në krye tani. E di që kundërshtarët kanë ndeshje mangët, por ata duhet t’i fitojnë ato ndeshje. Në janar është më së miri të jesh në krye”, ka shtuar ai.

Trajneri i Hullit, Fil Braun, ka lavdëruar gjithashtu lojën e Runit duke thënë: “Kur ke lojtarë si Uejn Runi kundër skuadrës tënde, nuk ndihesh i demoralizuar rëndë nga ai rezultat. Edhe ne patëm raste, por nuk i shfrytëzuam, kurse ai po. Duke u nisur nga puna e tij e madhe, ai i vë mbrojtësit nën presion të jashtëzakonshëm dhe i bën të gabojnë. Kjo është difereca mes dy skuadrave; ne nuk kishim mentalitetin kolektiv dhe besimin që patëm javën që shkoi kundër Totenhemit. Doja të thosha se Uejn Runi është më i mirë në Evropë për momentin, pas asaj që pashë në fushë. Shpresoj shumë për Anglinë”, ka thënë Braun.