Galiani bllokon Huntelarin: Nuk shitet!
Drejtuesi kuqezi flet për dy humbjet e pësuara nga Milani në katër ditë: Shpresojmë të ringrihemi shpejt
Humbja e pësuar kundër Udinezes dhe eliminimi në Kupën e Italisë i ka lënë sërish një shije të hidhur administratorit të deleguar kuqezi, Adriano Galiani. “Humbjet janë gjithmonë zhgënjyese, - ka thënë numri dy i “Djallit”. - Vinim nga një moment shumë i mirë, kishim një kohë të gjatë që merrnim vetëm rezultate pozitive. Kemi kaluar dy ose tre ditë të vështira, shpresoj që të kenë përfunduar dhe që të ringrihemi në ndeshjen e radhës”.
“Por, - ka paralajmëruar Galiani, - nuk është rasti të dramatizojmë dy humbjet e pësuara. Kujtoj se Milani në fundin e pjesës së parë kundër Romës ka qenë në vendin e 14-të në renditje, ndërsa tani është në vendin e dytë në kampionat. Më pas, dihet që duhen fituar të gjitha ndeshjet”. Edhe për të mbajtur larg Romën që po afrohet në mënyrë konstante. “Secili duhet të bëjë detyrën e tij, - ka pohuar Galiani. - Jam i kënaqur për Rosela Sensin që po korr frytet pas një momenti të vështirë”.
Përsa i përket Milanit, duhet të rikthehet menjëherë tek fitorja, duke filluar që nga e diela e ardhshme kundër Livornos. Ku do të mungojë sërish Pato (”Ka mbërritur në Milano sot (dje) në mëngjes, ndihet shumë më mirë. Sot (dje) do të vizitohet nga stafi ynë mjekësor”) dhe, me 99% as Huntelari që, si të gjithë lojtarët rezervë që kërkojnë një vend në formacionin titullar, nuk ka ditur ta shfrytëzojë rastin në ndeshjen e Kupës së Italisë. “Huntelar, - ka thënë Galiani, - duhet të jetë i qetë sepse Milani nuk do ta shesë. Unë e kam thënë gjithmonë këtë, por askush nuk më beson”.
Ndërkohë trajneri Leonardo ka pranuar humbjen me Udinezen, edhe pse nuk e ka fshehur hidhërimin. “Ka qenë një ndeshje e barabartë, edhe pse kemi patur pak vështirësi kur ata kundërsulmonin. Në pjesën e dytë ritmi ynë ka qenë më i ulët dhe më pas kemi pësuar një gol që ka kompromentuar ndeshjen”, ka thënë trajneri i Milanit. Faji i derbit?
“Nuk besoj, sepse kemi një pjekuri të mjaftueshme për të menaxhuar situata të tilla. Kupa e Italisë është një kompeticion i ndryshëm. Ne nuk kemi rritur ritmin, por as Udineze”. Nota e vetme pozitive ka qenë rikthimi i Abiatit, ndërsa Huntelar dhe Inzagi kanë qenë zhgënjyes. “Paraqitja e Abiatit ka qenë shumë pozitive. Në lidhje me sulmin, kemi patur shumë vështirësi për të gjetur zgjidhjet e duhura”, ka përfunduar Leonardo.
Merkato kuqezi Kabamba, afrikani i ri i Milanit
Klubi kuqezi ka siguruar kartonin e një 16-vjeçari afrikan. Bëhet fjalë për Elis Steven Kabamba, blerja e të cilit është zyrtarizuar dje. Lojtari është marrë nga klubi zviceran i Luganos. Kabamba, që shumë shpejt do t’i bashkohet të rinjve të Milanit, për të shpresuar më pas në një grumbullim me ekipin e parë, është lojtari i tretë afrikan i marrë nga kuqezinjtë në pak muaj pas blerjeve të Adia dhe Hotor.
Lacio-Udineze Roki-D’Agostino, hipotezohet këmbimi
Lajmi më i interesant i merkatos ka të bëjë me një shkëmbim huazimi midis D’Agostinos dhe Rokit, Eshtë një ide që pëlqehet nga të dy lojtarët. Por, Roki, do të donte të largohej përfundimisht nga bardhekaltrit. Ndërkohë, është rishfaqur emri i brazilianit Ederson (Lion), fiksim i vjetër i Lotitos. Por në fillim Lacio duhet të lirojë një vend për jokomunitarë, pra duhet të shesë Makinuan, që ka kërkesa nga Anglia.
Del Neri e lë jashtë, Kasano shkon në “San Remo”
Çështja Kasano mund të arkivohet shumë shpejt në shtëpinë e Sampdorias. Sulmuesit barez sigurisht nuk i ka pëlqyer përjashtimi për zgjedhje teknike në ndeshjen e fundjavës së kaluar kundër Udinezes në kampionat, por përplasja e ashpër, që pritej të ndodhte me Del Nerin, nuk ka ardhur.
Vendimi i trajnerit ka qenë vetëm i një natyre taktike, nuk ka patur lidhje me një mosmarrëveshje me fantazistin italian, siç kanë thënë disa. Ndërkohë, problemi muskular që ka goditur Kasanon, që do ta detyrojë sulmuesin të qëndrojë larg fushave për një javë, ia ka bërë më të lehtë detyrën trajnerit të Sampdorias, i cili tashmë nuk do të ketë nevojë të japë shpjegime të shumta për faktin se nuk do ta grumbullojë lojtarin as në ndeshjen e radhës në kampionat. Gjithsesi, gjatë kësaj jave pushim sulmuesi barez mund të sqarohet me teknikun Del Neri, i cili po ndihmohet edhe nga kontributi i rëndësishëm diplomatik i kapitenit Palombo.
Mbetet një siguri: ndryshe nga raste të tjera të së kaluarës, Antonio e ka pranuar me qetësi përjashtimin nga skuadra në ndeshjen me Udinezen. Proçesi i pjekurisë po bën përparime dhe duket se lojtari ka shumë dëshirë të rigjejë formën e shkëlqyer që ka patur në fillim të sezonit.
Ndërkohë, fama e tij nuk njeh kufinj: në fakt, duket se drejtuesja italiane Antonela Kleriçi e ka kontaktuar Kasanon për të marrë pjesë si i ftuar nderi në natën e parë të Festivalit të San Remos, që do të fillojë në muajin shkurt.
Sulmuesi brazilian premton rikthimin në Champions Pato: Do të jem gati për Mançesterin
Ish-ylli i Internacionalit të Porto Alegres, Aleksandre Pato, ka zbarkuar dje në Malpensa dhe menjëherë ka nxituar të sigurojë tifozët në lidhje me gjendjen e tij fizike, pasi 2010-ta e tij ka filluar me një dëmtim muskular, që faktikisht e ka penguar lojtarin të luajë kundër Juventusit dhe në ndeshjet pasuese, duke përfshirë derbin dhe Kupën e Italisë. “Ndihem mirë dhe jam i sigurt se do të jem gati për Mançester Junajtid në Champions Ligë, - ka thënë Pato.
- E kam ndjekur derbin në televizor, kemi humbur, por kampionati nuk është mbyllur, mungojnë akoma shumë ndeshje”. Kështu, Pato nuk beson se humbja me Interin do të jetë vendimtare për kampionatin dhe ka hedhur kandidaturën për një vend në formacionin titullar të Milanit me rastin e përballjes së Championsit kundër Mançesterit. Klubi kuqezi i ka dhënë leje sulmuesit të kthehet në vendin e tij me shpresën që koha e rekuperimit nga dëmtimi muskular të përshpejtohej dhe duket se ky ka qenë vendimi i duhur.
Sulmuesi i Fiorentinës rrezikon 4 vjet pezullim Doping, Mutu pozitiv pas kontrollit
Ka ardhur një lajm i keq për skuadrën e Fiorentinës. Futbollisti Adrian Mutu ka rezultuar pozitiv ndaj sibutraminës, një stimulues që eleminon efektin e urisë, në një test të komisionit antidoping që është zhvilluar më 10 janar në përfundim të ndeshjes së Serisë A midis Fiorentinës dhe Barit. Takimi është mbyllur 2-1 për formacionin vjollcë dhe sulmuesi rumun ka realizuar një gol. Kështu, Mutu ka gabuar sërish (është skualifikuar për 7 muaj për përdorim kokaine kur luante në Angli me Çelsin), dhe tani rrezikon një skualifikim nga 1 deri në 4 vite.
Rumuni është njoftuar për këtë lajm dje gjatë seancës stërvitore nga menaxheri i skuadrës Roberto Ripa. Mutu ka braktisuar fushën duke ndërprerë stërvitjen dhe më pas i është drejtuar dhomave të zhveshjes. Lajmi i ka shkuar edhe drejtorit sportiv të klubit vjollcë, Pantaleo Korvino, i cili aktualisht ndodhet në Milano për ditët e fundit të merkatos.
Roma, De Rosi tani është edhe golashënues
Mesfushori verdhekuq në një version “Botëror”. Lufton, vrapon, por ka nisur edhe të shënojë
Daniele De Rosi, pikërisht në vitin, që do ta çojë drejt Botërorit të tij të dytë, po kalon një moment të madh forme. Dhjetë ditë më parë është zgjedhur nga Shoqata e Futbollistëve të Italisë si lojtari më i mirë italian i 2009-ës (në 2006-ën është vlerësuar si i riu më i mirë) dhe në mungesë të kapiten Totit është gjithnjë dhe më shumë lideri i Romës së Klaudio Ranierit.
Kapiteni i së ardhmes do ta mbajë shiritin edhe në ndeshjen e “Olimpiko”-s që do të luhet të dielën e ardhshme kundër Sienës, duke parë se kapiteni i së tashmes, Toti, ka akoma disa probleme fizike. Marçelo Lipi (i cili e ka përcaktuar lojtarin verdhekuq si një prej 5 mesfushorëve më të mirë të botës), do të jetë duke fërkuar sytë për paraqitjet mbresëlënëse të De Rosit. Me golin që i ka lejuar Romës të mposhtë Katanian në çerekfinalen e Kupës së Italisë ka arritur në kuotën e 8 golave në 26 ndeshje sezonale, një mesatare e denjë për një sulmues. Mesfushori roman, tashmë ka thyer rekordin personal për numrin e golave të realizuar në një sezon (maksimumi 6 gola, shifër e arritur tre vjet radhazi 2005/2008) dhe nuk është një rastësi që Reali i Madridit të ketë shprehur më shumë se një herë dëshirën për ta marrë lojtarin në “Bernabeu”.
Daniele, për momentin, nuk ka ndërmend të braktisë fanellën verdhekuqe, edhe pse me trajnerin e ri Ranieri ndihet shumë mirë. Luan në një pozicion më të avancuar në krahasim me “epokën” e Spaletit dhe ky aspekt taktik e lejon atë të jetë më i rrezikshëm në zonën e golit, duke shfrytëzuar dy armë vdekjeprurëse, që zotëron në repertorin e tij të pasur: goditjen me kokë dhe gjuajtjen nga jashtë zonës. Me këto premisa, kuptohet lehtë siguria me të cilën Rosela Sensi i është përgjigjur zërave, që flasin për një sulm tjetër të Realit të Madridit: “Ranieri duhet të qëndrojë i qetë, Daniele nuk do të lëvizë”. Ndërkohë, Roma do të marrë Simplision.
Eshtë e kotë të thuhet se të kesh De Rosin si shok skuadre është një gjë pozitive për të gjithë. Kështu duhet të jetë edhe për Simplision, i cili vitin e ardhshëm do të luajë me verdhekuqtë, siç ka bërë të ditur ditën e mërkurë drejtori sportiv i Palermos, Sabatini. Por ka edhe një tregues tjetër për popullaritetin e De Rosit: janë të ndryshme firmat që e kërkojnë për t’i bërë reklamë produkteve të tyre. Daniele ka zgjedhur dy që njihen në të gjithë botën. Në një nga këto do të ketë shokë aventure lojtarë si Henri, Torres dhe Ouen.
Në fund, mjafton edhe kjo për të kuptuar se qëndron midis të mëdhenjve.
Kapiteni verdhekuq polemizon për “vonesën” pak para hyrjes në fushë në Juventus-Roma
Toti ankohet për shtypin: Të informohet mirë
Ka qenë minuta e dytë e ndeshjes Juventus-Roma që u zhvillua të shtunën e kaluar, kur Luka Toni ka prekur pulpën ku ndiente dhembje.
Për të ndeshja ka qenë e mbyllur e në vendin e tij është aktivizuar Françesko Toti. Kapitenit verdhekuq i janë dashur disa minuta para se të ishte gati për t’u futur në fushë, dhe një komentator italian e ka cilësuar, gjatë kronikës “një qëndrim pak profesional. Në stol duhet të jesh gjithmonë gati për të zëvendësuar lojtarin, që mund të dëmtohet gjatë takimit”. Mesa duket Toti nuk e ka harruar këtë koment, duke parë se dje ka replikuar pa përmendur emra: “Komentatorët televizivë kanë ndezur një polemikë të kotë në lidhje me vonesën time për t’u futur në fushën e lojës dhe për faktin se nuk kam zhvilluar nxemjen me skuadrën para ndeshjes.
Janë keqinformuar, sepse para ndeshjes kam qenë i detyruar t’i nënshtrohem një seance fizioterapie, që mund të bëhej vetëm para ndeshjes. Për këtë kanë qenë në dijeni vetëm stafi mjeksor, shokët e skuadrës dhe trajneri. Kur Ranieri më ka thirrur, - ka shpjeguar Toti, - më është dashur pak kohë sepse isha veshur trashë për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe nuk mendoja se do të aktivizohesha që në fillim. Nuk kuptoj pse duhet t’i japin informacione të pasakta miliona spektatorëve pa u informuar mirë në lidhje me një situatë të caktuar…”.
Sulmuesi i Romës Toni optimist: Riaftësimi po ecën mirë
“Për fat të keq dëmtimi nuk më ka lejuar të luaj ndeshjen kundër Juventusit. Por dëmtimi në gju po rekuperohet dhe shpejt do të jem sërish në fushën e lojës për të ndihmuar ekipin tim dhe për të ndier mbështetjen e madhe të tifozerisë së Romës. Doja të falënderoja klubin për faktin se më ka dhënë këtë mundësi dhe pres me padurim të luaj ndeshjet e ardhshme”. Luka Toni ka qenë shumë i mërzitur për dëmtimin e pësuar në “Olimpiko” të Torinos sa ka harruar se ndeshja midis bardhezinjve dhe verdhekuqve është zhvilluar të shtunën në mbrëmje dhe jo të dielën.
Ish-sulmuesi i Palermos, i Fiorentinës dhe i Bajernit, që kaloi tek Roma gjatë merkatos së janarit, ka shënuar deri tani dy gola në kampionat kundër Xhenoas në “Olimpiko” të Romës. Toni, që midis objektivave të sezonit ka edhe atë për të marrë pjesë në Botërorin e Afrikës së Jugut, duhet të qëndrojë larg fushave të lojës një muaj.
Presidenti i Palermos Zamparini nuk heq dorë nga Simplisio
Mauricio Zamparini nuk është dorëzuar akoma para idesë për të humbur Fabio Simplision dhe duke folur për këtë çështje delikate të merkatos nuk i ka kursyer disa thumbime drejtuesve verdhekuq. “Mund të nënshkruajë për Romën vetëm nga 1 shkurti. Nëse më pas ka patur kontakte më parë me këtë çështje duhet të merret federata. Por nuk do të ndodhë asgjë, klubi verdhekuq pëlqehet shumë nga të gjithë…”, ka thënë numri një i Palermos.
Zamparini më pas i ka hedhur ujë zjarrit në lidhje me polemikat për gabimet e arbitrave dhe për shtyrjen e ndeshjeve që janë ngritur nga Interi: “Janë gjëra të ndërtuara enkas nga ju gazetarët, por mos shkruani se unë jam i zemëruar, a ju dukem i zemëruar?”, ka thënë ai duke qeshur. Kjo batutë e fundit ka ardhur pikërisht pak ditë më vonë nga komunikata për shtyp, të cilën e ka publikuar ai vetë, ku ankohej për vendimet e gjyqtarëve.
Tekniku verdhekuq Ranieri: Trajner i Italisë? Nëse më thërrasin…
Klaudio Ranieri, pasardhës i Marçelo Lipit në drejtim të kombëtares së Italisë pas Botërorit të Afrikës së Jugut. Një hipotezë stimuluese që nuk ka lënë indiferent as trajnerin që po udhëheq Romën: “Kombëtarja? Trajnerët janë gjithmonë të fundit që i marrin vesh gjërat, ashtu si bashkëshortët, - ka qeshur Ranieri. - Për momentin nuk mendoj për këtë. Nëse do të jetë rasti, do të flasim unë, Roma dhe federata. Por, për momentin, nuk ka asgjë”.
Në lidhje me Romën. Shqetëson gjendja e Totit, që pas ndeshjes me Juventusin ka patur disa shqetësime fizike që mund ta detyrojnë të mungojë në takimin e ardhshëm në kampionat kundër Sienës: “Shpresoj që këto ditë të zhvillojë të paktën një stërvitje të veçuar, pasi edhe ky do të ishte një lajm i mirë. Megjithatë, unë shpresoj ta kem në dispozicion për ndeshjen e së dielës”, ka përfunduar Ranieri.