29 janar 2010

GRANDEJUVE: Ju sjell permbledhjen e Lajmeve nga Kategoria Superiore e Shqiperis

Shkumbini mund 2-1 Flamurtarin dhe Maganin në prologun e javës së 19-të

Java e 19-të e superligës ka startuar sot, të premten, me ndeshjen Shkumbini-Flamurtari, e luajtur në Peqin, e fituar nga vendasit me rezultatin 2-1. Një dygolësh i Caushajt, realizuar të dy me penallti, ka shtuar edhe 3 pikë të tjera të cmuara në “llogarinë” e skuadrës së drejtuar nga Përparim Daiu. Kjo fitore e peqinasve është arritur ndaj skuadrës vlonjate, që drejtohet nga ish-kapiteni dhe trajneri i Shkumbinit, Gugash Magani. Ka qenë minuta e 15-të e ndeshjes, kur Caushaj ka prishur bardhësinë e fillimit të lojës, pas ekzekutimit të një penalltie. U duk se kjo do t’i demoralizonte miqtë vlonjatë, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Reagimi i tyre ka qenë i menjëhershëm dhe i plotë, derisa kanë barazuar pas dhjetë minutash rezultatin, 1-1, me anë të Franc Veliut. Ky rezultat ka qenë përmbyllës për pjesën e parë, ndërkohë që fraksioni i dytë i lojës ka hedhur një fushë Shkumbinin me mendje të mbledhur. Manovra sulmuese e vendasve është e madhe, ndërkohë që vlonjatët i kushtojnë më shumë vëmendje prapavijës së tyre, duke aplikuar kundërsulmin, në majë të të cilit debutoi Migen Memelli. Por, një tjetër penallti, e kthyer në gol sërish nga Caushaj, që edicionin e shkuar bënte pjesë në radhët e kuqezinjve të Vlorës, ka vendosur fatin e ndeshjes. Pikërisht në minutën e 55-të. Rekord më vete mund të konsiderohet dhënia e 3 penalltive nga ndërkombëtari Sokol Jareci, që gjykonte këtë ndeshje, por njëra prej tyre është humbur nga miqtë. Në këtë mënyrë, Shkumbini fiton ndeshjen dhe ndihet komod në klasifikim, ndërsa Flamurtari e thellon edhe më tej pozicionin e tij në fund. Kujtojmë këtu se i janë hequr 3 pikët e asaj fitoreje shumë të diskutueshme, një javë më parë, me Besën në Vlorë dhe ndeshja në fjalë do të riluhet më 3 shkurt.
Ndërkohë, në kuadrin e javës së 19-të të superligës, nesër, të shtunën do të luhen edhe tri ndeshje të tjera, ndërsa të dielën dy ndeshje. Kështu, të shtunën, Teuta do të presë në shtëpi Tiranën, Kastrioti do të presë Gramozin, ndërsa Dinamo do të ketë mysafir Skënderbeun. Një ditë më pas, të dielën, Apolonia do të luajë në Fier me Besën, ndërsa Vllaznia prêt në Shkodër Lacin. Nga sa shihet, priten ndeshje mjaft interesante, ku më e favorizuara, pasi ka një kundërshtar të lehtë dhe me probleme të shumta, duket Dinamo kryesuese. Tirana dhe Besa, që ndjekin dinamovitët, kanë transferta të vështira, sepse qoftë Teuta, qoftë Apolonia, nuk falin kollaj në shtëpi, por kanë edhe ato ambiciet e tyre për zonën europiane, afër së cilës janë. Vllaznisë i duhet të fitojë patjetër, në shtëpi, por duhet të kalojë Lacin, të shkuarën e afërt të trajnerit Edi Martini. Një duel që anon më shumë të fitohet nga kuqeblutë, por kurbinasit kanë treguar në këtë sezon, ashtu si edhe në ndeshjen e fundvitit 2009 ndaj Dinamos në Tiranë, se nuk dorëzohen kollaj. Ndaj, 90-minutëshi i “Loro Boricit” mban këdo në ankth dhe emocione, sidomos të dyja tifozëritë respektive. Besa, që ua bën hyzmetin edhe 3 pikëve të ndeshjes që do të përsëritet me Flamurtarin më 3 shkurt, do të udhëtojë drejt Fierit për të mos bërë më asnjë hap fals. Pra, për t’i fituar të tria pikët, me qëllim që të mos i ndahet Dinamos, të vijojë luftën për titullin kampion. Kuptohet, nuk do të jetë e kësaj mendjeje Apolonia, që para tifozëve të vet ka vetëm një rrugë, fitoren.
Në mënyrë telegrafike, ja edhe pasqyra e plotë e javës së 19-të të superligës:

KATEGORIA SUPERIORE JAVA 19

29.01.2010

SHKUMBINI - FLAMURTARI 2-1

30.01.2010

TEUTA - TIRANA
KASTRIOTI - GRAMOZI
DINAMO - SKENDERBEU

31.01.2010

APOLONIA - BESA
VLLAZNIA - LACI

Tirana, nga “ferri” kërkon “parajsën”

Bardheblutë presin uljen e dënimeve nga Apeli dhe janë përqendruar te sfida me durrsakët
Pasi kanë humbur në ndeshjen me Dinamon, që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë për nga mënyra se si rrodhën ngjarjet në stadiumin “Qemal Stafa”, stafi dhe lojtarët e skuadrës së Tiranës kanë filluar të mendojnë për ndeshjen e radhës.
Kalendari i ka vënë përballë skuadrën e Teutës së Durrësit, ndërkohë që kjo përballje po vlerësohet shumë nga bardheblutë, që edhe pse “të copëtuar” dhe pa shërbimet e tre titullarëve, Muka, Nallbani dhe Bici, do të shkojnë në Durrës me synim për të fituar ndeshjen. Kanë kaluar 4 ditë nga sfida me blutë dhe ajo është harruar tashmë, edhe pse drejtuesit bardheblu shumë shpejt do t’i apelojnë vendimet e komisionit të disiplinës.
Në prag të ndeshje me Teutën, 24 herë kampionët janë optimistë se do ta kalojnë me sukses këtë transfertë, nisur edhe nga forma mjaft e mirë që po kalojnë lojtarët titullarë gjatë këtyre ditëve. Trajneri Alban Tafaj, edhe pse i dënuar, e ka stërvitur këto ditë skuadrën njësoj si para ndeshjes me Dinamon dhe me të njëjtin ritëm. Madje ai është optimist dhe beson se në Durrës ekipi që ai drejton, edhe pse pa tre lojtarë mjaft të rëndësishëm, do të kërkojë të marrë maksimumin.
Formacioni: Ndryshe, nga sfida me Dinamon, ku bardheblutë dhe trajneri Tafaj aplikuan një skemë 4-3-2-1, kësaj radhe ata do të luajnë me klasiken 4-4-2. Nga ajo që është parë dje në ndeshjen e kontrollit, vendin e Nallbanit e ka zënë maqedonasi Korunovski, i cili nuk ka bindur me paraqitjen e tij në derbin me Dinamon.
Në mbrojtje, nga krahët do të luajnë A.Lila dhe nigeriani Abraham dhe në qendër Osmani, në mungesë të Bicit të ndëshkuar me të kuqe, do të ketë në krah Pashajn, edhe ky një lojtar që këtë sezon ka treguar një nivel mjaft të mirë i provuar në qendër të mbrojtjes dhe si shkatërrues. Në mesin e fushës, Muzaka dhe Ahmataj nga krahët dhe në qendër Devolli e Sefa. Sulmi nesër do t’i besohet dyshes Abilaliaj-Plaku, që në seancën e djeshme kanë treguar një nivel mjaft të mirë dhe janë ambientuar mirë me njëri-tjetrin. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndonjë surprizë të minutave të fundit, por kjo mbetet për t’u verifikuar në sfidën e nesërme.

Klubi përgatit materialin për të apeluar

Ashtu siç u tha në asamblenë e jashtëzakonshme që u zhvillua dy ditë më parë nga KF “Tirana”, pritet që shumë shpejt të bëhet kërkesa për apelimin e dënimeve që ka dhënë komisioni i disiplinës për drejtuesit, lojtarët dhe klubin e Tiranës, pas incidenteve të ndodhura në derbi. Enkas me këtë punë po merret shefi i klubit të Tiranës, Rauf Dimraj, i cili dje ka bërë të ditur se është duke e përpiluar materialin dhe do ta dërgojë këto ditë pranë komisionit të apelit, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.

KF “Tirana” nderon legjendën Pano

Dje në mesditë, gjatë zhvillimit të homazheve në nderim të legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, në Pallatin e Kongreseve, zemra e të cilit pushoi së rrahuri pak ditë më parë në Amerikë, nuk mungoi edhe klubi i Tiranës. Duke filluar që nga drejtuesit më të lartë të klubit, triada drejtuese, Tafaj-Dede-A.Nalbani, kanë qenë edhe të gjithë lojtarët bardheblu, pa përjashtim, por edhe mjaft figura të klubit ndër vite, miq dhe shokë të të ndjerit Panajot Pano.
- Në seancën e djeshme, që është zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, kanë munguar kapiteni Devi Muka dhe portieri Nallbani, që nuk do të jenë ndaj Teutës.
- Seanca e sotme stërvitore, e fundit në prag të sfidës me Teutën, do të zhvillohet në kompleksin sportiv “Skënder Halili”, në orën 11:00.
- Pasdite bardheblutë do të grumbullohen në orën 19:00 në klub, për t’u nisur drejt Durrësit, aty ku do të grumbullohen në prag të ndeshjes me Teutën.

Flamurtari-Besa, ndeshja përsëritet më 3 shkurt

Komisioni i disiplinës, pasi i ka shqyrtuar të gjitha faktet, ka dalë në përfundimin se ka pasur gabim teknik
Nuk do të ketë dhënie të tri pikëve në tavolinë skuadrës së Besës, siç ka dhënë ultimatum presidenti kavajas, Nexhat Bizhdili, por përsëritje të ndeshjes. Vendimi është marrë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga komisioni i disiplinës në FSHF, që ka shqyrtuar me imtësi të gjitha materialet që kishin të bënin me këtë përballje.
Pas verifikimit të relacionit të gjyqtarit, vëshguesit, delegatit si dhe pas ballafaqimit të tre gjyqtarëve, u vendos që ka patur gabim teknik. Ndeshja do të riluhet më 3 shkurt, sërish në stadiumin “Flamurtari”, por pa praninë e tifozëve, pas dënimit të fushës së Vlorës dy ndeshje nga disiplina. Verdikti i displinës, siç bëhet e ditur nga të dy kampet, është pranuar nga Besa dhe Flamurtari. “Barceleta” e radhës e kampionatit shqiptar, që ka shëtitur në të gjitha mediat europiane, më në fund nuk do të tregohet si e tillë. Sepse ajo ndeshje aq shumë e diskutuar do të riluhet.

Remzi Sadiku, “kokë turku”

Me këtë vendim të disiplinës përgjegjësia për problemet e shfaqura në stadium “Flamurtari” të Vlorës bie vetëm mbi gjyqtarin e këtij takimi, të riun Remzi Sadiku, që nga pamjet filmike duket se ka ndërruar dy herë vendim, si rrjedhojë e presionit të ushtruar nga drejtuesit e Flamurtarit. Mirëpo nuk është kjo arsyeja e shtyrjes së ndeshjes.
Sepse, nëse gjyttari do të relatonte se ka marrë vendime arbitrare për shkak të presionit, Besës automatikisht do t’i jepeshin tri pikët në tavolinë. Zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit e kanë mbrojtur fort Remzi Sadikun, duke deklaruar që nuk ka pasur gabim teknik, por dalja në këtë konkluzion ishte e vetmja mënyrë, që, në bazë të rregullores, të riluhej ndeshja. Remzi Sadiku, në njëfarë mënyre, është bërë “kokë turku” për të shpëtuar kampionatin, pas ultimatumit për bojkor i dhënë nga presidenti i Besës Nexhat Bizhdili. Kjo ngjarje e rëndë nuk mund ta kalohej në asnjë mënyrë pa viktima. Remzi Sadiku tashmë duhet të presë muaj të tërë, për të mos thënë vite, për të gjykuar sërish në superiore.

Kompromis mes Flamurtarit dhe Besës

Vendimi për t’u riluajtur ndeshja e javës së 18-të Flamurtari-Besa duket se ka ardhur pas konsensusit të dhënë nga të dy klubet. Që në orët e paraditës së djeshme kanë qarkulluar fjalë se do të riluhej në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe se ky vendim është pranuar nga të dyja palët. Reflektimi disa ditë pas ngjarjes si dhe ndërmjetësimi i FSHF-së ka ndikuar në arritjen e këtij kompromisi.
Adi Metaliu - Përplasje e kalendarit, më 3 shkurt luhet kupa

Në bazët të kalemdarit të publikuar nga sektori i garave, ditën që është caktuar të riluhet Flamurtari-Besa duhet të luhen ndeshjet e para çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Burime pranë FSHF-së thonë se ndeshjet e Kupës janë shtyrë pikërisht për t’i hapur rrugë takimit të kampionatit Flamurtari-Besa. Por, nga ana tjetër, ky vendim duket se do të hasë në rezistencën e fortë të Tiranës, që është e përgatitur të luajë për kupë. Me sa duket, do të kemi përplasje të reja Tirana-FSHF, pas akuzave të ashpra që kishin lidhje me derbin Tirana-Dinamo 1-2.

Bizhdili: Ramë në kompromis me Flamurtarin

Dua tri pikët në tavolinë, ndryshe do të bojkotoj kampionatin”. Ky ka qenë ultimatumi i presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, që ditën kur u luajt ndeshja. Njëshi i klubit kavajas i ka qëndruar “besnik” vendimit të tij deri dje, por në fund është dorëzuar, duke pranuar gjysmën e së keqës, ribërjen e ndeshjes. Ky vendim, sipas Bizhdilit, është marrë për hir të kampionatit, për të mos e prishur garën: “Unë e pranoj vendimin e komisionit të disiplinës, pavarësisht faktit që kam kërkuar me ngulm tri pikët në tavolinë. Për hir të kampionatit, pra të mbarëvajtjes së garës, kam vendosur të pranoj që të riluhet ndeshja. Është një kompromis mes palëve, për të mos e prishur kampionatin. Meqë do të riluhet, minimalisht gara duhet të dikutohej në një fushë asnjanëse. Gjithsesi, besoj se të dyja palët kanë mbetur të kënaqura.”

Gjika: Vendimi më i drejtë për të dy palët

Jo më pak konsensual për këtë vendim është shprehur edhe presidenti i Flamurtarit, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Vlorës, zoti Shpëtim Gjika. Sipas tij, vendimi i ka kënaqur të dyja palët dhe ruan vijimësinë e kampionatit. “E pranoj këtë vendim të disiplinës edhe për faktin që është bërë një konslutë dhe është kërkuar konsensusi nga aktorët, në rastin konkret Flamurtari dhe Besa. Nëse do të merrej vendimi ekstrem për heqjen e pikëve Flamurtarit, për t’ia dhënë Besës, ne do ta bojkotonim kampionatin. Kjo nuk ndodhi, pasi u vendos të përsëritet ndeshja. Unë e quaj vendim shumë të mirë për të dy krahët, për të shpëtuar kampionatin dhe për të mos krijuar asnjë lloj konflikti në vijimësi”. Duket qartë që negociatorët e FSHF kanë gjetur një rrugë të mesme për zgjidhjen e konfliktit. Të dyja skuadra do t’i provojnë edhe një herë forcat në fushën e blertë, por këtë radhë pa praninë e tifozëve.