Trajneri i Juventusit ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga klubi bardhezi
Asnjë shfryrje, asnjë fjalë të tepërt, vetëm një respekt të madh për veten e tij, mbi të gjitha, për personat me të cilët punon. Në momentin më delikat, Çiro Ferrara tregon atë vendosmëri që, fatkeqësisht për të gjithë botën bardhezi, nuk arriti t’ia transmetojë skuadrës së tij: “Nuk ndihem i shkarkuar. Idea për të braktisur ekipin nuk më ka shkuar asnjëherë në mendje për respekt kundrejt klubit dhe ndërgjegjes time. Nuk kam marrë asnjë njoftim nga drejtuesit e skuadrës. Nuk kam marrë asnjë komunikatë dhe nuk kam kërkuar të tilla. Shkoj në fushë për të stërvitur ekipin dhe shkoj në stol me të njëjtin profesionalizëm. Juventusi nuk po e shfrytëzon punën që po bëj unë gjatë këtyre ditëve, ndërsa unë paguhem për këtë. E di mirë se çfarë njerëzish kam përballë, e di se çfarë klubi kam mbas krahëve të mi. Kur do të më komunikojnë diçka të ndryshme, do ta pranoj pa asnjë problem”.
Domethënë, nuk ka asnjë tundim nga ana e Ferrarës për të lënë bosh një stol që, gjithsesi, nuk do të jetë më i tij në të ardhmen: “Sa herë që jam gjendur në vështirësi, kam kërkuar gjithmonë të zgjedh ndërgjegjen. Për këtë arsye nuk kam dhënë dorëheqjen dhe nuk kam marrë një rrugë tjetër këto ditë. Nëse do të kisha kuptuar se skuadra dhe klubi do të ishin kundër meje, ndoshta do ta kisha bërë. Por nuk kam vënë re asgjë të tillë. Deri tani nuk kam arritur ta ndryshoj situatën përsa i takon rezultateve dhe nuk është një turp”.
Dhe në momentin kur do të vijë shkarkimi i mundshëm “do të vazhdoj të sillem siç kam bërë gjatë 20 viteve të fundit. Këtij klubi i kam dhënë shumë, nga ky klub kam marrë akoma më shumë. Nëse Juventusi do të zgjedhë një trajner tjetër, nuk ka asnjë problem. Nuk do të dëgjoni nga unë asnjë fjalë kundër kësaj skuadre, tek e cila ndodhem që nga viti 1994″, ka thënë Ferrara. Ndërkohë, për trajnerin bardhezi nuk ekziston rreziku i një ekipi në buzë të greminës për shkak se drejtohet nga një teknik që nuk e ka vendin të sigurt: “Nuk besoj se autoriteti im kundrejt skuadrës është cënuar. Kam lojtarë, që do të jenë të tillë deri në fund.
Në këto situata nuk duhet guximi, duhet përgjegjësia dhe ndërgjegja për momentin që po kalojmë. Nuk duhet të fshihem, sepse nuk ka asnjë arsye për t’u ndier i turpëruar. Jam këtu në këtë pozicion, duhet të pranoj kritikat dhe të pranoj përgjegjësitë e mia si në momentet e bukura edhe në ato të vështira. Do të ishte shumë e lehtë për mua të vihesha në kërkim të justifikimeve, por nuk dua. Megjithatë, besoj se kjo eksperiencë do të rezultojë shumë e nevojshme për mua. Këto gjashtë muaj tek Juventusi vlejnë sa dhjetë vjet tek një skuadër tjetër”. Në fund, një koment pozitiv për një rival të madh, Hoze Mourinjon, i cili e ka përcaktuar si një hero: “E falënderoj për fjalët që ka thënë për mua, por nuk besoj se një trajner mund të konsiderohet hero”, ka përfunduar tekniku bardhezi.