28 janar 2010

Juve: Trap e tashmja, Benitez e ardhmja

Ferrara do ta drejtojë skuadrën edhe nesër në kupë kundër Interit. Të dielën me Lacion, lamtumira

E vetmja siguri në shtëpinë e Juves është se Ferrara nuk do të qëndrojë në stolin bardhezi. Duhet mësuar vetëm momenti kur do të bëhet zyrtar shkarkimi i trajnerit, që me siguri do të jetë në stol nesër në mbrëmje në Milano për çerekfinalen e Kupës së Italisë kundër Interit dhe ka mundësi edhe të dielën në mbrëmje kundër Lacios në kampionat. Do të jetë Ferrara, sepse për momentin drejtuesit bardhezinj nuk kanë mbyllur asnjë prej bisedimeve të hapura. Por duket që më në fund është individualizuar rruga për t’u ndjekur.

Trapatoni deri në fund të kampionatit, pastaj mund të fillojë “era” Benitez. Trapatoni duket se është bindur nga Betega, një mik i ngushtë i tij për të pranuar detyrën: ta drejtojë skuadrën deri në qershor, duke e mbajtur gjithsesi edhe stolin e kombëtares së Irlandës. Duket se janë kaluar përgënjeshtrimet e ditëve të shkuara. Ndërkohë paralelisht, Blank, Betega e Seko, kanë filluar të mendojnë për bisedimet me trajnerin spanjoll. Për në qershor, Juvja synon shumë tek Rafa Benitezi, trajneri i Liverpulit, cikli i të cilit në “Anfield Road”, duket se ka ardhur në fund. Edhe shtypi britanik është i bindur se “martesa” është e destinuar të bëhet.

Sipas “Guardian”-it, në origjinën e pashmangshme të divorcit mes Benitezit dhe të kuqve, qenka mungesa e rezultateve, por para së gjithash problemet ekonomike të klubit anglez. I Interesuari e paska dhënë miratimin për bardhezinjtë, por vetëm duke filluar nga sezoni i ardhshëm, siç la të nënkuptojë menaxheri i tij, Manuel Garsia Kuilon: “Benitez te Juventusi? Në futboll asnjëherë s’i dihet. Nuk e di ç’do të ndodhë në 5-6 muajt e ardhshëm. Në këtë botë gjërat ndryshojnë shumë shpejt, edhe pse Rafa ka akoma edhe katër vjet kontratë me Liverpulin”.

Deklarata që duken thuajse si një paralajmërim për dretuesit e klubit britanik. Një ultimatum që mund të përshpejtojë lamtumirën. “Në këto momente bëhet fjalë për një hipotezë jo konkrete, sepse Rafa është një figurë shumë e rëndësishme në “Anfield”. Idhujt e tifozëve janë Xherrard e Fernando Torres dhe pikërisht Benitez”. Mes pengesave të mundshme për marrëveshjen me teknikun spanjoll është edhe kontrata e shtrenjtë e Benitezit me Liverpulin deri më 2014-ën për më shumë se 4.5 milionë euro në sezon. Të njëjtat probleme që drejtuesit bardhezinj hasën kur nisën bisedimet me Gus Hidinkun, që pretendon një rrogë vjetore thuajse 7 milionë euro.