28 janar 2010
Pejanët mëtojnë pjesën e epërme të tabelës
Besa e Pejës është ndër skuadrat më cilësore të elitës së futbollit dhe që ka objektiv ngritjen e cilësisë së lojës. Kryetrajneri Genc Hoxha tha se punohet me intensitet të shtuar në të gjitha pikëpamjet dhe kërkojnë ndërtimin e lojës më cilësore. Pejanët edicionin vjeshtor e përfunduan në pozitën e gjashtë të tabelës së klasifikimit me 25 pikë ose shtatë pikë më pak se i pari, Trepça nga Mitrovica. Skuadra pejane megjithëse nuk është edhe larg me pikë nga kreu i tabelës, nuk japin premtime të mëdha se do të fitojnë kampionatin. Hoxha thotë se qëllimi i parë është të krijojnë skuadër të fortë dhe rezultatet vijnë vetvetiu. “Përgatitjet shkojnë sipas dinamikës së paraparë dhe ato zhvillohen në stadiumin e qytetit në Pejë. Punojmë në të gjitha aspektet, si në elementet teknike-taktike dhe lojës më top e pa të. Po ashtu punojmë edhe në pikëpamje fizike dhe të qëndrueshmëri. Fatkeqësisht mungon infrastruktura, si për shembull fushat ndihmëse si në çdo skuadër tjetër të Kosovës. Sikurse ta kemi fushën ndihmëse puna do të ishte më e lehtë dhe do të punohet më mirë, por megjithatë edhe në këto kushte po përgatitem mjaft mirë”, tha Hoxha. Skuadra e Besës këtë fundjavë ka paraparë të zhvillojë ndeshje miqësore me rivalin tradicional, Lirinë nga Prizreni. “Me skuadrën e Lirisë jemi marrë vesh që të shtunën në fushën e futbollit në Rogovë të Hasit të luajmë ndeshje miqësore dhe kjo ndeshje do të fillon në orën 13.00. Në rast se përkeqësohet koha dhe bie borë ose shi, kjo ndeshje miqësore mund të shtyhet për vonë”, ka thënë Hoxha. Përforcimet që ka sjellë kjo skuadër i bën optimist drejtuesit e kësaj skuadre që të luftojnë për pjesën e epërme të tabelës. “Kemi rikthyer nga Vllaznia e Shkodrës, Fetim Kasapin, futbollist më përvojë, si dhe Agron Cacajn nga Hysi dhe kemi arritur marrëveshjen me Blerim Hysenlekajn. Po ashtu edhe me fondin e futbollistëve të tjerë dhe më përvojë do të jemi skuadër që do të luftojmë për pjesën e epërme të tabelës. Por, duhet të jemi të kujdesshëm, të mos lëshohemi edhe shumë sepse çdo pakujdesi dhe dështim eventual mund të na kushtoi në vazhdim të kampionatit”, tha Hoxha. Labinot Efendia është largua nga kjo skuadër, duke shkuar në radhët e skuadrës së Vëllaznimit, ndërsa Dëfrim Demaj gjendet në Gjermani dhe nuk është kthyer më. “Labinot Efendija kaloi në Vëllaznim me marrëveshjen e klubeve, për shkak se ky futbollist e ka edhe interesin e punës, ndërsa Dëfrim Demaj e dimë se është në Gjermani, por deri më tash nuk është lajmëruar”, theksoi Hoxha. Kryetrajneri Hoxha ka thënë se nuk e kanë me çdo kusht ta ndjekin trofeun e kupës dhe titullin e kampionit. “Theksova edhe më lart se parësore është ngritja e nivelit të lojës, pastaj të shohim sesi do të rrjedhin rezultatet në vazhdim. Qëllimi ynë nuk është domosdo të luftojmë për trofetë, por prapë them se gjasat i kemi të mira për kupë dhe titull”, tha Hoxha. Skuadra e Besës me gjasë përgatitjet do t’i zhvillojë në Pejë dhe vështirë se ato do t’i vazhdojnë edhe jashtë Kosovës.