Prapaskena e një çështjeje gjithnjë e më shumë intriguese. Është gati tekniku, që do të zëvendësojë Ferrarën
Ngjitet Alberto Zakeroni, zbret Klaudio Xhentile. “Ankandi” i trajnerit të përkohshëm, post-Ferrara është çështja e ditës në shtëpinë e Juventusit, pasi drejtuesit e klubit duhet të zgjedhin njeriun, të cilit do t’i besojnë drejtimin e skuadrës në 4 muajt e ardhshëm. Në listë për stolin e Çiros kanë mbetur vetëm dy emra, por trajneri romanjol, duket një hap larg pankinës, duke mundur konkurrentin Klaudio Xhentile.
Megjithatë, ardhja e Zakeronit në krye të stolit bardhezi varet nga rezultatet e takimit të presidentit Blank, i cili është në Liverpul (ose në Spanjë për të biseduar me avokatët e Rafa Benitezit). Sipas këtyre burimeve që vijnë nga Torino, numri një i Juventusit kërkon të luajë edhe “kartën” e fundit me trajnerin spanjoll, para se të mbyllë marrëveshjen me ish-trajnerin e Milanit, Interit, Lacios dhe Torinos së fundmi. Një përpjekje kjo e Blankut, që vështirë se mund të realizohet.
Benitezi në të vërtetë ka një kontratë të rëndësishme me Liverpulin dhe mes të tjerash nuk i pëlqen idea të marrë një skuadër gjatë sezonit. Duhet të jetë gati të zgjedhë Juven për sezonin e ardhshëm, por kërkon ta nisë gjithçka në fillim të kampionatit, pasi ta ketë bërë ai përgatitjen dhe para së gjithash fushatën e blerjeve në merkato.
Pasi kanë marrë “jo”-në e Benitezit, drejtuesit juventinë do të mendojnë vetëm për “teknikun 4-mujor”. Në garë mbesin dy, por Zakeroni që nuk ka nxjerrë asnjë pretendim për këtë kampionat, duket në epërsi ndaj Xhentiles. Ish-trajneri i U-21, në të vërtet e ka pranuar ofertën prej 250 mijë eurosh plus bonusin për 4 muaj, por kërkon siguri për të ardhmen. Siguri që për momentin, në Torino asnjë nuk është në gjendje t’ia japë.
Është logjike kështu që “Zaku” mund ta ndryshojë plotësisht Juventusin. Në pritje që “kursi” i ri për Benitezin të nisë në sezonin e ardhshëm.
Për sa i takon Xhentiles, ka pasur edhe një mosmarrëveshje mes Betegës dhe presidentit Blank. Zëvendësdrejtori i ri i përgjithshëm ka dashur ta bindë ish-juventinin të zëvendësojë Ferrarën. Ish-mbrojtësi e pranoi ofertën, por të dy s’i kishin bërë llogaritë me Blankun që nuk i kishte pëlqyer një intervistë e fundit e Xhentiles në shtyp ku nuk kursente kritikat ndaj drejtuesit.
Një lëvizje ajo e Betegës, që ka bërë të dëgjohen sinjalet e para të tensionit. Dhe në të gjithë këtë “telenovelë” mungon gjithnjë një nga protagonistët e mëdhenj, i cili ka qëndruar në hije, por gjithnjë i pranishëm: Marçelo Lipi. Takimi me të është pas botërorit për finalen e madhe.