Torino ka shprehur interesim për futbollistin kosovar, Emir Bajrami. E përditshmja italiane, Tuttosport, të mërkurën shkruante se menaxheri i mesfushorit kosovar është takuar me udhëheqësit e klubit Granata, për të diskutuar rreth mundësisë së këtij transferimi.
Klubi nga Serie B italiane e ka ndërmend t’ia kërkojë klubit suedez Elfsborg, mesfushorin kosovar me pasaportë suedeze, si huazim, që nga janari, me mundësi të blerjeje në fund të sezonit.
“Të martën mbrëma, menaxheri i Bajramit kishte kontakte të vazhdueshme me Torinon, me ç’rast biseduan rreth transferimit të tij si huazim, me mundësi blerjeje definitive të kartonit, në përfundim të sezonit. Bisedimet po vazhdojnë dhe nga çasti në çast priten risi”, shkruan Tuttosport, që dukej mjaft mirë e informuar me këtë rast.
Tuttosport shkruan gjithashtu se 21-vjeçari do t’i mbulonte me sukses krahët e mesfushës, ndërsa do të ishte ideal për formacionin 4-4-2.
“Për Bajramin thuhet se luan mirë qe një kohë të gjatë, ndërsa ka kapacitet të operojë mjaft mirë në krahun e majtë, duke e shfrytëzuar shkathtësinë e tij dhe shpejtësinë. Është një alo e shpejtë dhe driblon mirë. Ai shkon deri në fund dhe harkon, por ka raste edhe kur e përfundon aksionin vet. Me këmbën e majtë është mjaft i mirë dhe gjuan me vendosmëri, di ta shohë portën”, vazhdon shkrimin kjo gazetë.
Bajrami ka shënuar 11 gola në rreth 60 ndeshje të zhvilluara në dy sezonet e fundit. Ai është titullar i padiskutueshëm në përfaqësuesen U21 të Suedisë, ndërsa ngadalë është duke depërtuar edhe në Kombëtaren A të suedezëve, me të cilën zhvilloi dy ndeshje miqësore, kundër Omanit dhe Sirisë, shton Tuttosport.
Ai është rritur dhe luan tek Elfsborg, ku ka debutuar në vitin 2006. Ai është i gjatë 1.79 metra dhe peshon 73 kilogramë.
Dy kuriozitet për djaloshin: është tifoz i Interit të Italisë, ndërsa lojtari i preferuar i tij është Cristiano Ronaldo. Si i ri, ai luante “Bandy”, i njëjtë me sportin mjaft të popullarizuar në skandinavi, hokej në akull.
Në rast se Torino arrin ta sjellë në shtëpi këtë mesfushor të ri, i cili ka kualitet të madh dhe përmirësim të vazhdueshëm, atëherë klubi “Granata” do ta bënte një gjuajtje me termin afatgjatë, përfundon shkrimin Tuttosport.
Mirëpo Torino nuk është klubi i vetëm që ka shprehur interesim për Bajramin. Këtë të fundit, qe një kohë të gjatë është duke e ndjekur klubi portugez Sporting Lisbona. Ai ka kontratë me Elfsborgun, deri në vitin 2013, derisa kartoni i tij vlerësohet rreth 3 milionë euro.