Kryeministri britanik, Gordon Brown, ndihet mjaft i brengosur me borxhet e disa klubeve britanike. “Është një temë që i preokupon tifozët. Mendoj se zyrtarët e klubeve duhet t’i kujtojnë obligimet e tyre”, ishte kritika e Brown, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetari.
Brown ka shtuar se kjo çështje megjithatë u takon zyrtarëve të klubeve, të cilët duhet të mendojnë që të dalin nga kjo situatë. Javën e kaluar, Manchester United i kishte mbuluar faqet e para të gazetave në Britani, të cilat shkruanin se “Djajtë e Kuq” kanë borxh rekord prej 800 milionë eurosh.
Probleme financiare në Angli kanë edhe klubet si Liverpool e Portsmouth. Gordon Brown i njeh mirë problemet që lidhen me botën e futbollit. Kryeministri Brown ka një pjesë të vogël të aksioneve në skuadrën Raith Rovers, klub i divizionit të dytë në futbollin skocez, i cili shpëtoi nga bankroti në vitin 2005.