27 janar 2010
Tre futbollistë akuzojnë KF Prishtinën!
Tre futbollistë shqiptarë nga Maqedonia: Dardan Miftari, Ertan Hasan dhe Vebi Alievski reagojnë ashpër ndaj klubit të futbollit Prishtina. Këta futbollistë janë liruar nga drejtuesit e KF Prishtinës, madje edhe janë falënderuar nga kryesia për lojërat që kanë dëshmuar në fanellën e kësaj skuadre. Futbollistët Miftari, Hasan e Alievski akuzojnë ashpër, që sipas tyre, Prishtina ua ka borxh 15 mijë euro! Portieri Dardan Miftari ka thënë se nuk do të kthehet më në klubin më të trofejshme të Kosovës, Prishtinës. Sipas Miftarit, për shkak të mosshlyerjes së obligimeve ndaj tij. Miftari tha se në KF Prishtina nuk do të kthehen edhe Ertan Hasan dhe Vebi Alievski. “Nuk shkoj te Prishtina, sepse ata më kanë mbetur borxh dy rroga dhe një pjesë të kontratës, prandaj po kërkoj t’i marr dokumentacionet. Klubi as qiranë e banesës nuk ma ka paguar. KF Prishtina është klubi më i paorganizuar në Kosovë dhe me njerëz si Afrim Muçiqi nuk dua të kem punë”, tha Miftari. Ai shtoi: “Ne e kemi shpëtuar nga më e keqja, ngase çfarë organizimi ka në klubin Prishtina duhej të binte nga Superliga e Kosovës”. Përveç Miftarit, edhe Vebi Alievski, ka adresuar akuza ndaj zyrtarit të KF Prishtina, Afrim Muçiqit. “Unë isha në Prishtinë dhe kërkova nga klubi shlyerjen e borxhit ndaj nesh, por Muçiqi nuk e hapte telefonin. Mua, Ertanit dhe Dardanit skuadra e Prishtinës na i ka borxh nga 5 mijë euro, sepse nuk na i ka paguar dy rrogat e fundit dhe një pjesë të kontratës. Në pamundësi për të na paguar, ata shkruajnë nëpër media se na kanë larguar”, tha Alievski. Ndërkaq, nënkryetari i KF Prishtina, Afrim Muçiqi, iu është kundërpërgjigjur akuzave të rënda të këtyre tre futbollistëve. Muçiqi kategorikisht ka mohuar se klubi u ka borxh 15.000 euro dhe sipas tij nuk ia vlen të merret me ta. “Absolutisht nuk është e vërtetë. Ne nuk i kemi borxh askujt, nuk ka gjasa të jetë e vërtetë një gjë e tillë. Ata nuk e kanë treguar veten dhe klubi, në bashkëpunim me trajnerin, kanë vendosur ta shkëputin raportin me këta tre futbollistë. Po e përsëris, këto janë trillime dhe nuk ia vlen të flas për ta. Mos t’u japim hapësirë atyre, se këtu nuk ka asgjë të vërtetë”, tha Muçiqi. Drejtuesit e KF Prishtinës, thonë se janë të interesuar të bëjnë një Prishtinë ashtu si i ka hije kësaj skuadre me traditë dhe të modelit evropian.