Migen Memelli firmos me Flamurtarin
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ish-futbollisti i Tiranës, Migen Memelli, i cili ka kaluar një periudhë provë në Rusi, ka firmosur për Flamurtarin. “Këpuca e Artë” e sezonit të kaluar do të mbrojë ngjyrat kuqezi të Flamurtarit deri në fund të sezonit, sipas kontratës së nënshkruar me presidentin Shpëtim Gjika
“Sherrxhinjtë” mungojnë në stërvitje
Në seancën e djeshme stërvitore, që është zhvilluar pasdite në kompleksin sportiv “Skënder Halili”, ka pasur mungesa të shumta në staf dhe lojtarë në radhët e 24 herë kampionëve. Bëhet fjalë për disa nga futbollistët që ishin pjesë e konflikteve në derbin e së hënës në mbrëmje, Tirana-Dinamo. Kjo është stërvitja e parë në prag të sfidës anti-Teuta, por kanë rënë në sy mungesat e shumta të disa lojtarëve. Kështu, duke nisur që nga trajneri Alban Tafaj, i cili ka ndjekur nga afër mbledhjen e kryesisë së asamblesë, dhe stërvitjen e ka drejtuar ndihmësi i tij Nevil Dede.
Por kanë munguar edhe disa nga titullarët, kapiteni Devi Muka, mbrojtësi Tefik Osmani, mesfushorët Bledar Devolli dhe Gjergji Muzaka. Zv.trajneri Nevil Dede ka zhvilluar një seancë të plotë me lojtarët që ka pasur në dispozicion, ku përveç Sefës, Abrahamit, Korunovskit, Pashajt, Abilaliajt, Plakut, Bicit, Malindit dhe Karabecit, të tjerët ishin të rinjtë Sorra, Hajdari, Kuka, Taku, Ahmetaj, Sinanaj etj. Fillimisht lojtarët kanë bërë vrapime të lehta, më pas ushtrime mikse dhe seanca ka zgjatur afro 1 orë e 30 minuta.
Muça: Derbi, një shembull i keq për fëmijët
Trajneri Shkëlqim Muça dënon aktet e ndodhura në “Qemal Stafa”, duke i konsideruar të pafalshme
Shembulli i turpshëm që dhanë çastet e pakëndshme të derbit të javës së 18-të midis Tiranës dhe Dinamos, sigurisht është parë nga sytë e të gjitha grup-moshave. Të pranishëm në stadium ka pasur edhe shumë fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët kërkonin të shikonin “idhujt” e tyre, duke ëndërruar që një ditë do të shkelin tapetin magjik të “Qemal Stafës”, por në vend të një spektakli të botës së futbollit, të rinjtë shqiptarë kanë parë skena të denja për karate, xhudo, boks e të tjerë. Pamjet e dhëna në të gjitha televizionet s’kanë pasur nevojë për shumë komente. Në të njëjtën linjë mendimesh është edhe trajneri Shkëlqim Muça:
Fëmijët
“Tani, pas derbit, jemi më të qetë. Nuk është problem midis klubesh. Kam bindjen që tani që jemi gjakftohtë dhe kemi parë të gjitha pamjet televizive, mund të gjykojmë me saktësi. Këto janë gjëra të patolerueshme, që s’mund të ndodhin. Për atë që japin në fushë të dyja skuadrat, duhet të paraqesin kulturë, pasi shumë fëmijë i ndjekin ndeshjet tona dhe ata duhet të mësojnë nga skuadrat superiore. Ka shumë fansë si Dinamo dhe Tirana si dy nga ekipet më të mira. Gjeneratat duhet të marrin shembull nga ne, por kur ai është si ky i fundit, atëhere gjërat s’janë normale. Për mendimin tim përgjegjësia bie mbi drejtuesit, pasi puna e tyre reflektohet në sjelljen e lojtarëve në fushë. Duhet më tepër përgjegjshmëri për të krijuar një ambient të duhur për një ndeshje futbolli. Kjo lojë tepër e dashur për të gjithë duhet përkrahur nga të gjithë.”
Precedenti i Vlorës
“Rasti i Vlorës s’ka lidhje me atë që përjetuam ne. Kjo jona ishte pak më e rëndë, sepse pati edhe goditje me grushte. Dihet që këto janë shfaqje të pahijshme që e dhunojnë botën e futbollit. Dihet që gjuha e kësaj loje nuk është grushti dhe shkelmi, por “fair play”. Për këtë të fundit duhet të mendojmë të gjithë.”
Derbi i fazës së tretë
“Për ne është histori e mbyllur ajo e derbit. Dinamo s’merret me skuadrën kundërshtare. Ne punojmë brenda normave futbollistike dhe rregullave të futbollit për të fituar një ndeshje. E patë edhe vetë që lojtari ynë s’pati probleme të tilla. Ishte thjesht një presion i kundërshtarit nga rezultati. Ne punojmë fort në këtë drejtim. E kemi treguar në fushën e blertë që jemi një skuadër tepër korrekte. Ku ka disiplinë, edhe rezultatet nuk mungojnë.”
“Për Elis Bakajn mund të them vetëm që me atë që pashë, ai qëndroi shumë mirë dhe nuk reagoi fare. Është edhe forcë e karakterit kur nuk reagon ndaj kundërshtarit. Ajo që u ushtrua ndaj tij është e patolerueshme. Duhet të merren masat e duhura dhe kjo punë të mbyllet nga komisioni i disiplinës, i cili duhet të shikojë me qetësi gjithçka, i ndihmuar edhe nga klubet. Lojtari ynë nuk s’është për t’u futur në komision. Ai ka marrë thjesht një kartonë të kuq, por edhe ai ishte i pamerituar. Gjithsesi, ne presim me kulturë sportive çdo veprim. Trajnerët që merren direkt me futbollistët duhet të krijojnë barriera për këto veprime. Më pas janë drejtuesit që duhet të krijojnë ambiente të disiplinuara. Nëse këta të fundit ushqejnë dhunën, gjërat ndryshojnë.”
Ndeshja
“Skuadra tregoi karakter, duke arritur rezultatin e kërkuar. Fituam një ndeshje me shumë tension brenda. Mangësi kishte sa të duash, por nuk më interesojnë, sepse i rregullojmë gjatë kohës. Derbi duhej të fitohej dhe ne e arritëm këtë objektiv. Kishim momente të mira, por edhe të këqija. Por në fund rëndësi ka që ne e fituam sfidën.”
Distanca
“Kemi shumë hapa për të hedhur deri në fund të kampionatit, por kemi ecur në rrugë të sigurta dhe kemi kaluar pengesa të rëndësishme. Dinamo ka pasur vazhdimësi në kampionat. Ka skuadra që mund të luajnë ndonjë javë më mirë sesa Dinamo, por u mungojnë pikët. Ndërsa ne i kemi të gjitha, edhe pse në aspektin teknik kemi pasur dhe kemi problemet tona. Gjithsesi, anët e mira të skuadrës i kemi marrë dhe deri tani kemi mbledhur maksimumin. Ne duhet të respektojmë tifozat tanë, kampionatin dhe kundërshtarët deri në fund të edicionit,”‑ mbyll prononcimin trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça.
Statistikat janë në krahun e Elis Bakajt
Pa i fryrë “zjarrit” të krijuar në derbin e javës së 18-të dhe duke bërë një analizë statistikore të ndeshjes Tirana-Dinamo, 1‑2, sulmuesi Elis Bakaj ka dalë triumfues nga kjo sfidë, që i kishte të gjitha brënda saj. Gjatë javës ka pasur “thumbime” në mediat e shkruara për futbollistin që do të bënte diferencën në fushën e blertë dhe sigurisht fusha e blertë do të ishte ajo që do të ndante “shapin nga sheqeri”. Në përfundim të ndeshjes Elis Bakaj regjistron: 1. Kartonin e kuq të fituar në ndërhyrjen që në fillimin e takimit nga i riu Bici. 2. Asist nga goditja standarde tek goli i barazimit nga Malakarne. 3. Goli i shënuar, i cili i dha fitoren Dinamos. Në atë sfidë brenda sfide, futbollisti i Dinamos ka dalë i fituar, duke pasur statistikat në krahun e tij. Bakaj nuk është stërvitur dje me skuadrën si pasojë e goditjeve të marra nga kundërshtarët në sherrin banal të “Qemal Stafës”, por mësohet se gjendja shëndetësore e lojtarit është e mirë. Mbetet për t’u parë shkalla e hematomës së krijuar nga goditjet në kokë.
Blutë stërviten në qetësi
Ndonëse dinamovitët kanë ardhur nga një ndeshje tepër e tensionuar, si gjithnjë edhe ditën e djeshme ambienti në kompleksin “Dinamo” ka qenë tepër i qetë. Futbollistët janë stërvitur të ndarë në tri grupe. Disa nga lojtarët u janë drejtuar Kodrave të Liqenit për të kryer vrapime dhe ushtrime të ndryshme, ndërsa një pjesë ka zhvilluar edhe sallë force në palestrën e klubit. Por ka pasur edhe një palë të tretë, e cila ka punuar me topin në fushën e blertë. Nuk janë stërvitur me grupin disa nga titullarët, si kapiteni Arian Pisha, Elis Bakaj, por edhe Bekim Kuli.
Besa në Korçë, por me veshë nga Bizhdili
Ekipi verdhezi ka udhëtuar dje drejt Korçës me mungesat e Dragushës e Mancakut nga kartonët
Vetë ka qëndruar në Tiranë presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, ndërsa ka urdhëruar ekipin e tij, nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, të niset drejt Korçës, ku sot verdhezinjtë pritet të zhvillojnë takimin e prapambetur me Skënderbeun. Përdorëm termin pritet të luajnë, pasi siç mësohet nga vetë Bizhdili, Besa e tij do të luajë vetëm nëse mblidhet komisioni i disiplinës dhe jep fitoren në tavolinë për Besën në sfidën me Flamurtarin.
“Po, e kam nisur ekipin drejt Korçës sot (dje), por kam urdhëruar që ata do të hyjnë në fushë vetëm pasi të kem urdhëruar unë. Ju e dini çfarë ndodhi në Vlorë dhe unë pres që komisioni i disiplinës të mblidhet e të vendosë fitoren në tavolinë për ekipin tim, sipas rregullores. Ndeshja me Skënderbeun, pavarësisht se Besa është atje, do të luhet vetëm pasi të vendoset kjo. Nëse komisioni mblidhet sonte (mbrëmë), është akoma më mirë, nëse nesër (sot), prapë nuk është keq, por duhet të mblidhet para fillimit të takimit. Nëse nuk ka asnjë vendim, Besa ime do të kthehet në Kavajë pa e zhvilluar ndeshjen,” ‑ ka deklaruar Bizhdili. Një deklaratë kjo që përsëritet në fakt, pasi presidenti Besës këtë deklarim e ka dhënë që pardje.
Duke u kthyer te Besa, nëse ndaj Flamurtarit munguan plot 7 futbollistë, mësohet se sot në dispozicion të trajnerit Duro do të jenë edhe Shehi e Mihani, pas shlyerjes së masës së kartonëve, Cikalleshi i rikuperuar së bashku me Babamustën. Ndërkohë që mbrojtësi Erand Hoxha nuk ka udhëtuar për arsye shëndetësore dhe po ashtu Dragusha e Mancaku për shkak të vuajtjes së dënimit me kartonë.
Dragusha vuan kartonin e kuq të marrë në Vlorë e Mancaku plotësimin e numrit 3 të kartonëve të verdhë. Kështu, sot verdhezinjtë do të duhet të zhvillojnë sfidën e parapambetur dhe sigurisht që synimi i tyre mbeten vetëm tri pikët. Nëse komisioni i disipilinës vendos drejtësinë, duke i dhënë Besës tri pikët në Vlorë, atëherë një fitore në Korçë do ta çonte në 9 pikë diferencën mes Besës e Dinamos. Trajneri Shpëtim Duro, në prag të nisjes, deklaroi se do të kërkojë fitoren. Kthimi i Orges Shehit në portë apo edhe Mihanit e Cikalleshit është shumë pozitive. “
Kam marrë një urdhër nga Bizhdili, njeriu që paguan fundja ekipin, që vetëm me fjalë të tij do të hyjmë në fushën e lojës e kjo vetëm pasi komisioni të vendosë drejtësinë në vend, tri pikët për ne. Si trajner, jam i detyruar të zbatoj urdhrin e presidentit, por mendimi im është plotësisht i njëjtë me atë të presidentit për sa i përket marrjes së fitores në tavolinë me Flamurtarin. Nga ana psikologjike kjo nuk është mirë për ekipin, por ç’të bësh, kështu rrodhën ngjarjet,” - thotë trajneri Shpëtim Duro.
Ragipoviç: Duhen shmangur humbje të tilla
Mesfushori boshnjak i Apolonisë, Kenan Ragipoviç, thotë që pikët e lënë kështu i kushtojnë ekipit
Ka ardhur dhe një humbje tjetër për Apoloninë, e shtata për këtë edicion. Po kaq është edhe numri i fitoreve që bardhejeshilët kanë arritur në këtë edicion, pra një balancë e plotë. Apolonia ka mbetur në kuotën e 25 pikëve, duke përfituar deri tani më pak se 50 % të pikëve të plota të mundshme. Janë këta tregues që duhet të vënë sërish në lëvizje ingranazhet brenda skuadrës, për të mundësuar të pritshmen, rikthimin te rezultatet e dëshirueshme nga ekipi dhe sportdashësit.
Nuk është mirë të humbasësh me një skuadër debutuese si Gramozi, pavarësisht se ndeshja luhej në transfertë. Për synimet e Apolonisë së këtij sezoni, skuadra kolonjare duhet të përbënte një ekip të kalueshëm, si një “garniturë” përpara një prove të fortë, siç është ndeshja pasardhëse me Besën. Megjithatë, duhet parë si një humbje nga e cila duhen nxjerrë mësime dhe jo për t’u kaluar thjesht me shprehje standarde. Apolonia është e detyruar të vuajë për të ruajtur qoftë dhe me “shpirt” ndër dhëmbë pozitat e një skuadre që do të vazhdojë të luftojë për të qenë mes më të mirave, një vend që të çon në Europë. Nëse nuk do të arrihej ky “tren”, atëherë sezoni për Apoloninë do të quhej i dështuar. E eliminuar qysh në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, kampionati mbetet e vetmja shpresë për skuadrën fierake.
Për humbjen e pësuar në Ersekë, një nga futbollistët më të mirë të skuadrës fierake, boshnjaku Kenan Ragipoviç, shprehet se duhej të ishte shmangur kjo humbje dhe do të ishte mirë për të mos dalë pa pikë nga ajo transfertë. “Na kushtojnë shumë lënie të tilla pikësh. Ne duhet të jemi më kërkues ndaj vetes sonë në çdo ndeshje, ku, sigurisht, këtu nuk përjashtoj as transfertat, ‑ ka thënë mesfushori i Apolonisë. ‑ Nuk duhet të lejojmë humbje të mëtejshme të pozitave tona në renditje, por të përpiqemi me të gjitha mundësitë që të rifitojmë pozitat e humbura.
Skuadra ka forca të mjaftueshme, ka edhe kontigjentin e duhur të futbollistëve që i japin të drejtën Apolonisë të pretendojë diçka të tillë. Na duhet motivimi maksimal dhe sedra e zakonshme e skuadrës sonë. Kemi përpara katër javë shumë të rëndësishme, por edhe të vështira njëherësh. Luajmë dy ndeshje në transfertë, me dy skuadra që na kanë marrë pikë edhe në fushën tonë dhe dy ndeshje të tjera në shtëpinë tonë, por me dy ekipet kryesuese, Besën dhe Dinamon. Ne duam që të kemi një renditje sa më komode në përfundim të fazës së dytë, prandaj dhe do të luajmë në maksimumin tonë në këto takime, për të marrë më të mirën e mundshme,” - është shprehur mesfushori Ragipoviç.
Pinari: Superliga? Varet nga vetë Partizani
Për kapitenin e të kuqve përforcimet janë faktor pozitiv, por duhet punë për të arritur synimin
Në tregun e janarit drejtuesit e Partizanit kanë kryer një merkato të madhe, pasi janë afruar 12 lojtarë. Dje ka firmosur edhe Marenglen Kapaj, kështu që tregu i janarit është mbyllur me sukses nga të kuqtë. Por sipas kapitenit Luan Pinari, nuk ka vend për entuziazëm, sepse rikthimi në superligë varet nga ajo që ekipi do të japë në fushë e jo çfarë ka bërë në merkaton e janarit. “Partizani vërtet ka afruar shumë lojtarë gjatë merkatos së janarit, por nuk mjafton vetëm ky fakt që skuadra të ngjitet në kategorinë superiore.
Gjithçka do të varet nga puna që do të bëjmë, nga impenjimi që do të tregojnë në fushë si lojtarët që erdhën në janar, por edhe ata që ishin më parë. Pra, rikthimin në kategorinë superore skuadra e ka në dorë të saj. Megjithatë, prurjet janë një plus për Partizanin, që në fund të sezonit të arrijë objektivin e tij,”- u shpreh për “Sportin shqiptar” kapiteni i Partizanit, Luan Pinari.
Në fazën e parë të kuqtë kanë hasur vështirësi në transfertë, por sipas Pinarit, në Bilisht ambienti është futbolldashës dhe nuk bën dallim nga kryeqyteti. Sipas kapitenit, Partizani i ka të gjitha mundësitë që ta nisë mbarë vitin 2010. “Partizani ka vuajtur në transfertë në ato fusha që kanë qenë problematike, ndërsa në fusha të qeta nuk kemi pasur probleme dhe kemi luajtur normalisht. Bilishtin e konsideroj një ambient normal për të zhvilluar një ndeshje futbolli, pasi kanë një publik futbolldashës, si dhe terreni është i mirë, që të lë të luash.
Të shtunën në Bilisht them se do të jetë një takim korrekt, madje për ne do të jetë sikur po luajmë në Tiranë. Prandaj më i miri do të fitojë. Shpresoj ta nisim mbarë vitin 2010. Janë të gjitha mundësitë që starti të jetë pozitiv dhe të jemi të sigurt në rrugën tonë. Ne kemi për qëllim që nga vendi i shtatë të ngjitemi në të gjashtin e kështu me radhë dhe në fund të arrijmë pozicionin që pretendojmë,”- përfundon kapiteni i “demave të kuq”, Luan Pinari.
Trajneri Deliu vë rregullat e tij te Gramshi
Trajneri i Gramshit, Luan Deliu, ka një mesazh për të gjithë lojtarët “e dështuar”, duke reaguar në mënyrën e tij profesionale. I kontaktuar nga “Sporti shqiptar”, ai është shprehur: “Unë jam trajner i Gramshit dhe jo zbutësh kafshësh. Sa i takon blofit të disa lojtarëve në Gramsh, u sugjeroj të gjejnë ndonjë cirk, sepse ai është vendi i tyre. Tani e tutje, nën drejtimin tim, Gramshi do të respektojë etikën dhe rregulloren e futbollit. Nuk do të ngop egon e askujt, aq më tepër të atyre që pretendojnë se luajnë futboll.”
Reagimi i trajnerit elbasanas vjen pas “rrëfimit” të ish-kapitenit të Gramshit, Stojkut. Gjithashtu, trajneri sqaroi se skuadra tani ndihet e çliruar dhe i siguroi autoritet e larta të klubit se gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve, ku objektivi është qëndrimi në kategorinë e parë. Nga ana tjetër, trajneri Deliu shton se kanë filluar të vijnë përforcimet, që janë brazilianë, nigerianë, një ish-sulmues i Shkumbinit dhe Dedej nga Besa. Te Gramshi është rikthyer Çekrezi, i cili ka pranuar ftesën e kryebashkiakut Zëraj. “Janë më tepër se 6 lojtarë të rinj në Gramsh, por me eksperiencë. Ata do të kalojnë në sitën e stafit teknik dhe më pas do të vendoset. Doja që në Gramsh të mos kishte lojtarë të huaj, por rrethanat janë të tilla. Besoj se me dëshirën për të bërë gjëra të mira, Gramshi do t’ia dalë gjatë fazës së dytë të qëndrojë në kategorinë e parë,” - ka përfunduar trajneri Deliu. Trajneri idealist i ka diktuar grupit të lojtarëve kushtet e tij dhe një devijim i tyre do të kishte pasoja serioze për këto.
Çela: Turbina, pretendente sezonin e ardhshëm
Presidenca cërrikase do të pretendojë të marrë më të mirën në fazën e dytë. Këtë e thotë një prej dy presidentëve, Xhemal Çela, i cili e sheh me shumë besim fazën e dytë. Nga ana tjetër, edhe trajneri Bardhi i ka kërcënuar skuadrat pretendente se Turbina e fazës së dytë do të jetë një barrierë e fortë për ta. “Jemi gati të fillojmë fazën e dytë dhe besojmë se objektivi ynë do të arrihet. Merkatoja është bërë me konsulencën e specialistëve dhe ka rezultuar pozitive, aq më tepër kur futbollistët e kanë shprehur vetë dëshirën për të qenë pjesë e Turbinës. Kemi dhe një strategji për edicionin e ardhshëm, ku do të prenotojmë një vend për në superligë.
Për këtë jemi të gjithë të bashkuar dhe ambiciozë,” - është shprehur për “Sportin shqiptar” Xhemal Çela, i cili do të bëjë të mundur për sportdashësit cërrikas rikthimin e skuadrës në qytet ditën e mërkurë. Presidenca e klubit, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, do të caktojë edhe një tryezë projektesh, ku këtë radhë nuk do të diksutohet për mosmarrëveshje, por për të ardhmen e Turbinës. “Ne kemi ngarkuar personat e duhur për të piketuar futbollistët e sezonit të ardhshëm, me të cilët do të synojmë të ngjitemi një shkallë më lart. Do të marrim ajkën e futbollistëve të kategorisë së parë, edhe pse kjo do të ketë një kosto të lartë financiare,” - tha në fund presidenti Çela.
Kaçuli: Elbasani do të dominojë me këtë skuadër
Mbrojtësi elbasanas Ganjol Kaçuli beson se gjërat do të shkojnë mbarë në fazën e dytë
Drejtuesit e Elbasanit kanë bërë disa përforcime për fazën e dytë, por ata nuk i devijojnë idesë për mbështetje maksimale ndaj futbollistëve të rinj vendës. Që në fillim të sezonit verdheblutë e kanë shpallur në strategjinë e tyre se përparësi do të kenë elementët e dalë nga shkolla vendase. Futbollistët e perspektivës, nga të cilët spikatin Gava, Kaçuli dhe Hyshmeri, janë e ardhmja e Elbasanit, ndaj dhe gëzojnë mbështetjen e drejtuesve, por, nga ana tjetër, ata e ndiejnë përgjegjësinë që kanë. Ganjol Kaçuli, në intervistën e mëposhtme për “Sportin shqiptar”, e vlerëson faktin që klubi u beson të rinjve dhe thekson se Elbasani i fazës së dytë duhet të dominojë në mënyrë absolute në kampionat.
‑ Kaçuli, politika e klubit verdheblu lidhet me besimin te të rinjtë, një nga të cilët jeni dhe ju, duke luajtur titullar. Si e gjykoni këtë fakt?
- Natyrisht që është diçka shumë pozitive t’u japësh hapësira futbollistëve të rinj, por në fund të fundit, duhet të pranojmë se ata që e kanë luajtur e kanë merituar. Sado që një klub të ketë dëshirë t’i ndihmojë të rinjtë, nuk mund të rrezikojë gjithmonë, nëse ata nuk kanë vlera. Klubi të jep një dorë, por më pas na takon ne futbollistëve ta justifikojmë besimin. Përndryshe, do të jemi jashtë planeve. Përderisa stafi teknik e ka parë të arsyeshme të luajmë gjatë gjithë kohës, mendoj se kemi bërë një punë të mirë.
‑ Po tani, me ardhjen e 5 futbollistëve të tjerë, a mendoni se pozitat tuaja lëkunden disi sa i takon formacionit?
- Nuk e mendoj një gjë të tillë. Kushdo mund të vijë në skuadër, nëse ka vlera, pastaj secili e ka vetë në dorë për të qenë titullar. Formacioni varet nga puna jonë në stërvitje, regjimi sportiv dhe angazhimi total brenda dhe jashtë fushe. Nuk ndiej asnjë lloj rreziku.
- Po afron ndeshja e parë e fazës së dytë, që do ta luani me Besëlidhjen. Sipas jush, do të ndikojnë tek Elbasani mungesat e 4 futbollistëve?
- Në transfertë, sidomos në këto të kategorisë së parë, është gjithmonë e vështirë. Kuçi, Gava, Kacollja dhe Ramazani, të cilët do të mungojnë, janë futbollistë të mirë, por tani, me merkaton që kemi bërë, nuk e kemi shumë problem. Para së gjithash, mendoj se do të jetë mobilizimi ynë, që do të na çojë te fitorja në Lezhë.
‑ Cili është parashikimi juaj për fazën e dytë, ku veç Elbasanit, ka edhe disa pretendentë seriozë për superligën?
- Trajneri e ka thënë shpesh se ndeshjet janë të gjithë të vështira dhe duhen vlerësuar njësoj. Tani gjithçka bëhet më e vështirë. Uroj që futbolli të luhet më së shumti në fushë dhe jo jashtë saj. Konkurrenca në fazën e dytë është më e madhe dhe për Elbasanin janë të ndaluara gabimet. Me këtë skuadër që kemi, e kemi për detyrë të dominojmë totalisht. Elbasani duhet të ruajë traditën e mirë të fitoreve në fushën e tij dhe të marrë pikë në transfertë.
Shpërblim më i madh për fitoren në Lezhë
Drejtuesit e Elbasanit kanë menduar t’i shpërblejnë sa më mirë futbollistët, në rast se do të fitojnë 3 pikët në Lezhë. Edhe në fazën e parë klubi elbasanas ka vepruar mbi bazën e kontratave që kanë me futbollistët, duke u dhënë 10 mijë lekë për fitoret jashtë fushe. Me Besëlidhjen mund të shtohet shpërblimi në 15 mijë lekë. Nuk është përcaktuar ndonjë shifër për barazimin dhe kjo bën të kuptohet se objektivi i vetëm i verdhebluve është fitorja.
Dhima: Luftëtari është nën presion, jo Lushnja
Mbrojtësi verdhëjeshil shpreh bindjen për një rezultat pozitiv të shtunën në Gjirokastër
Të gjithë futbollistët e Lushnjës kanë qenë të pranishëm dje pasdite në ambientet e stadiumit “Roza Haxhiu”, ku kanë bërë seancën e dytë të përgatitjeve për ndeshjen me Luftëtarin në Gjirokastër. Lushnjarët nuk mund ta harrojnë se në ndeshjen e parë të këtij sezoni kanë humbur dy pikë pikërisht në “Roza Haxhiu”, kështu që kjo ndeshje është, si të thuash, një çështje nderi për ta. Por ata kanë edhe problemet e tyre, që stafi teknik do të mundohet t’i zgjidhë para ndeshjes. Në formacionin titullar nuk do të jenë Arben Prela dhe Dorian Bubeqi.
I pari në repartin e mbrojtjes dhe i dyti në vijën e parë të sulmit. Nga ana tjetër, pjesë e stafit verdhëjeshil nuk do të jetë edhe trajneri Artan Bano, i pezulluar pas ndeshjes me Bylisin nga komisioni i disiplinës. Tribuna “VIP e stadiumit të Gjirokstrës do të jetë vendndodhja e numrit 1 të stolit lushnjar për ndeshjen e radhës, por ky nuk është ndonjë problem shqetësues për të, pasi të gjitha udhëzimet e tij po zbatohen gjatë kësaj periudhe përgatitore. Po ashtu, ndihmësit e tij, Dushi dhe Çuko, do të udhëzojnë nga stoli.
“Eshtë një ndeshje domethënëse kjo me Luftëtarin, që na ndihmon shumë për pretendimet tona. Ne jemi përgatitur fort për të marrë një rezultat pozitiv, por nuk shkojmë me eufori në Gjirokastër. Kemi bërë një minifazë përgatitore, që e ka përmirësuar mjaft gjendjen fizike të ekipit, por nuk kemi lënë jashtë vëmendjes edhe komponentët e tjerë. Ndeshja me Luftëtarin është dhe njëfarë kundërpërgjigje për rezultatin e fazës së parë, ku nuk morëm më shumë sesa një pikë.
Kemi punuar gjatë gjithë kësaj minifaze dhe ekipi ka pasur rritje. Lushnja ka bërë një fazë të parë goxha të mirë dhe ka pësuar më pak gola se çdo ekip tjetër. Eshtë mendimi i të gjithëve se ndeshja e së shtunës është shumë e rëndësishme për ekipin tonë. Na duhet fitorja me Luftëtarin për të ruajtur dhe përmirësuar më pas pozitat në renditje,” - ka thënë Enik Dhima, një prej futbollistëve më efikasë në radhët e Lushnjës. Reparti i mbrojtjes është ai me më pak probleme te verdhëjeshilët.
“Këtë Lushnjë nuk mund ta thyejnë lehtë as ekipet e superligës, ndaj besoj, ashtu si gjithë shokët, se mund të marrim më të mirën në ndeshjen me Luftëtarin, që do të jetë e hapur. Sigurisht që nuk mund t’i mohojmë vlerat e një kundërshtari të denjë si ai që na pret këtë të shtunë. Luftëtari ka vlera kombëtare, sepse ka nxjerrë mjaft elementë në futbollin shqiptar, por nuk është se ekipi ynë është më pak i vlefshëm. Lushnja ka një grup, që pavarësisht mungesave, ka forcë t’i bëjë ballë çdo kundërshtari, madje edhe në fushën e tij.
Jam i bindur në aftësitë dhe vlerat që ka Lushnja dhe them se do të arrijmë të marrim një rezultat pozitiv. Do të na bënte mirë kjo në këtë rinisje të kampionatit, kur jemi shumë pranë realizimit të objektivit, pra ngjitjes direkt në superligë. Nuk po i lemë vend neglizhencës, por po punojmë që të jemi të gjithë në formë optimale, pavarësisht zgjedhjeve të stafit teknik për formacionin titullar. Luftëtari është nën presion dhe jo ne,” - e ka mbyllur fjalën e tij një nga pjesëtarët më të denjë të ekipit lushnjar, mbrojtësit Enik Dhima.
Stoja: Do të luftojmë deri në fund për fitore
Tifozët gjirokastritë presin me njëfarë kurioziteti të shohin Luftëtarin e fazës së dytë, në përbërje të të cilit do të jenë për herë të patë Sulejmani, Xhixha dhe Okshtuni. Në ndeshjen me Lushnjën do të mungojnë për arsye të ndryshme Shkoza, Novi dhe Kola. Kjo ndeshje do të ketë një koeficient të lartë vështirësie për të dyja palët, pasi Luftëtari kërkon “ringjalljen”, kurse Lushnja të paktën statuskounë. Cili do të jetë rezultati? Në fakt, në një ndeshje të tillë janë të mundshme të tri rezultatet në përqindje të barabartë.
Nertil Stoja, i cili do të jetë edhe kapiten i Luftëtarit, shprehet: “Jemi përpara një prove shumë të vështirë, sepse do të ndeshemi me Lushnjën, që ka përbërje të mirë dhe rezultate ndër më të mirat. Ekipi ynë u nda në barazim me të në fazën e parë, por aktualisht nuk ndodhemi në pozita të barabarta, pasi ne kemi mbetur shumë larg Lushnjës. Për këtë qëllim, duhet që kësaj ndeshjeje t’i japim vlerësimin maksimal dhe të bëjmë të gjitha përpjekjet sportive për t’i dhënë zgjidhjen më të favorshme.
Eshtë mëse e qartë se të dyja palët do të hasin rezistencën e fortë të njëra-tjetrës në kërkim të fitores, që mund ta marri ai që do të gabojë më pak. Luftëtarit i duhet fitorja shumë më shumë sesa i duhet Lushnjës, sepse është një 3-pikësh shprese. Ne që do të luajmë, duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe të motivuar për të nxjerrë ndeshjen më të mirë të këtij kampionati, nëse duam të vazhdojmë për të ridalë si pretendentë. Secili duhet ta ketë të qartë se nuk do të na falë gjë Lushnja, prandaj duhet të përgatitemi edhe shpirtërisht për një luftë të fortë sportive, me përqendrim të jashtëzakonshëm.”
Shuhet Sami Hajri, portieri legjendar matjan
Ish-portieri i viteve 1976‑1986 të Burrelit, Sami Hajri, është ndarë nga jeta në moshën 52‑vjeçare të shtunën e kaluar nga një sëmundje e rëndë. Drejtuesit matjanë dhe të gjithë tifozët e kujtojnë me respekt kontributin e dhënë prej tij gjatë viteve që ka luajtur. Sami Hajri ishte një ndër ata që kontribuan për kalimin e Burrelit në kategorinë e parë të asaj kohe. “Zairea”, siç e thërrisnin të gjithë, ka lënë gjurmë te tifozët, që i shprehin familjes ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e një legjende të futbollit të futbollit matjan. Bashkëkohësit e Hajrit, Dali Farruku dhe Baftjar Panavia, kujtojnë si ai e mbronte me fanatizëm portën. “Ndarja nga jeta para kohe e Sami Hajrit është një humbje e madhe për futbollin matjan. Kontributi i tij nuk do të humbasë kurrë,” - shprehen ata.