25 janar 2010

Roma në ankth për Luka Tonin

Nata e super Romës së Klaudio Ranierit ka patur fytyrën e qeshur të tifozëve verdhekuqë në aeroportin e “Fiumiçinos” dhe atë të dëshpëruar të sulmuesit Luka Toni, i cili është larguar nga fusha vetëm pas katër minutash nga fillimi i takimit. Nga njëra anë është populli romanist, që ka dalë të presë rikthimin e Totit me shokë në kryeqytet. Nga tjetra frika për të humbur Tonin për një kohë të gjatë. Sulmuesi ka pësuar një dëmtim në pulpën e majtë. Sot do të zhvillohen analizat mjekësore përkatëse. Me pak fjalë, një festë jo e plotë, që në Trigoria nuk arrijnë ta shijojnë siç duhet. Sot Toni do të zhvillojë një ekografi për të verifikuar seriozitetin e dëmtimit dhe të përcaktojë me më shumë saktësi kohën që do t’i duhet për t’u rekuperuar.