Gjatë kësaj jave pritet largimi i sulmuesi nga Mançester Siti: Jam 90% i sigurtë që do luaj në Brazil
Sulmuesi i Mançester Sitit, Robinjo, është i bindur se ka luajtur ndeshjen e tij të fundit për klubin dhe do të shkojë në Brazil pasi shënoi golin e fundit në fitoren 4-2 në fitoren kundër Skanthorpit në Kupën e Federatës. Ndërkohë që zyrtarët e Sitit nuk kanë komentuar në lidhje me largimin e tij dhe trajneri Roberto Mançini shprehet se e do lojtarin në skuadër për sa kohë ai është i lumtur, Robinjo thotë se është ‘90% i sigurt se do të kthehet te Santos’. Klubi brazili ka pohuar se janë zhvilluar bisedime dhe këkesa e Sitit ka qenë që klubi që do ta marrë do të paguajë një pjesë të madhe të rrogës së Robinjos, që kalon 100.000 stërlina në javë. Robinjo i ka thënë dje TV Globos: “Gjërat po ecin në rrugën e duhur. Santos është duke shqyrtuar mundësitë e huazimit tim. Santos do një vit, ndërsa Siti vetëm gjashtë muaj. Eshtë 90% e sigurt. Në dy-tri ditë duhet të mbyllhet.”
Lajmet tregojnë se Robinjo, që iu bashkur Sitit për 32.5 milionë stërlina në vitin 2008, pritet të pësojë një ulje rroge kur të luajë te Santosi dhe klubi anglez ka rënë dakord të paguajë një pjesë të rrogës së tij. Presidenti i Santosit ka thënë se marrëveshja parashikon që Siti të ketë të drejtën e blerjes i pari të dy talenteve të Santosit, Paulo Henrike Ganso dhe Neimar. Ai ka thënë: “Ata duan të jenë të parët që të kenë mundësi të blejnë dy futbollistët tanë dhe kjo e drejtë nuk na prish punë. Ne do t’ia shisim këta lojtarë klubit që ofron më shumë, kështu që le ta ketë Siti të drejtën e refuzimit i pari. Nëse Siti plotëson kushtet dhe pranon çmimin tonë, do të jetë i pari që do t’i blejë.” Mançini ndërkohë është përqendruar te braziliani tjetër, Silvinjo, i cili bëri një ndeshje shumë të mirë në “Glanford Park” dhe mund të luajë edhe në gjysmëfinalen e dytë kundër Mançester Junajtid në Carling Cup. Mançini ka thënë: “Silvinjo është një lojtar i madh për t’u pasur në skuadër. Ai është shembull për këdo. Eshtë mirë të kemi dikë si ai, që mund të ndryshojë pozicion në fushë, nëse i nevojitet skuadrës. Ai bëri një gjuajtje të bukur dhe jam i kënaqur për punën që ai ka bërë.”