26 janar 2010

Robinho konfirmon se do të largohet nga City

Ylli brazilian Robinho ka konfirmuar se do të largohet gjatë këtij miniafati nga skuadra angleze Manchester City. Robinho do të huazohet te skuadra braziliane Santos për të rritur gjasat për një vend në Botërorin 2010. Santosi ka nisur bisedimet me Manchester City për huazimin e këmbëshpejtit. Marrëveshja pritet të finalizohet gjatë javës së ardhshme. "Unë do të përmirësoja gjasat e mia nëse kaloj në Santos. Trajneri im Roberto Mancini më ka thënë se do të luajë rregullisht në City. Mirëpo, unë i kam thënë se nuk jam i interesuar të rrezikoj pasi është viti i Botërorit", ka thënë Robinho për radiostacionin brazilian "Radio Bandeirantes". Robinho 26-vjeçar të dielën është aktivizuar me Cityn në fitoren 4:2 në FA Cup të Anglisë ndaj Scunthorpe United. Braziliani shënoi golin e katërt në këtë sfidë. "Unë dua të luaj si startues. Dua të gjejë formën më të mirë. Jemi vetëm katër-pesë muaj larg Botërorit. Të gjithë e dimë se në Brazil është konkurrenca e madhe për një ftesë", ka thënë Robinho. Bisedimet për huazimin e Robinhos i ka konfirmuar edhe presidenti i Santosit, Luiz Alvaro de Oliveira Ribeiro."Ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Ardhja e Robinhos do të ishte atraksion", ka thënë Ribeiro. Robinho ishte pjesë e skuadrës të parë të Santosit nga viti 2002 deri më 2005. Ai është produkt i Akademisë së kësaj skuadre. Nga Santosi u largua në verën e vitit 2005 për t'iu bashkuar Real Madridit për 24 milionë euro dëmshpërblim. Në City ai gjendet që nga vera e vitit 2008. Ai u transferua për shumë rekorde në futbollin britanik, 48 milionë euro.