16 janar 2010

Permbledhje Lajmesh per Futbollin dhe Futbollistet Shqiptar..

Flamurtari humb miqësoren me Osijekun

Vlonjatët kanw kryer testin më të fortë në këtë përgatitore dhe do të kthehen në Vlorë
Flamurtari e ka mbyllur me një ndeshje miqësore përgatitoren që po kryen në Mecigorje të Bosnjës. Përballë ekipit vlonjat ka qenë Osijek i Kroacisë dhe kështu, pas Vardarit, tashmë Flamurtari ka matur forcat me një tjetër ekip të fortë. Ndeshja është humbur 1-2, edhe pse të parët kanë kaluar në avantazh vlonjatët me anë të Sakajt me 11-metërsh, madje duke e mbyllur pjesën e parë 1-0. Ndeshje miqësore që, sipas stafit teknik të ekipit vlonjat, i kanë vlejtur Flamurtarit dhe pa dyshim në dy të parat ka arritur të regjistrojë fitore dhe vetëm kjo e fundit është humbur.
Pikërisht për këtë qëllim, trajneri i Flamurtarit është shprehur i kënaqur me faktin që jo vetëm ka arritur të zbatojë programin stërvitor, por mbi të gjitha ka zhvilluar edhe teste miqësore, teste të cilat i kanë shërbyer për të parë gjendjen e ekipit, por mbi të gjitha prurjet e reja në ekip.
Kështu, sipas informcioneve, duket se stafi teknik i Flamurtarit ka mbetur i kënaqur mbi të gjitha me repartin mbrojtës, aty ku tashmë pas mbërritjes se Gramit dhe Pulitzit, mbrojtja bëhet edhe më solide, po t’i bashkangjitësh edhe lojtarë, si Veliu apo Sakaj e Begaj, pa harruar edhe shumë alternativa, si Beqiri, Guga e ndonjë tjetër. Megjithatë, edhe repartet e tjera, sipas stafit teknik të Flamurtarit, duket se nuk mbeten prapa, kjo duke parë edhe golat e realizuar deri tani në ndeshjet miqësore të luajtura nga vlonjatët.
Kështu, duket se edhe sulmi nuk ka mbetur prapa, ku pa dyshim roli kryesor mbetet te Shehaj, një lojtar që duket se kërkon të fitojë kohën e humbur në fazën e parë, një rikthim që mbi të gjitha pritet t’i japë më shumë alternativa Flamurtarit në repartin ofensiv. Ndërkohë, pas mbërritjes së dy lojtarëve të thirrur nga trajneri i kombëtares Kuzhe, ekipi vlonjat është edhe më i plotë në Mecigorje, duke bërë që pjesa kryesore e kësaj faze përgatitore të zhvillohet e plotë nga trajneri Magani, i cili ka kërkuar qysh në fillim që ekipi të ishte pa mungesa.
Pritet që pas ndeshjes së tretë dhe të fundit miqësore, Flamurtari të rikthehet në Vlorë, aty ku përgatitjet do t’ia lënë vendin ndeshjes së parë të vitit 2010, pikërisht ndaj Besës, ndaj një ekipi që mban vendin e dytë dhe natyrisht është përforcuar edhe gjatë merkatos së dimrit. Por duket se diçka e tillë shumë pak ka ngjallur interes te vlonjatët, të cilët kërkojnë të paraqesin Flamurtarin e pjesës së dytë, me një fytyrë krejt ndryshe dhe në kërkim të rezultateve të dëshiruara. Pikërisht për këtë fakt, edhe vetë kreu i pankinës vlonjate shprehet se në këto përgatitje nuk është menduar vetëm për Besën, por për të gjithë kundërshtarët.

Kastrioti, miqësorja e radhës me Laçin

Sot skuadra e Kastriotit do të zhvillojë në kompleksin sportiv të ekipit kombëtar ndeshjen e katërt miqësore. Këtë herë drejtuesit e skuadrës krutane kanë zgjedhur skuadrën rivale, Laçi. Ashtu siç ndodh në të tilla raste, takimi sotëm do të shërbejë për të testuar futbollistët e ardhur gjatë ditëve të fundit.
Ajo që duhet pranuar është se ditët fundit kanë në qenë mjaft intensive për drejtuesit e skuadrës krutane, ku afrimi i futbollistëve cilësorë ka qenë detyra primare për ta. Në një prononcim, Ramazan Ndreu sqaron se prania e ish-portierit kombëtares sonë, Ilion Lika, nuk ka aspak lidhje me merkaton që po kryen skuadra e tij. “Prania e portierit të njohur Lika nuk ka lidhje me merkaton tonë. Ai thjesht po kryen stërvitje individuale dhe pas disa ditësh do të largohet, për t’iu bashkuar skuadrës së tij në kampionatin rus,” - ka thënë Ndreu.
Mësojmë se gjatë këtyre ditëve pritet të vijnë futbollistë të tjerë, madje nga Kroacia, ku ndërmjetës për sjelljen e tyre është ish-futbollisti i skuadrës krutane, Besnik Prenga. Por ajo që duhet pranuar është se këto ditë te skuadra krutane ka një mbipopullim me futbollistë të ardhur nga kampionatet e huaja, ku numrin më të madh e zënë futbollistët e ardhur nga Maqedonia. Drejtuesit e skuadrës krutane pohojnë se jo vetëm ndeshjet brenda grupit, por edhe ndeshjet miqësore, do të përcaktojnë shumë gjëra për të ardhmen e futbollistëve në merkato. Siç dihet, skuadra krutane ka zhvilluar tri ndeshje miqësore, ku janë shënuar dy fitore dhe një barazim.

Shehi: Besa, e plotësuar në të tri repartet

Portieri durrsak Orges Shehi beson se verdhezinjtë tashmë ndihen më të fortë se vjet
Askush nuk e thotë dot të kundërtën e asaj, që blerja më e mirë e këtij sezoni mbetet “gardiani” Orges Shehi. Falë klasit të tij dhe përvojës, ai i ka dhuruar Besës mjaft pikë dhe deri në javën e 10-të ishte portieri që kishte pësuar vetëm dy gola. Në fakt, Shehi shpesh u vu në pozitë të vështirë edhe për faktin se Besa në mbi 90% të takimeve ruajti fitoret minimale 1-0 dhe sigurisht që kundërshtari u shty drejt portës verdhezi. Ja çfarë thotë portieri Orges Shehi në intervistën e tij:
‑ Si do ta përshkruanit Besën e sotme, krahasuar me atë të dhjetorit?
- Unë gjithnjë e kam thënë se Besa, krahasuar me të gjitha ekipet, përjashto Dinamon, ndihet e kompletuar që në korrik, kur edhe u grumbulluam. Vetë lojërat që kemi zhvilluar të bindin për këtë. Nëse nuk kemi më shumë pikë, kjo për defektin e vetëm se kemi shpërdoruar shumë raste shënimi. Kështu, që kjo Besë e janarit nuk ndryshon shumë dhe s’ka pse të ndryshojë në fakt. Ashtu siç ka deklaruar trajneri ynë, Duro, ne kemi nevojë ndoshta për vetëm dy lojtarë, e shumta tre.
‑ Ardhja e Sinanit mjafton?
- Sinani e ka shkruar historinë me golat e shumtë të shënuar. Nuk kam çfarë të shtoj më tepër, vetëm se besoj që me fanellën e Besës ai do të jetë një ndihmë e madhe. Te Besa ekziston një klimë e shkëlqyer mirëkuptimi dhe harmonie e më duket se Sinanit pikërisht kjo i duhet, ashtu si çdo futbollist. Te ne do të shënojë edhe golat që la mangët në Shkodër, edhe golat për llogari të fanellës verdhezi, sigurisht duke pasur në krah një tjetër sulmues plot përvojë e vlera, si Daniel Xhafaj.
‑ Që do të thotë se tashmë sulmi e ka gjetur “ilaçin”?
- Në fakt, loja jonë sulmuese nuk ka çaluar asnjëherë e Xhafaj i vetëm ka bërë maksimumin. Por duhet pranuar se, nëse deri dje Danieli shpenzonte mjaft energji, tani me ardhjen e Sinanit, bëhet më e lehtë puna për të. Ndryshe kur ke dy golashënues të aftë në ekip, pa harruar edhe Mancakun apo të riun Cikalleshi. Tashmë Besën e shoh më të fortë se në dhjetor.
‑ Bizhdili nuk dorëzohet dhe kërkon titullin. Ju keni të njëjtin mendim?
- Përse të mos besoj, kur vetë presidenti ka besim te ne? Falë përvojës, e di që nuk do të jetë e lehtë, pasi Dinamo na është shkëputur, por derisa ka shumë javë në dispozicion, lufta mbetet e hapur. Jemi ne që nuk duhet të gabojmë dhe, nëse e bëjmë këtë, atëherë me plot gojën them se titulli mbetet objektivi ynë deri në fund.

Kavajasit, sot miqësore me Gramozin

Sot, në orën 12:00, në kompleksin e Kamzës, ekipi verdhezi do të zhvillojë miqësoren e fundit para rifillimit të kampionatit. Përballë do të ketë Gramozin e kjo sfidë shihet edhe si një lojë ku secili të tregojë se e meriton të jetë ndaj Realit me datën 20 janar. Dihet se Gramozi ka kërkuar përforcime nga Besa e sot trajneri Agim Canaj ka rastin të shohë se kush nga verdhezinjtë i duhet ndaj Realit.

Shkumbini, sot kthimi nga Ulqini

Periudha e grumbullimit të ekipit të Shkumbinit në Ulqin të Malit të Zi i ka shërbyer trajnerit Daiu për t’u dhënë ngarkesën e duhur fizike futbollistëve për të përballuar gjysmën e dytë të sezonit, por edhe për të përforcuar ekipin me elementë të tjerë. Kjo ka qenë e nevojshme, sepse nga ekipi janë larguar disa futbollistë, si Dervishi dhe Gjata, që nuk udhëtuan me ekipin në Ulqin, por edhe mbrojtësi Xhyra, që përfundoi me ekipin e Gramozit të Ersekës gjatë ditëve të përgatitjes ulqinake. Për trajnerin Daiu është bërë një punë e studiuar për forcimin e ekipit, duke afruar lojtarë me vlera.
Kosovari Dritan Krasniqi dhe serbo‑boshnjaku Edin Ferizoviç e kanë blinduar repartin e mbrojtjes. por konkurrenca pritet të jetë edhe më e madhe edhe në mesfushë me ardhjen e Shenajt dhe Altin Brajeviçit nga ekipi i Novi Pazarit. “Kemi gjetur kushte të mira në Ulqin në çdo drejtim dhe jemi përpjekur të shfrytëzojmë në maksimum për marrjen e ngarkesave fizike, pa harruar punën me topin në fushë. Unë si trajner jam i kënaqur edhe nga përforcimet, duke e plotësuar ekipin në të tri repartet,” - pohon trajneri Daiu. Shkumbini sot i jep fund qëndrimit në Ulqin, ku zhvilloi përgatitjet e dimrit. Në këtë qytet ekipi qëndroi dy javë, ku zhvilloi dy miqësore. Kthimi pritet të bëhet në mbrëmje

Kombëtarja, miqësore me Irlandën e Veriut më 3 mars

Zyrtare, Irlanda e Veriut më 3 mars në Tiranë. Trajneri Josip Kuzhe anulon miqësoren me Luksemburgun, pas ftesës së pranuar nga irlandezo-veriorët. Nuk do të jetë Luksemburgu kundërshtari i Shqipërisë në miqësoren e 3 marsit, por Irlanda e Veriut. Lajmi zyrtar është konfirmuar nga shefi i zyrës së shtypit në FSHF, Tritan Kokona. “Është vendosur zyrtarisht që më 3 mars të luajmë me Irlandën e Veriut në “Qemal Stafa”, - ka zbuluar Kokona.
Ky kundërshtar, që i përshtatet kombëtares sonë për nga niveli, ka qenë zgjidhja më e mirë për trajnerin kroat të kuqezinjve, Josip Kuzhe, kjo edhe për faktin se ndeshja do të luhet para publikut të zjarrtë kuqezi. Ftesës së bërë nga Luksemburgu FSHF nuk i kishte kthyer përgjigje pozitive, por as negative, pasi ka pritur të arrihet marrëveshja me një kombëtare më të fortë, siç është Irlanda e Veriut. KërEliminatore per Europiansa për miqësore u është dërguar disa kombëtareve me emër, siç janë Turqia dhe Rusia, por përgjigjen pozitive e ka sjellë Irlanda e Veriut. FSHF dhe trajneri Josip Kuzhe nuk janë menduar gjatë, duEliminatore per Europian e pranuar ftesën e irlandezo-veriorëve. Shqipëria është ndeshur 8 herë me Irlandën gjatë gjithë historisë së saj dhe ka marrë dy fitore, dy barazime dhe katër humbje. 6 takime janë luajtur në kuadër të eliminatoreve të botërorit, ndërsa vetëm 2 për eliminatoret e europianit. Ballafaqimi i parë daton më 07.05.1965 në transfertë, i fituar thellë 4-1 nga irlandezo-veriorët. Në takimin e kthimit Shqipëria ka barazuar 1-1 me gol të Medin Zhegës, duEliminatore per Europian bërë që Irlanda e Veriut të mos kualifikohej në botëror. Në ndeshjen e fundit për botërorin “Francë 1998”, e zhvilluar në Zvicër (pas ngjarjeve të ’97 ndeshjet brenda luheshin në fushën asnjanëse), Shqipëria ka fituar 1-0 me gol të Mahir Halilit.

Ndeshjet Shqiperi-Irlande e Veriut

24.11.1965 Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-1 (Boteror)
15.12.1982 Shqipëri-Irlandë e Veriut 0-0 (Europian)
27.04.1983 Irlandë e Veriut-Shqipëri 1-0 (Europian)
09.09.1992 Irlandë e Veriut-Shqipëri 3-0 (Boteror)
17.02.1993 Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-2 (Boteror)
14.12.1996 Irlandë e Veriut-Shqipëri 2-0 (Boteror)
10.09.1997 Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0 (Boteror)

Sead Haxhibuliç, blerja e bujshme e Vllaznisë

Ekipi shkodran ka gjetur zëvendësuesin e Sinanit, një ndër më të lakuarit në këtë merkato dimri
Apolonia jep miratimin për kalimin e Sead Haxhibuliçit te Vllaznia. Futbollisti serb është tashmë i skuadrës shkodrane dhe mund të quhet pjesë e saj. Ai dje pasdite ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me kuqeblutë. Në këtë mënyrë, bëhet realitet një nga objektivat e shkodranëve në merkato. Ata prej disa ditësh e kishin kërkuar ish‑kapitenin e fierakëve, por pritej vendimi i presidentit të këtij klubi për dhënin e lejes së aktivizimit.
Vendimi për këtë është marrë pikërisht dy netë më parë, teksa presidentët e të dy klubeve, Koço Kokëdhima dhe Valter Fushaj, janë takuar e kanë biseduar për këtë çështje. Presidenti fierak merret vesh që ka qenë dakord për lejimin e këtij lojtari për të luajtur në Shkodër.
Madje, ai nuk ka vënë shumë kushte në lidhje me këtë kalim. Ndryshe nga sa flitej për shkëmbim me një apo dy futbollistë të Vllaznisë, në takimin në fjalë nuk është diskutuar shumë për një çështje të tillë. Presidenti i klubit shkodran e ka vlerësuar së tepërmi gjestin e homologut të tij për të mos nxjerrë pengesë për transferimin e këtij lojtari, ndonëse ai është nën kontratë me Apoloninë. Dalja e Haxhibuliçit në stërvitje me skuadrën shkodrane po bën që marrëveshja mes dy palëve të kthehet në realitet.
Lojtari ka ardhur në formë huazimi deri në fund të sezonit. Ky është pakti paraprak që është bërë me presidentin e Apolonisë, Kokëdhima. Ndërkohë, fierakët nuk duan të marrin në këmbim ndonjë lojtar kuqeblu, ku flitej për Hallaçin, që pëlqehej nga trajneri Lika. Me ardhjen e Haxhibuliçit sulmi shkodran kompletohet. Ka qenë vetë trajneri Edi Martini që kishte ngulur këmbë në marrjen e këtij lojtari. Fakti që Vllaznia kërkonte një sulmues, e bënte më të mundshme arritjen e marrëveshjes me këtë lojtar, ngaqë në fund të fundit njihet mirë dhe është përshtatur me kampionatin shqiptar.
Së bashku me Balën ata formojnë një dyshe shumë të mirë, e cila do të jetë problem për të gjitha mbrojtjet kundërshtare. Në këtë mënyrë, me marrjen edhe të Sead Haxhibuliçit, shkodranët e çojnë në katër numrin e blerjeve, pas Krajës, Belishës dhe Lecit.
Në këtë mënyrë, skuadra e Vllaznisë po shkon drejt konturimit të plotë të saj pas merkatos intensive që është duke zhvilluar. Ndërkohë, dje në ekip ka ardhur Aleksandër Sreçkoviç, mbrojtësi i majtë i Apolonisë, po që ai sot do të largohet, pasi shkodrantë kanë nevojë për një mesfushor të majtë, pasi roli i tij është mbuluar më së miri nga Leci dhe nuk është nevoja edhe për serbin.

Bie poshtë pista “Zendeli” për portën

Ardhja dhe ikja e disa portierëve që ishin në provë te Vllaznia, ka bërë që dilemat për gjetjen e një portieri të mirë të shtohen. Largimi i pesë serbëve dhe malazezëve i hapi rrugë afrimit të shqiptaro‑maqedonasit Zendeli. Këtë e pati deklaruar pak ditë më parë vetë presidenti Fushaj, që e shihte si mundësi për merkaton. Megjithatë, në ditët në vazhdim nuk pati asnjë gjë të re në këtë drejtim dhe për rrjedhojë dje është konfirmuar zyrtarisht se Zendeli nuk është në planet e Vllaznisë.

Feniksi do të provohet edhe disa ditë

Lojtari anglez Xhemi Feniks, që është në provë te Vllaznia, ende nuk dihet nëse do të qëndrojë apo jo. I ardhur me rekomandimin e menaxherit Rudi Vata, 29-vjeçari ka bërë një paraqitje të mirë në miqësoren ndaj Gramozit. Ai u aktivizua në pjesën e dytë dhe shënoi golin e tretë. Por ndërkohë në seancat e së enjtes dhe ato të ditës së djeshme, nuk është se ka bërë ndonjë gjë të veçantë. Kështu, drejtuesit e skuadrës kanë vendosur ta shohin edhe një herë mirë në miqësoren e sotme me Apoloninë.

Nallbani: Fitorja me Dinamon ndryshon llogaritë

Kur duhen edhe 8 ditë nga derbi me blutë, duket se kanë filluar replikat në të dy kampet
Bardheblutë, pavarësisht se po stërviten në Kemer të Turqisë, duket se kanë filluar të mendojnë edhe për ndeshjen që do të zhvillojnë me ekipin e Dinamos. Derbi me blutë që do të zhvillohet më datën 24 janar pritet me mjaft interes, nga të dy kampet, por në atë bardheblu kjo shihet si përballja e sezonit për vetë faktin se në rast se “djemtë” e Tafajt do të mposhtin Dinamon, atëherë do ngushtohej diferenca me kryesuesit. Pavarësisht se duhen plot 8 ditë nga ndeshja me Dinamon e vendit të parë, në kampin bardheblu kanë filluar replikat, duke e ndezur akoma më tepër atmosferën në prag të derbit të vetëm të kryeqytetit.
Gjatë një prononcimi për “Sportin shqiptar”, portieri veteran i kampionëve në fuqi, Blendi Nallbani, duket se e sheh të hapur ndeshjen, madje kësaj radhe Tirana është më e fortë në të gjitha drejtimet. “Për sa i përket ndeshjes me Dinamon, normalisht është një përballje e vështirë, pasi luajmë me ekipin kryesues, aq më tepër që është edhe një ndeshje derbi, por ne jemi motivuar për ta fituar takimin. Kjo Dinamo nuk ka brirë, edhe pse ndodhet në vendin e parë, ndaj ne do të bëjmë ç’është e mundur që ta kalojmë me sukses sfidën e parë zyrtare për vitin 2010.
Një tripikësh me blutë do ta hapte garën dhe do të ndryshonte llogaritë. Kështu do të na rriteshin akomë më tepër shpresat për titullin kampion. Gjithsesi, unë jam një lojtar me eksperiencë dhe, duke pasur parasysh edhe vitet që kam mbi supe, në gjysmën e mbetur të sezonit duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar, duke mos bërë diferenca të tipit vendi parë apo i fundit. Për ne të gjitha ekipet janë njësoj,”- tha fillimisht “gardiani” i bardhebluve, Blendi Nallbani.
Ndërkohë, “Tata” foli edhe për largimin e mundshëm të sulmuesit Migen Memelli nga bardheblutë. “E kam dëgjuar në ambientet brenda ekipit apo nëpërmjet mediave dhe kam mësuar se Memelli mund të largohet nga skuadra jonë. Normalisht mua më vjen keq, sepse do të kisha dëshirë që ky grup lojtarësh të ruhet, pasi një vit më parë u shpallëm kampionë dhe një gjë të tillë mund ta bëjmë edhe këtë vit nuk është aspak çudi.
Dihet që Memelli një vit më parë ka qenë sulmuesi kryesor në skuadrën tonë, madje fitoi edhe “Këpucën e artë”. Në fund Nallbani foli për ardhjen e sulmuesit Sebino Plaku dhe periudhën e mirë që është duke kaluar skuadra në Kemer: “Shpresoj që Plakut t’i ecë më mbarë në skuadrën tonë.
Porosia ime e vetme, duke qenë se është një lojtar ende i ri, është që të mobilizohet gjithnjë si në stërvitje ashtu dhe në ndeshje, sepse fanella e Tiranës është e rëndë. Për sa i përket stërvitjes, çdo gjë po ecën normalisht, shikoj impenjim te të gjithë lojtarët dhe kam besim se falë punës që po bëjmë këtu, shumë shpejt edhe frytet e saj nuk do të na mungojnë,”- përfundoi portieri i bardhebluve, Blendi Nallbani.

Tirana fiton miqësoren e parë turke

Pas testit të parë të humbur me seleksionin algjerian, dje bardheblutë zhvilluan miqësoren e dytë dhe e fituan 2-1, me gol të Muzakës me penallti dhe të Mukës. Kësaj radhe përballë tyre ishte një ekip i kategorisë së tretë turke, edhe pse u tha se do të luhej me Malatiasporin. Trajneri Alban Tafaj, me përjashtim të Memellit, Dabullës dhe Karabecit, i kishte të gjithë lojtarët në dispozicion.

Plaku, 45 minutat e para bardheblu

Në miqësoren që skuadra e Tiranës ka zhvilluar dje në mesditë në Antalia, në pjesën e dytë është aktivizuar edhe sulmuesi që vetëm pak ditë më parë është bërë pjesë e Tiranës, Sebino Plaku. Të enjten në mbrëmje, Plaku iu bashkua skuadrës së tij të re në Kemer, ndërkohë që dje ai është aktivizuar në 45 minutat e dyta, duke lënë mbresa me lojën e tij. Kështu, Sebino Plaku ka bërë 45 minutat e para si bardheblu.

Bakaj: U lodha me fjalë merkatoje, kam Dinamon!

Sulmuesi Elis Bakaj kërkon të përqendrohet te derbi dhe nuk mendon për transferimin
Elis Bakaj është bashkuar prej disa ditësh me skuadrën e Dinamos, pas “zborit” disaditor me kombëtaren B nën drejtimin e trajnerit kroat Josip Kuzhe. Janë të shumtë zërat që e çojnë Bakajn në një skuadër të njohur në Europë. Është përfolur për një interesim të Borusias së Dortmundit, por edhe të Kievos së Italisë. Por vetë lojtari kërkon të fokusohet vetëm te stërvitja dhe skuadra e tij aktuale, Dinamo.
Në një intervistë me anë të linjës telefonike direkt nga Turqia, nr.19 i bluve “skanon” vetveten, por njëkohësisht analizon edhe merkaton e bluve në këndvështrimin personal. Derbi me Tiranën nuk amplifikohet nga kryegolashënuesi i kampionatit të 71-të kombëtar dhe Bakaj është në linjë me deklaratën e shokut të skuadrës, Igli Allmuça, disa ditë më parë në “Sportin shqiptar”. Kështu, dinamovitët kërkojnë të mos bëjnë parashikime, por t’ia lënë fushës së blertë rezultatin e sfidës.

“Zbori” kuqezi

“Jemi stërvitur intensivisht në “zborin” e kombëtares nën drejtimin e trajnerit Josip Kuzhe, dhe mund të them se gjysmën e fazës përgatitore e kemi zhvilluar atje. Ishte një stërvitje me ritme të larta, por që vlejti në disa drejtime për ne futbollistët që ishim pjesë e saj.”

Dinamo

“Prej disa ditësh jam rikthyer pjesë e Dinamos dhe tashmë po përqendrohem totalisht tek ekipi im. Po punojmë fuqishëm nga dita në ditë dhe kemi shumë ngarkesa. Ende nuk jemi çliruar plotësisht dhe na duhet ende punë për të arritur 100% e formës sonë, edhe pse forma aktuale është tepër pozitive.”

Merkatoja blu

“Nuk më takon mua të flas për merkaton e Dinamos, por meqenëse po ma drejtoni këtë pyetje, po ju përgjigjem, gjithnjë në këndvështrimin personal. Largimi i Sebino Plakut mendoj se është pozitiv për vetë lojtarin, pasi mua më bëhet qejfi që ai u largua, për të gjetur vetveten në rradhët e Tiranës. Jam i bindur që ai ka shumë për t’i dhënë futbollit shqiptar. I uroj fat kudo që të jetë. Në fund të fundit, edhe drejtuesit e kanë bërë për të mirën e tij, sepse siç kanë rrjedhur ngjarjet në kampin blu, Sebinoja s’ka pasur shumë hapësira në dispozicion. Për sa u takon ardhjeve, do të thoja që Emiliano Vila është një futbollist që s’ka nevojë për reklamë, atë e njeh i gjithë opinioni sportiv në Shqipëri dhe me të do të jemi akoma më të fortë. Ndërsa Maksimiliano Timpanaro mbetet për t’u parë gjatë kampionatit, sepse vetëm në stërvitje s’mund të dalim në konkluzion për një lojtar që sapo është afruar te Dinamo dhe ne s’e kemi parë më parë çfarë cilësish ka si futbollist.”

Derbi

“Si gjithnjë, do të jetë një ndeshje luftarake në të gjitha drejtimet. Sigurisht, Dinamo do të japë më të mirën e saj për ta fituar takimin, por edhe unë jam në një linjë mendimesh me shokët e skuadrës: preferoj t’ia lë fushës së blertë rezultatin e ndeshjes, pasi në derbi s’ka parashikime. Një sfidë e tillë i ka gjithnjë të tri rezultatet brenda saj.”

Transferimi

“U lodha me fjalët që thuhen poshtë e lart, Bakaj këtu dhe Bakaj atje. Dua të përqendrohem 100% te Dinamo. Përpara kemi një ndeshje derbi dhe unë nuk mendoj më për transferimin tim. E përsëris që jam i përqendruar te Dinamo dhe pak më intereson çfarë do të bëhet me të ardhmen time. Nëse largohem, shumë mirë, nëse rri këtu, aq më mirë për mua. Dua të shpallem kampion,”- deklaron autori i 10 golave me fanellnë blu gjatë sezonit 2009-2010, Elis Bakaj.

Dëmtohet kapiteni Arian Pisha

Gjatë seancës stërvitore të ditës së enjte kapiteni i Dinamos, Arian Pisha, ka pësuar një dëmtim gjatë një dyluftimi me njërin nga shokët e skuadrës. Bëhet fjalë për një shembje në këmbë dhe lojtarit, pasi ka kryer grafinë, do t’i duhet të pushojë për 3 ditë. Shqetësime ka edhe Rafael Soza, i cili nuk është stërvitur dje me skuadrën.

Dinamo-Tirana, analizohet çështja “G.Muça”

Bashkëpunimi midis dy klubeve të kryeqytetit, Dinamo dhe Tirana, për sulmuesin Sebino Plaku, dje ka përfshirë edhe çështjen “Gentian Muça”. Dihet që lojtari në fjalë është pronësi e bardhebluve, por drejtuesit dinamovitë kanë bërë një ofertë që nr.3 i Dinamos të përfshihet në marrëveshjen e transferimit të Sebino Plakut. Gjërat do të sqarohen vetëm gjatë ditëve në vazhdim.

Xhemaili me Parmën i pret punë e vështirë

Blerim Xhemaili javën e kaluar shënoi gol kundër Livornos, ndërsa këtë javë me Parmën kanë punë të vështirë kundër skuadrës së Udineses, në kuadër të javës së 20-të të Serie A të Italisë në futboll. Udinese është në pozitën e 16-të me vetëm 19 pikë dhe kjo nuk do të thotë asgjë pse janë aq poshtë në tabelë, që Parma të llogaritet edhe favorite. Parma e Xhemailit në vendin e tetë të tabelës së klasifikimit me 28 pikë, është shumë e kujdesshme për faktin se Udinese gjithmonë është treguar “macja e zezë” si udhëtuese. Xhemaili pritet të jetë titullarë si zakonisht te Parma dhe bartës i lojës.

Shqiptarët premtojnë fitore kundër Munich 1860

Gjashtë shqiptarët e Koblenzit, vëllezërit Shefki e Njazi Kuçi, Edmond Kapllani, Shqipëron Skeraj, Almir Murati e Ervin Skela, premtojnë fitore të dielën (ora 13.30) kundër Munich 1860, në ndeshjen e javës së parë përkatësisht të 18-të të Ligës së Dytë të Gjermanisë në futboll. Shefki Kuçi, Skeraj, Skela, Kapllani, pritet ndeshjen të nisin titullarë ndaj Munich. Koblenzi është në pozitë të vështirë në luftë për sigurimin e ekzistencës, për faktin se pozita e 17-të më 12 pikë e largon një rang më poshtë. Munich renditet i 12-të me 22 pikë dhe udhëton me bindje të merr pikë. Koblenzi kërkon tri pikë të plota dhe të shpresës së madhe për mbetje në ligë.

Granit Xhaka titullar te Baseli

Talenti më i madh shqiptar, Granit Xhaka, luajti titullar te skuadra e Baselit në ndeshjen miqësore që e zhvilluan me skuadrën holandeze, Alkmaarin. Kjo ndeshje përfundoi me rezultat 2:0 në të mirë të holandezëve. Ndeshjen miqësore Baseli e nisi me tre shqiptarë titullarë, Beg Feratin, Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën. Taulant Xhaka është inkuadruar në pjesën e dytë të lojës. Ballafaqimi mes Alkmaarit dhe Baselit është zhvilluar në stadiumin e qytetit në Marbella të Spanjës. Të katër shqiptarët luajtën mjaft mirë dhe ishte edhe një test i mirë i trajnerit që të shoh formën e secilit futbollist. Granit Xhaka luajti 45 minutat e parë të ndeshjes me sukses të plotë dhe është zëvendësuar në pjesën e dytë nga futbollisti Perovic. Xhaka pati paraqitje të mirë dhe për çka ishte i kënaqur edhe vet trajneri i Baselit. Në ndeshjen me Alkmaarin luajti Ferati 70 minuta, ndërsa Shaqiri ishte titullarë tërë ndeshjen, kurse Granit Xhaka 45 minuta dhe Taulant Xhaka luajti nga minuta e 46-të e pjesës së dytë të ndeshjes. Golat e fitores për skuadrën holandeze i shënuan futbollistët Mendes da Silva (36’) e Lens (70’). Trajneri i Baselit, Thorsten Fink, pas ndeshjes mes të tjera ka thënë: “Kuptohet Alkmaar ka një ekip të mirë dhe një trajner të mirë. Për ne kjo ishte një provë e vlefshme. Kemi provuar futbollistët si Granit e Taulant Xhakën, Janick Kamber dhe Marko Bicvic. Ata të gjithë kanë talent dhe do të jenë edhe e ardhmja e kësaj skuadre”. Duhet theksuar se gjatë kësaj miqësore Baseli ka pasur mundësi të mira të shënoi sidomos në pjesën e parë të ndeshjes, kur shqiptari Xherdan Shaqiri në minutën e 11-të nuk e realizoi një rast të mirë, pastaj Alex Frei (31’) Dhe Almerares Federico (73’). Ndeshjen e radhës Baseli në Marbella do të takohet me skuadrën maqedonase, Pelisterin e Manastirit, e cila zhvillohet më 18 janar, ndërsa me 22 janar takohen me Viking Stavangerin nga Norvegjia.

Mavraj e Bochumi kthehen me tri pikë

Mërgim Mavraj, futbollist i dëshmuar, me skuadrën e Bochumit e nisën për mrekulli pjesën pranverore në futboll. Ata si udhëtues me rezultat minimal 2:1 mposhtën skuadrën e Moenchengladbachit. Këto janë tri pikë domethënëse në luftë për ta siguruar mbijetesën në elitën e futbollit gjerman. Mavraj luajti 90 minuta, ka pasur një angazhim të jashtëzakonshëm në fushë më bashkëlojtarët dhe kjo edhe ka dhënë frytet e veta në këtë fitore. Golat e fitores për Bochumin i kanë shënuar futbollistët Sestak (12’) e Dedic (36”), kurse për vendasit Backer (80’). Bochumi zë vendin e 12-të me 19 pikë, ndërsa Moenchengladbachit radhitet një pozitë më lartë me 21 pikë.

Sulimani shënoi në miqësore për Austrinë

Shqiptari Emin Sulimani shënoi gol në fitoren 5:1 që ka arritur skuadra e Austrisë së Vjenës kundër Wienerbergerit. Ky takim është zhvilluar në kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror dhe shqiptari Sulimani dëshmojë formë të mirë. Sulimani ka shënuar gol në minutën e 32-të, duke e barazuar rezultatin 1:1. Pas këtij golit hapet loja e austriakëve, duke e dërrmuar rivalin me rezultat 5:1. Emin Sulimani pati paraqitje të mirë dhe me skuadrën e tij në edicionin pranveror janë kandidatë për titullin e kampionit.

Rama zverdhet në humbjen e lartë

Valdet Rama nuk e ka nisur mirë edicionin pranveror me skuadrën e Hannoverit, të cilët pësuan humbje me shifrat 0:3 nga skuadra e Herthës nga Berlini, në javën e 18-të të elitës gjermane në futboll. Hannoveri nuk e kishte pritur të pësoi humbje para adhuruesve të vet, por si duket Hertha i zuri në gjumë. Rama në minutën e 25-të të pjesës së parë të ndeshjes është ndëshkuar edhe më karton të verdhë. Ky futbollist luajti gjithsej 66 minura,. Kur është zëvendësuar nga futbollisti Hanke. Hannoveri radhitet i 15-ti me 17 pikë, ndërsa Hertha e fundit në tabelë me 12 pikë.

Vëllaznimi drejt normalizimit

Përkundër krizës së madhe financiare që po e përjeton tash e një kohë të gjatë, Vëllaznimi të premten e ka mbajtur stërvitjen e parë, pas festave të fundvit. Në seancën stërvitore kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët, edhe pas tash e tre muaj, ata nuk i kanë marrë pagat.
Lojtarët kanë pranuar t’i nisin përgatitjet për stinorin e ri, pasi drejtuesit e klubit u kanë premtuar atyre se brenda dy - tri ditëve do t’ua kthejnë të gjitha borxhet. Kështu tregoi trajneri i ri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli.

“Të gjithë lojtarët ishin të pranishëm në stërvitje, me përjashtim të Kushtrim Mushicës, i cili ka munguar me leje. Obligimet ndaj lojtarëve, Kryesia ka premtuar se do t’i kryejë brenda dy - tri ditëve dhe lojtarët u treguan të kuptueshëm. Unë besoj se brenda dy apo tri ditëve, lojtarët do t’i marrin pagat e tyre dhe të vazhdojmë me punë normale”, deklaroi Shosholli.
“Në Kryesi, tani janë edhe disa anëtarë të rinj, borxhet ndaj lojtarëve do të kryhen dhe situata do të normalizohet. Në Vëllaznim do të punohet profesionalisht në të gjitha aspektet”, theksoi ai.

Vëllaznimi kërkon Hashanin e Fetahun

Trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli, tha se menjëherë pasi të kryhen obligimet ndaj lojtarëve, drejtuesit e klubit do të tentojnë t’i transferojnë edhe dy apo tre lojtarë të rinj në ekip.
“Ne tashmë jemi duke biseduar me Erdin Hashanin dhe shpresoj që ai të transferohet tek ne. Po ashtu jemi të interesuar edhe për një sulmues, pra për Enis Fetahun, dhe do të mundohemi ta gjemë edhe një lojtar për repartin defanziv”, pohoi Shosholli.

Hyseni përforcon Trepçën

Kampioni vjeshtor i Superligës së Kosovës në futboll, Trepça nga Mitrovica, të premten ka nënshkruar kontratë me sulmuesin e Teutës së Durrësit, Berat Hyseni, i cili në të kaluarën i ka mbrojtur edhe ngjyrat e FC Prishtinës dhe Flamurtarit.
Lajmin e ka konfirmuar, drejtori sportiv i Trepçës, Eroll Vitaku, i cili tregoi se për t’i siguruar shërbimet e Hysenit, klubi i tij është dashur t’ia paguaj një dëmshpërblim Teutës, e cila ka pasur kontratë me ish-sulmuesin e Tiranës.
“Sot (e premte) kemi nënshkruar kontratë për një vit e gjysmë me Berat Hysenin. Hyseni ka pasur kontratë me Teutën e Durrësit, prandaj kemi qenë të detyruar t’ia paguajmë një dëmshpërblim këtij ekipi”, deklaroi Vitaku. Po ai nuk tregoi se sa i ka kushtuar Trepçës pagesa e dëmshpërblimit për Teutën.
“Dëmshpërblim kemi paguar, por ende nuk e di shumën, sepse kolegët e mi të klubit i kanë kryer të gjitha punët, ngase unë nuk kam qenë në Kosovë”, theksoi Vitaku.
Berat Hyseni është përforcimi i katërt i Trepçës, i bërë gjatë këtij pushimi dimëror. Para tij, në klubin mitrovicas është transferuar Patrik Doqi nga Liria, Arbër Malaj nga Flamurtari i Vlorës dhe Niriman Ismaili nga ekipi bolivian FC Lapaz.
Po ashtu, Trepça e ka vazhduar kontratën me Arben Zhjeqin, derisa është ndarë me Enis Fetahun dhe Uliks Emrën. Ndërsa, mitrovicasit tani po përpiqen që të përforcohen edhe me një sulmues tjetër të shkathët, por emrin e tij, tani për tani, zyrtarët e klubit nuk duan ta bëjnë publik.