Ditën e djeshme humori i Patos nuk ka qenë nga më të mirët, pasi sulmuesi i Milanit ka qenë i detyruar të braktisë para kohe stërvitjen, për shkak të një shqetësimi në kofshën e djathtë, që e ka detyruar të mungojë kundër Xhenoas dhe Juventusit. Braziliani, sigurisht nuk do të luajë as në takimin e nesërm kundër Sienës, por në këtë pikë ka mundësi që të mungojë edhe në derbin kundër Interit. Dikush ka folur për një rekuperim paksa të nxituar, dhe fjalët e “Patokut” mund të interpretohen në këtë mpnyrë: “Dua të ndihmoj Milanin të marrë tri pikë në derbi, por dua të rekuperoj formën time në 100%”. Braziliani i ri ka folur edhe për bashkëkombasin e tij Tiago Silva, i cili po paraqitet shumë mirë në këtë sezon: “Tiago Silva do të bëhet mbrojtësi më i fortë në botë.Pas stërvitjeve që ka zhvilluar në Milanelo me Maldinin dhe Nestën është përmirësuar shumë”. I pyetur se cila ka qenë ndeshja më e bukur që kur luan me Milanin, Pato ka thënë se: “Emocionet më të forta i kam provuar në “Bernabeu” kundër Realit. Kemi fituar 3-2 me një dygolësh timin, por vetëm kur kam shkuar në dhomat e zhveshjes, në fundin e takimit, kam kuptuar rëndësinë e rezultatit. Shokët e skuadrës më kanë thënë se Milani nuk kishte fituar asnjëherë në “Bernabeu” dhe kam kuptuar se kisha dhënë ndihmën time për të futur skuadrën time në histori…”.