Milani është rikthyer në stërvitje dje pas humbjes në derbi. Në orën 11:00 skuadra rifilloi përgatitjet për Kupën e Italisë kundër Udinezes nesër në mbrëmje në “San Siro”. Një ndeshje ku Leonardo duhet të bëjë rotacion, duke aktivizuar shumë lojtarë që s’kanë luajtur në periudhën e fundit. Mbi të gjithë Filipo Inzagin, gjithnjë e më nervoz për lëniet e vazhdueshme në stol.“Bomberi” kuqezi do të luajë dyshe me Huntelarin si në rastin e ndeshjes me Novarën. Hapësirë edhe për Sedorfin, i cili ka nevojë të luajë pas pushimeve të javëve të fundit dhe për Flamininë, Jankulovskin e Kalaxen. Do të jetë edhe mbrëmja e rikthimit në portë për Kristian Abiatin, i kthyer të paktën si zëvendës i Didës pas largimit të Storarit te Sampdoria. Për sa i takon stërvitjes së djeshme, lojtarët që luajtën ndaj Interit, zhvilluan punë vetëm në palestër, ndërsa pjesa tjetër e grupit punoi më shumë me topin.