25 janar 2010

Lajme per Futbollistet dhe Futbollin Shqiptar

SISU të shtunën organizon seminar

Në organizim të organizatës suedeze SISU dhe më përkrahje të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës, të shtunën më 30 janar, në orën 13.00, në sallën e kuqe të Qendrës së Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, mbahet seminar për përgatitjen mendore në sport dhe jetën e përditshme. Njëkohësisht do të bëhet edhe promovimi i librit “Integrimi i trajnimit mental ITM në sport” të autorëve Prof. Dr. Lars Eric Unestal dhe Albert Bunjakut.

Isufi: Do ta përfundoj karrierën në Dritë

Futbollisti Bekim Isufi, i cili është njëri prej mesfushorëve më të mirë në Kosovë, edhe më tutje mbetet pa klub. Ai ka thënë se nuk e ka ndërmend të rikthehet në skuadrën e futbollit KEK-u nga Kastrioti, të cilën e ka braktisur para pak ditësh. Sipas Isufit, oferta ka të shumta dhe brenda një jave do të vendosë se në cilin klub do të luajë në stinorin pranveror. “Ka shumë skuadra që janë të interesuara që unë të luajë për to në edicionin pranveror. Të interesuara janë disa skuadra të Superligës që renditen në pjesën e poshtme të tabelës , por ka edhe skuadra që gjenden në pjesën e epërme. Emrat e skuadrave nuk mund t’i bëj të ditur për arsye që mos të krijoi ‘konflikte’ mes klubeve. Mirëpo, brenda një jave edhe do të dihet përfundimisht se në cilën skuadër do të luajë në edicionin pranveror”, tha Isufi. Futbollisti gjilanas për gjashtë muaj ka pasur paraqitje të mirë në radhët e skuadrës së KEK-ut. Ai ka kontratë edhe gjashtë muaji më këtë klub dhe kjo mund t’i paraqet edhe problem që të kaloi në ndonjërën nga klubet e Kosovës. “E di që kam kontratë edhe gjashtë muaji me KEK-un, por nuk jam i interesuar që të vazhdojë me këtë kolektiv sportiv”, theksoi Isufi. Përveç që ka oferta që të kaloi në ndonjë klub tjetër të Kosovës, drejtuesit e Dritës nga Gjilani, Isufit, ia kanë ofruar mundësinë që të jetë koordinator i shkollës së futbollit “Drita”. “Dëshira ime është të punoj me gjenerata të reja sepse pa futbollist të rinj nuk ka edhe të ardhme futbolli”, nënvizoi Isufi. Ky futbollist nuk e ka përjashtuar mundësinë që brenda një kohe të shkurtër që të jetë edhe koordinator i shkollës së futbollit. Nga ana tjetër, mesfushori më përvojë planifikon që në vitin 2010 t’i jep edhe fund karrierës si futbollist aktiv. “Jam duke menduar që t’i jap edhe fund karrierës si futbollist. Kur do të ndodh kjo gjë nuk mund të them saktë, por kjo mund të ndodh se shpejti. Synimi im është që karrierën si futbollist ta përfundoj në radhët e Dritës së Gjilanit”, tha ai. Isufi tha se pas luftës e këndej futbolli ka përparime sidomos në aspektin material dhe në rregullimin e infrastrukturës. “Kushtet materiale janë të mira pas vitit 1999 e këndej madje edhe infrastruktura në shumicën e stadiumeve është e mirë. Edhe cilësia e futbollit gradualisht po shënon rritje dhe vazhdimisht po dalin në sipërfaqe talent të rinj të këtij sporti”, përfundoi Isufi.

Behrami me West Hamin sfidohen nga Portsmouthi

Valon Behrami me West Hamin të martën mbrëma do të luajnë si udhëtues kundër skuadrës së Portsmouthit, ndeshje e vlefshme e premierligës angleze. Futbollisti Behrami së bashku me West Hamin udhëtojnë me ambicie që të arrijnë fitore ndaj Portsmouthit, që kjo e fundit nuk po kalon formë të mirë. West Hami është në pozitën e 17-të me 19 pikë, kurse Portsmouthi zë vendin e fundit me 14 pikë të tubuara. Ballafaqimi mes këtyre skuadrave do të zhvillohet në orën 20.45 dhe të dyja skuadrat kërkojnë pikët në luftë për të siguruar mbijetesën. Behrami pritet të paraqitet si zakonisht titullar dhe të luftojë me shokë për t’u kthyer me pikë.

Shqiptarët e Baselit miqësore me Wohlenin

Katër shqiptarët e Baselit, Beg Ferati, Xherdan Shaqiri, vëllezërit Granit e Taulant Xhaka, pritet të luajnë të martën, në orën 14.00, në ndeshjen miqësore kundër skuadrës së ligës së dytë zvicerane, Wohlen. FC Baseli të dielën është kthyer nga përgatitjet disaditëshe që i zhvilluan në Spanjë, në të cilën trajneri Fink ishte i kënaqur me formën e futbollistëve. Deri më tash shqiptarët që luajnë për këtë skuadër kanë dëshmuar formë të mirë dhe sidomos dy talentet më të rinj, Taulant e Granit Xhaka, që sivjet për herë të parë janë paraqitur në skuadrën seniore. Fink është i kënaqur me Granitin e Taulantin me formën që kanë dëshmuar deri më tash.

Prishtina rifilloi përgatitjet

Kampioni në fuqi, Prishtina, pas dy jave që ishin në pushim ka rifilluar përgatitjet për edicionin pranveror në futboll. Sulmuesi më i mirë i Prishtinës, Astrit Fazliu, është shprehur i kënaqur me stërvitjet e ditës së parë dhe ka thënë se synimet e kësaj skuadre janë që të mbrojnë titullin e kampionit. “Dita e parë e përgatitjeve ka rrjedhur mjaft mirë. Qëllimi ynë është që të jemi sa më të përgatitu kur fillon stinori pranveror dhe kërkojmë ta mbrojmë titullin e kampionit. Jam i lumtur me kushtet që i ka klubi dhe mendoj se askush nuk është më i organizuar se KF Prishtina”, tha Fazliu.

Mehmedi dhe Nikçi me Zurichun mposhtën Omanin

Mehmedi e ka nisur ndeshjen titullar dhe ka luajtur 59 minuta, kur është zëvendësuar nga shqiptari Adrian Nikçi.
Dy shqiptarët, Admir Mehmedi dhe Adrian Nikçi luajtën mjaft mirë në radhët e skuadrës kampione, Zurich, e cila fitoi miqësoren me rezultat 3:2 kundër Omanit. Zurich tashmë e sa ditë është në përgatitjet e përbashkëta në Oman dhe me sukses i ka përfunduar ato, bën të ditur uebfaqja e kësaj skuadre. Admir Mehmedi e ka nisur ndeshjen titullar dhe ka luajtur 59 minuta, kur është zëvendësuar nga shqiptari Adrian Nikçi. Ka qenë një ndeshje mjaft interesante sa i përket edhe rezultatit, për faktin se vetëm në pjesën e parë të ndeshjes janë shënuar katër gola. Në minutën e shtatë të ndeshje Djuric udhëhoqi me rezultat 0:1 Zurich, dhe për 0:2 shënoi Aegerter pikërisht në minutën e 36-të. Vendasit e ngushtuan epërsinë në 1:2 falë golit te Al Hosanit (40’) dhe pas katër minutave edhe e barazojnë 2:2 nëpërmjet të njëjtit futbollist Al Hosani. Dhjetë minuta para se me përfunduar ndeshja kampioni zviceran e siguroi fitoren në këtë miqësore me golin e futbollistit Alphonse. "Ne pa dyshim mund të jemi të kënaqur me rezultatin. Duhet të punojmë më shumë dhe për t’i kapërcyer edhe disa dobësi që kemi”, tha drejtori sportiv Fredy Bickel. Zurich më 30 janar do të zhvillojë ndeshje miqësore kundër skuadrës së ligës së dytë zvicerane, Locarno, kurse pas një dite takohen edhe me Luganon që është kandidate për të hyrë në elitën zvicerane. Zurich mëton të jetë sa më i përgatitur për edicionin pranveror me qëllim që në vazhdim të kampionatit të luftojnë për vend të dytë në tabelën e klasifikimit. Shqiptarët, Mehmedi e Nikçi, në këtë fazë të përgatitjeve të zhvilluara në Oman kanë arritur formën e mirë dhe kanë dëshmuar lojëra të mira. Këta futbollistë luftojnë për të zënë vend në përbërjen e parë të Zurichut në stinorin pranveror. Nuk duhet harruar se Mehmedi dhe Nikçi në stinorin vjeshtor dëshmuan lojëra të mira me kampionin në fuqi, por qëllimi i tyre është që të jenë titullar në përbërjen e parë.

Kuçi - lamtumirë Koblenzit

Përveç Renaldo Ramës, Almir Muratit, Shefki Kuçi është shqiptari i tretë që është larguar nga Koblenzi, që bën gara në ligën e dytë gjermane.
Futbollisti Shefki Kuçi edhe praktikisht e ka braktisur skuadrën e Koblenzit dhe ka kaluar në radhët e skuadrës së championsship të Anglisë apo thënë më mirë në ligën e dytë. Kuçi në edicionin vjeshtor ka qenë njëri prej futbollistëve më të mirë të Koblenzit dhe më meritori për të gjitha ato pikë që ka fituar, gjithsej 13 pikë. Ai në 17 ndeshje ka shënuar shtatë gola pothuajse shumicën e golave të kësaj skuadre. Kuçi vetëm gjashtë muaji luajti në Koblenz dhe u detyrua t’i thotë lamtumirë kësaj skuadre që lufton me mish e më shpirt për mbetje në ligë. Shefki Kuçi, anëtar i kombëtares së Finlandës, të hënën ka firmosur kontratën një vjet e gjysmë me skuadrën e re Swansea. Kjo skuadër në këtë rang të garave renditet në vendin e katërt me 41 pikë pas 24 javësh të zhvilluara. Gjasat e kësaj skuadre janë të mira që të ngjitet në fund të kampionatit në premier ligën angleze. Në skuadrën Swansea luan edhe shqiptari tjetër, Besian Idrizaj. Karakteristikë është se Kuçi me Idrizajn pas dy vjetësh do të jenë së bashku për faktin se në të kaluarën dy vjet kanë luajtur së bashku në skuadrën e njohur angleze, Crystal Palace. Kuçi një sulmues i spikatur dhe që më lojërat e tija ka kënaqur adhuruesit gjatë vjeshtës, nuk ka mundur të përshtatet me skuadrën e Koblenzit. E para, pozita e kësaj skuadre ka qenë jo aq edhe e preferueshme për Kuçin, që është një futbollist i kalibrit të madh. “Jam duke kaluar tek një skuadër që është duke luajtur mjaft mirë. Në stadiumin Liberty, si futbollist i Crystal Palace, stinorin e kaluar kam luajtur mirë dhe kam shënuar një gol. Shpresoj se ky stadium do të më sjell sërish fat”, tha Kuçi. Edhe trajneri i kësaj skuadre Sousa, që është më nënshtetësi portugeze, është i kënaqur që kanë angazhuar në radhët e veta një futbollist të dëshmuar siç është Kuçi dhe një emër u njohur për futbollin anglez. Sousa është i bindur se me Kuçin do të dëshmojnë lojë edhe më të mirë dhe do të arrijnë rezultate edhe më të mëdha.

Edhe Murati largohet nga Koblenzi!

Almir Murati, një futbollist që gjatë vjeshtës më shumë është inkuadruar si zëvendësues te Koblenzi. Ai është ndarë më këtë skuadër dhe sipas uebfaqes zyrtare të këtij klubit, kontrata është shkëputur në marrëveshje në mes dy palëve. Sulmuesi 24-vjeçar në vitin 2009 ka ardhur nga skuadra zvicerane. FC La Chaux-de-Fonds. Murati në vjeshtë ka pasur paraqitje shumë pak në fanellën e Koblenzit gjithsej shtatë ndeshje dhe në shumicën prej tyre është futur në lojë në pjesën e dytë. Para disa ditësh nga Koblenzi është larguar edhe Renaldo Rama dhe kësisoj arrin shifra në tre shqiptar që janë të larguar nga ky mjedis. Tash për tash në Koblenz kanë mbetur shqiptarët, si Shqipëron Skeraj, Ervin Skela, Edmond Kapllani dhe Njazi Kuçi. Duhet theksuar se të dielën që e lamë pas, në radhët e Koblenzit titullar luajtën dy shqiptar: Skeraj e Kapllani. Shqiptarët e mbetur në Koblenz premtojnë lojëra të mira dhe më bindje në sigurimin e ekzistencën në ligën e dytë gjermane.

Refik Halili padit menaxherin Gëzim Mançe

Presidenti i Tiranës, Refik Halili pritet të depozitojë në gjykatë një padi kundër agjentit të FIFA-s, Gëzim Mançe, menaxher i ish-futbollistëve bardheblu, Elandro Pema dhe Narziç Fish.
Halili pretendon se Mançe ka falsifikuar firmën e Fishit, dhe kjo sipas tij, e provuar nga një laborator kriminalistik.
Mançe kishte depozituar në FSHF një kërkesë për Fish, Abraham dhe Pema, ku pretendonte se lojtarët kishin rroga të prapambetura pa marrë.
Ndërkohë, Komisioni i Apelit i dha të drejtë klubit të Tiranës, duke hedhur poshtë kërkesën e menaxherit Mançe.

Dinamo fiton ne derbin kryeqytetas

Dinamo ka fituar 2-1 ne derbin e shumepritur te kryeqytetit me Tiranen.
Skuadra e Shkelqim Muces ka arritur te triumfoje ne nje takim te shoqeruar me nje numer te pazakonte kartonash te kuq: tre per Tiranen (Bici 7’, Nallbani 64’ dhe Muka 89’) dhe nje per Dinamon (Bakaj 89’).
Pjesa e pare e takimit ka gjetur Tiranen ne avantazh 1-0 pas golit te Muzakes ne minutat shtese.
Por ne pjesen e dyte, ne epersi numerike, Dinamo ka shenuar me ane te Malacarne ne minuten e 67-te dhe Bakaj ne te 87-ten.

Skandal në Vlorë, Besa humbje që “djeg”

Kavajasve u mohohen dy penallti, gjyqtari ndryshon tri herë vendimin për një episod
Besa humbet 1-0 në fushën e Flamurtarit dhe dorëzohet virtualisht në garën për titull. Kavajasit nuk arrijnë të ngushtojnë diferencën me Dinamon kryesuese, e të shpresonin në një hap fals të bluve, megjithatë, ajo që “djeg” më shumë është mënyra si ka ardhur disfata në Vlorë. Takimi i zhvilluar dje në mesditë është karakterizuar nga polemikat dhe kaosi në fushën e lojës dhe ndërprerja 12-minutëshe, ku protagonist u bë gjyqtari Remsi Sadiku. Gjithçka ka ndodhur në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, me “bilbilin” kryesor që ka ndryshuar tri herë vendimin për të njëjtin episod. Një aksion i lojtarëve të Besës është ndërprerë me dorë në zonë, por arbitri fillimisht ka akorduar vetëm goditje nga këndi. Vendimi nuk është pritur aspak mirë nga lojtarët dhe stafi teknik i verdhezinjve, të cilët kanë protestuar gjatë në fushën e lojës. Kontestimet e kavajasve sollën një konsultë të Sadikut me vijërojtësin dhe vendimi pasardhës ishte penallti në favor të miqve, që në ato momente ishin në dizavantazh pas golit të shënuar nga talenti Ardit Shehaj kur kronometri tregonte 13 minuta lojë. 11-metërshi i akorduar për kundërshtarët dhe kartoni i kuq për Elton Gramin, ka sjellë radhën e kuqezinjve për të protestuar. Në fushë, përveç lojtarëve dhe stafit teknik, kanë hyrë edhe drejtori sportiv, Geri Çipi dhe presidenti i klubit, njëkohësisht edhe kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Pas debateve dhe presioneve të vazhdueshme, gjyqtari e ka ndërruar përsëri vendimin, duke drejtuar gishtin nga goditja e këndit. Në situatën e krijuar, lojtarët e Besës kanë dalë nga fusha e lojës, ndërsa skuadra ka zbritur në fushë për zhvillimin e pjesës së dytë vetëm pas ndërhyrjes së presidentit Nexhat Bizhdili. Çudia vazhdon në pushimin mes pjesëve: edhe pse ka kthyer vendimin për penallti, arbitri Sadiku nuk ka lejuar futjen e Gramit në fushë, duke bërë që vendasit të luanin në inferioritet numerik në 45 minutat e mbetura. Ndeshja ka vazhduar e tensionuar, me të besuarit e Duros që kanë kërkuar dëshpërimisht barazimin. Në minutën e 85-të, nga loja, me kartonin e kuq është larguar edhe Dragusha, për një faull si lojtar i fundit. Episodet e diskutueshme nuk kanë munguar as në sekondat shtesë: në të 92-n, Xhafaj pengohet në zonë, por për gjyqtarin nuk ka faull. Kavajasit vazhdojnë protestat e ashpra, madje ashtu si në pjesën e parë largohen nga fusha pa pritur fërshëllimën e fundit të takimit. Me rezultatin e djeshëm, edhe pse mes polemikave, Flamurtari merr tri pikë shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Tashmë vlonjatët e drejtuar nga Gugash Magani ngjiten në vendin e dhjetë në renditje. Në anën tjetër, Besa jo vetëm që nuk arrin t’i afrohet Dinamos, por tashmë rrezikon të humbasë edhe vendin e dytë (nëse Tirana fiton në derbin e sotëm).
Në takimet e tjera, Teuta barazon pa gola në fushën e Laçit dhe ngjitet në kuotën e 26 pikëve në 18 takime. “Djemtë e detit” i rrëmbejnë Apolonisë vendin e katërt, duke përfituar nga humbja 1-0 e fierakëve në fushën e Gramozit. Për kolonjarët, vendimtar ishte goli i realizuar nga mbrojtësi Klodian Semina, vetëm 4 minuta përpara mbylljes së pjesës së parë të lojës. Fitore shumë e rëndësishme ajo që Kastrioti regjistron në Korçë: në temperaturën 4 gradë nën zero, krutanët marrin tri pikë falë golit të Abazajt, përballë Skënderbeut që ka luajtur me një skuadër plotësisht të re.

Shpëtim Duro: Ngjarja në Vlorë, një turp i vërtetë

Trajneri i Besës, Shpëtim Duro, nuk e ka kaluar lehtë humbjen në Vlorë. Ai e ka komentuar si një turp disfatën 1-0 përballë Flamurtarit, në një sfidë ku është regjistruar shumë tension dhe janë parë vendime nga më të çuditshmet të “xhaketave të zeza”. “Ajo që ndodhi në sfidën me Flamurtarin ishte një turp i vërtetë”, tha ish-ndihmësi i Oto Bariç në stolin e përfaqësueses shqiptare. “Episodi i regjistruar në çastet e fundit të pjesës së parë ishte qesharak. Të gjithë e panë çfarë ndodhi: Gjyqtari Sadiku akordoi 11-metërsh pasi u konsultua me anësorin dhe ka nxjerrë me karton të kuq mbrojtësin që kapi topin me dorë (Gramin). Por, pas 20 minutash presion nga vendasit vendimi është kthyer dhe arbitri akordoi vetëm goditje këndi. Çudia vazhdon edhe më tej, kur në pjesën e dytë, gjyqtari nuk lejoi futbollistin e ndëshkuar me karton për penalltinë e mohuar të vazhdonte lojën”. Më tej Duro shpjegoi vendimin e skuadrës për të hyrë në fushë në pjesën e dytë, ndërsa nuk kurseu presidentin e Flamurtarit, Shpëtim Gjika: “Ne vazhduam ndeshjen pas vendimit të presidentit Bizhdili, për të respektuar publikun, tifozët dhe njerëzit që e duan futbollin. Megjithatë, ajo që ndodhi ishte e papranueshme, mbi të gjitha kur njerëzit e veshur me pushtet, si kryebashkiaku Gjika hyjnë në fushën e lojës dhe i ushtrojnë presion arbitrave që të kthejnë vendimin”.

Tafaj “provokon” derbin: Fitorja, për t’i kujtuar Dinamos pikët e pamerituara

Vetëm pak orë përpara se skuadrat të zbresin në fushën e lojës, Alban Tafaj ka nxehur atmosferën e derbit kryeqytetas. Tirana do të kërkojë fitoren përballë Dinamos, jo vetëm për t’i rrëmbyer Besës vendin e dytë në klasifikim, por më tepër për dinjitet. Ndër të tjera, drejtuesi i stolit bardheblu ka theksuar se tri pikët në supersfidën e javës së 18, do të shërbejnë për t’i kujtuar kushërinjve-rivalë pikët e fituara mes polemikave. “Më tepër sesa një sfidë për të shpresuar ende te titulli dhe për të përmirësuar pozitat tona në klasifikim, kjo ndeshje do të shërbejë për të zbritur Dinamon me këmbë në tokë. Fitorja e Tiranës nuk do të shërbejë për të zbritur nga froni kundërshtarët tanë, por për t’u kujtuar atyre pikët që kanë marrë pa merita në këtë sezon. E kam fjalën për ato pikë që Dinamo i ka fituar me të gjitha mënyrat, duke përfshirë këtu edhe gjykimin”, deklaroi Tafaj. “Në fakt, me diferencën aktuale që kemi, ne e shohim më shumë si një ndeshje për dinjitetin e këtij klubi. Kërkoj maksimumin nga lojtarët që ne të marrim trepikëshin”.
Më tej, trajneri i Tiranës ka folur edhe për pikat e forta të kundërshtarëve, që janë padyshim trajneri Shkëlqim Muça dhe sulmuesi i Kombëtares, Elis Bakaj. “Për Muçën kam respekt të veçantë: ai nuk është vetëm ish-trajneri im, por një person që për vite me radhë ka dhënë kontribut për Tiranën. Ai është një dhelpër e vjetër, e pavarësisht se e njeh mirë skuadrën time, mendoj se do të triumfojmë prej karakterit që kemi, vazhdoi Tafaj. Bakaj? Është lojtari që arrin të bëjë diferencën te Dinamo, por më tepër sesa elementët e veçantë, rivalëve u trembem për kolektivitetin. Gjithsesi ky është një derbi, ndeshje të tilla nuk vendosen nga kualiteti i skuadrave, por nga karakteri dhe dëshira që ato shfaqin në fushën e lojë për të arritur fitoren. Jam i bindur se për cilësinë e lojtarëve, kemi skuadrën më të mirë të kampionatit”. Pas ndërhyrjes së presidentit Halili, i cili i ka dhuruar stadiumit “Qemal Stafa” një gjenerator, derbi do të luhet në orën 18.00 me drita. Rreth kësaj, Tafaj deklaroi: “Falë presidentit tonë bëmë të pamundurën që ndeshja të luhej me drita. Për spostimin nuk ka lidhje derbi i Milanos në Serinë A, ne donim që derbi i Tiranës të luhej në këtë orar për hir të fansave të shumtë që ka ekipi ynë. Përfitoj nga rasti për t’i bërë të gjithë popullit bardheblu thirrje që të vijë në stadium dhe të na mbështesë”.

Kapllani e Skela asiste, por Koblenci humbet 4-2

Dyshja lë gjurmë në sfidën me Arminian, Bogdani zëvendësues kundër Lacios
Ervin Skela dhe Edmond Kapllani janë konfirmuar si dy lojtarë mjaft të rëndësishëm te Tus Koblenci, për pjesën e mbetur të sezonit. Sulmuesi i afruar në formë huazimi nga Augsburgu është aktivizuar si titullar në sfidën e humbur 4-2 në fushën e Arminia Bielefeldit. Kapllani ka qëndruar në fushë gjatë gjithë takimit, ndërsa në të 84-n ai dha asistin e golit të Lenses, që shkurtoi provizorisht shifrat në 3-1. Në anën tjetër, Skela u aktivizua vetëm në minutën e 87, por tri minuta në fushë i mjaftuan fantazistit vlonjat që të jepte asistin e golit të Hartman, ndërsa rezultati u shkurtua në 3-2. Falë ndihmës së dy kuqezinjve, Koblenci shpresoi deri në fund të merrte të paktën një barazim, por në sekondat shtesë, Arminia shënoi edhe golin e katërt. Besart Berisha nuk ishte as në stolin e rezervave për skuadrën nga Bielefeldi. Në Serinë A italiane, Erjon Bogdani është aktivizuar si zëvendësues në barazimin 1-1 që Kievo arriti në fushën e Lacios. Edhe pse qëndroi në fushë vetëm 28 minuta, loja e sulmuesit shqiptar është vlerësuar nga trajneri Di Karlo. “Dua t’i bëj komplimente Bogdanit dhe Bentivoljos për mënyrën si e interpretuan ndeshjen edhe pse u aktivizuan si zëvendësues. Barazimi është rezultat që na jep vazhdimësi”, tha tekniku i veronezëve.