Trajneri bardhezi këtë herë rrezikon shumë. Drejtuesit bardhezinj mblidhen për vendimin finalAventura e Ferrarës në stolin e Juventusit, këtë herë, duket se ka arritur në fund. Në Vinovo drejtuesit bardhezi dhe tekniku do të zhvillojnë një mbledhje tjetër që, me shumë mundësi, do të përfundojë me largimin e trajnerit napoletan pavarësisht se nga klubi vazhdojnë të vijnë përgënjeshtrimet e zakonshme. Zëvendësuesit e mundshëm të trajnerit bardhezi duket se janë tre: Hidink, që ka kërkuar 3,5 milion euro për gjashtë muaj, Laudrup dhe Zof. Urdhri për të shkarkuar Ferrarën, në bazë të disa burimeve anonime, ka ardhur direkt nga pronarët e klubit bardhezi, të cilët nuk arrijnë të shohin një rrugëdalje në këtë krizë pa fund.
Prej këtu vendimi, që nuk është zyrtarizuar akoma, për të ndërruar faqe dhe për të kërkuar një trajner të ri. Vendim që, ndër të tjera, kushton sepse, siç dihet, në krye të listës së zëvendësuesve për stolin ne Juventusit është Gus Hidink. Një teknik, që ka refuzuar ofertën e parë të bardhezinjve. Hidink, me gjithë respektin për Luadrupin dhe Zofin, është pa dyshim trajneri më i mirë, që është aktualisht në dispozicion. Një fakt ky që, natyrisht, bën që kërkesat e tij të rriten. Ndoshta ky është problemi më i madh, duke parë se trajneri i Rusisë nuk do të pranonte më pak se 3,5 milionë euro për gjashtë muaj. Një kosto kjo që shkon kundër politikës së re të bardhezinjve por që, në këtë pikë, është e pashmangshme.
Në orët në vazhdim Juventusi do të komunikojë vendimin që do të marrë. Por, jo më parë se të ketë folur edhe një herë me Ferrarën dhe me skuadrën (në fundin e ndeshjes me Romën Del Piero ka sqaruar se dëshiron të vazhdojë përpara me Çiron) dhe, ndoshta, pasi të jetë gjetur një marrëveshje ekonomike me Hidinkun. Shkarkimi i Ferrarës është zgjedhja më e mundshme, por nuk është e vetmja. Në fund “Çiro Balboa”, që lëkundet si ato boksierët, që kanë marrë shumë goditje, mund të mos bjerë në tapet, por mund të qëndrojë në këmbë. Mundet, por në këtë pikë do të ishte pothuajse një mrekulli.