“Çfarëdo që të ndodhë, s’është një dramë”
Ka qenë një Çiro Ferrara i demoralizuar pas humbjes së radhës të marrë nga Juventusi. “Meritonim të merrnim diçka më shumë, por jemi të detyruar të komentojmë njjë tjetër humbje, që na vret shumë. Nuk ka shumë për të shtuar. Eshtë e kotë të fshihemi, jemi shumë mbrapa. Skuadra ka dhënë maksimumin, ka treguar karakter, ka luajtur për të fituar. Ky është një grup i fortë, sepse është i përbërë nga burra të vërtetë. I kam thënë lojtarëve se do të dalim nga kjo periudhë negative të gjithë bashkë”, ka thënë Ferrara. “Eshtë një moment delikat për të gjithë, për mua dhe për të gjithë skuadrën, - ka vazhduar tekniku. - Kam qenë një lojtar i Juventusit për shumë vite, më pas drejtues dhe tani trajner. Nëse është diçka që kam për zemër kjo është Juvja, ashtu si edhe dëshira për të zgjidhur problemin. Por çfarëdo që të ndodhë nuk do të jetë një dramë, i pranoj të gjitha vendimet e klubit”. Në lidhje me çështjen e trajnerit ka folur edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm Betega: “Gjithsesi, pozicioni i Ferrarës nuk do të kishte ndryshuar, pavarësisht nga rezultati i ndeshjes”.