26 janar 2010

Ferrara, lamtumira me Interin në “San Siro”?

Drejtuesit bardhezinj duket se kanë zgjedhur Hidinkun si zëvendësues të teknikut napoletan

Juventusi është vënë në lëvizje. Duke u bazuar tek lajmet që vijnë nga Rusia, klubi bardhezi duket se nuk ka hequr dorë nga Gus Hidink dhe, për ta bindur këtë të fundit, mësohet se ka rritur ofertën nga 3,5 në 5 milion euro për gjashtë muajt e ardhshëm. Trajneri i kombëtares ruse duket se po mendohet dhe mund të fillojë bisedimet për të arritur një marrëveshje ditën e premte. Kur, aventura e Ferrarës në drejtim të Juventusit duhet të ketë përfunduar. Pra, është zgjedhur Hidinku, edhe pse, mesa duket, nuk ka kandidatë të tjerë për të marrë vendin e Çiro Ferrarës. Nëse nga Rusia vazhdojnë të vijnë lajme për kontakte midis trajnerit holandez dhe bardhezinjve, nga Anglia në një farë mënyre kanë përjashtuar që Rafa Benitez të mund të marrë në dorë Juventusin në sezonin e ardhshëm.

Ka shumë mundësi që aventura e Çiro Ferrarës tek klubi torinez të mbyllet ditën e enjte në “San Siro”, pavarësisht nga rezultati i sfidës së Kupës së Italisë me Interin. Të dielën kundër Lacios bardhezinjtë duhet të paraqiten me një trajner të ri. Gjatë këtyre orëve po diskutohet për emrin e teknikut dhe për zgjedhjen që duhet bërë, pra një projekt i ri me Gus Hidinkun apo një trajner i përkohshëm dhe një listë e gjatë emrash ku përfshihen Trapatoni, Xof, Laudrup, Xhentile, Viali, Zakeroni, Karrera, Saki. Me pak fjalë, idetë nuk janë të qarta. E sigurt është se Xhon Elkan nuk do të shohë më paraqitje zhgënjyese dhe ka kërkuar një ndryshim të menjëhershëm.

Sepse nuk mund të humbet edhe Champions Liga. I takon drejtuesve të marrin një vendim. Dhe menjëherë. I vetmi që po bën rezistencë është Blanku, i cili me largimin e Ferrarës do të duhej të pranonte edhe dështimin e projektit të tij, bazuar te Lipi, trajneri i kombëtares, që duhej të vinte tek Juvja pas Botërorit të Afrikës së Jugut. Por, është e vështirë që kjo të mjaftojë për të shpëtuar teknikun napoletan, edhe pse është e vërtetë se mungesa e alternativave bindëse mund të zgjaste agoninë. Gjë që tashmë asnjë prej tifozëve juventinë nuk e uron.

Atëherë në këtë pikë është më mirë që të rindërtohet gjithçka nga fillimi, duke i shfrytëzuar këto muaj për të kërkuar korrigjimin e gabimeve dhe për të shkuar në fillim e kampionatit të ardhshëm me baza të konsoliduara. Për këtë arsye Gus Hidink, tashmë një hap larg prishjes së marrëveshjes me Federatën Ruse, është kandidati kryesor, pavarësisht përgënjeshtrimeve të rastit dhe zërave që flasin për një kalim të tijin në Premier Ligë.

Alternativat? Trajnerë të rëndësishëm nuk ka shumë: Skolari, Van Basten, Huande Ramos, por asnjë nga këta nuk ka cilësinë e holandezit. Më e lehtë është zgjedhja e një trajneri të përkohshëm, më e vështirë zgjedhja e një emri midis kandidatëve të shumtë. Dikush është ofruar, të tjerë janë tërhequr. Do të duhej një njeri me eksperiencë, italian, i aftë të ringrejë skuadrën, pra njerëz si Trapatoni, Xhentile ose Xof. Por detyra për të gjetur njeriun e duhur duket shumë e komplikuar.