Del Piero: Kjo nuk është Juvja e vërtetë
Mbrëmja e së shtunës për Del Pieron, i cili është rikthyer tek goli në kampionat, nuk ka qenë një nga më të bukurat. Kapiteni bardhezi nuk ka ditur të gjejë një shpjegim për momentin negativ që po kalon skuadra e tij: “Eshtë e vështirë të gjesh fjalët dhe të vazhdosh përpara, por nuk kemi alternativa, - ka thënë Del Piero. - Goli? Nuk mund ta shijoj pasi ekipi ka humbur”. Aleks më pas ka pranuar se nuk e njeh më Juventusin: “Ky nuk është Juventusi i vërtetë. Ajo kundër Romës ka qenë një ndeshje që në momente të tjera do ta kishim fituar. Kemi humbur entuziazmin dhe sigurinë”. Ndoshta këtë vit këto të fundit nuk kanë ekzistuar asnjëherë. Ferrara nuk ka ditur t’ia transmetojë ekipit. Megjithatë Del Piero nuk e ka braktisur trajnerin e tij: “Nuk kam asnjë ide nëse duhet të japë dorëheqjen dhe nuk dua të mendoj për këtë. Detyra ime është të punoj dhe të dëgjoj ato që thotë ai. Eshtë thelbësore të rigjejmë besimin në vetvete”, ka thënë kapiteni bardhezi.