20 tetor 2009

Vokrri takon Thuramin

Legjenda e futbollit francez, Lilian Thuram, të martën (sot), do të arrijë në një vizitë dy ditore në Kosovë. Me iniciativën e Këshillit të Evropës, ish futbollisti i Juventusit dhe Barcelonës, të martën dhe të mërkurën do të qëndrojë në Prishtinë dhe Mitrovicë.
Arsyeja e vizitës së ish reprezentuesit të Francës është diskutimi rreth luftës kundër racizmit dhe tejkalimin e armiqësisë dhe diskriminimit mes komuniteteve etnike.
Mirëpo, vizitën e Thuramit në Kosovë do ta shfrytëzojë kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, i cili të martën pritet ta ketë një takim sy më sy me francezin.
“Të martën pasdite do të takohem me Thuramin. Unë do ta njoftoj atë me gjendjen aktuale në të cilën gjendet futbolli kosovar. Do t’ia përcjell edhe atij kërkesat tona rreth ndërkombëtarizimit, të cilat tashmë veç po dihen”, ka thënë Vokrri për Express të hënën.
Numri një i futbollit kosovar mendon se Thuram, i cili është President i Fondacionit “Edukimi kundër Racizmit”, mund ta ndihmojë FFK-në rreth pranimit në asociacionet ndërkombëtare.
“Thuram është ambasador kundër racizmit. Prandaj, normalisht që ai njeri ka ndikim të madh në futbollin ndërkombëtar”, theksoi kreu i FFK-së.
Thuram të martën (sot) në Prishtinë do të takohet me një grup të “ambasadorëve të rinj” për tolerancë, të cilët verën e kaluar kanë marrë pjesë në një kamp ndëretnik, i organizuar nga “NGO Aureola” (një iniciativë qytetare civile e cila ka marrë përkrahje nga Këshilli i Evropës).
Ndërsa, të mërkurën francezi do të shkojë në Mitrovicë, ku së bashku me ”Sportin pa Kufi”, do ta zhvillojë një diskutim me liderë të rinj vullnetarë kundër racizmit, ksenofobisë dhe diskriminimit, ku nëpërmjet futbollit do të bashkohen të rinjtë kosovarë nga komunitete të ndryshme.
Kjo ngjarje do të jetë pjesë e projektit Sport4Youth, i përkrahur nga këshilli i Evropës.