Kanë vrarë Mutun, Mutu është gjallë. Kanë provuar në të gjitha mënyrat për ta neutralizuar. Në fillim me gjobën e lartë prej 17 milionë eurosh që, momentalisht tani është ngrirë, më pas me zërat në lidhje me jetën e natës në Rumani, dhe në fund me hipotezat e një largimi nga Fiorentina në janar. Më pas ka ardhur goditja në Torino me përjashtimin nga ndeshja kundër Juventusit. Adrianit ky vendim nuk i ka pëlqyer dhe kur është futur në fushën e lojës ka dhënë maksimumin. Por të hënën Çezare Prandeli ka lënë të kuptohet se ishte e nevojshme që lojtari të futej nga porta kryesore. Kanë provuar ta vrasin edhe 42 mijë tifozët e pranishëm në stadiumin “Pushkash” me vërshëllima dhe sharje, por Mutu ka qenë i karikuar dhe këtë herë i është përgjigjur në mënyrën e duhur atyre që, madje, e kishin konsideruar një lojtar të mbaruar. Dy gola të bukur, i pranishëm gjatë gjithë 90 minutave në fushë, gjenialitet dhe eksperiencë, pasimi për Xhilardinon, shoku i përherhshëm, në repartin e sulmit. Dhe, mbi të gjitha, vetëdija që fraza klasike “kur loja bëhet e fortë, të fortët fillojnë të luajnë”, këtë herë ka qenë e goditur.
“Më në fund ndihem mirë fizikisht, - ka thënë në fundin e takimit rumuni - dhe të gjithë kemi më shumë besim në forcat tona, jemi në rrugën e duhur”. Natyrisht, trajneri Çezare Prandeli ka theksuar se “ndeshjet duhen mbyllur, sepse në këto nivele gjithçka mund të ndodhë”, por ka qenë i kënaqur me rezultatin e rëndësishëm: “Sapo ka filluar ndeshja e kemi parë veten në disavantazh, më pas kemi bërë 25 minuta pothuajse perfekte dhe në vazhdim kemi pësuar golin e dytë. Në pjesën e dytë kemi administruar mirë, por është e qartë se duhet ta vlerësojmë më mirë situatën, sepse nuk mund të pësohen gola në këtë mënyrë”. Në vazhdim, Prandeli i ka bërë komplimenta edhe Mutusë. “Kisha marrë sinjale pozitive, kisha parë paraqitjen e tij në Torino dhe po stërvitej shumë mirë. Eshtë e qartë se një Adrian në këtë formë bën diferencën, rritet cilësia dhe niveli teknik”, ka thënë tekniku vjollcë.