22 tetor 2009

Nga Argjentina: Pasaportën e humbi Laveci

Vështirësohet situata e argjentinasit të Napolit, ai përgënjeshtrohet nga federata
Pavarësisht nga prova e mirë e Exekuiel Lavecit kundër Bolonjës të dielën, në Napoli vazhdon të mbetet e hapur çështja në lidhje me pasaportën e humbur të “El Pochos”. Lojtari mund të gjobitet pasi u rikthye me vonesë në Itali nga Argjentina, por para së gjithash sepse, versioni i tij i fakteve, është i ndryshëm nga ai që vjen nga Amerika Latine. Me rikthimin e tij në Napoli, argjentinasi kishte deklaruar që pasaporta e tij ishte humbur nga një drejtues i kombëtares “seleste”. Asnjë nuk e vuri në dyshim këtë version, aq sa trajneri i ri Maxarri, pas pasigurisë në fillim, lidhur me udhëtimin e gjatë dhe ndryshimin e orarit, vendosi ta aktivizojë rregullisht në kampionat kundër Bolonjës.
Por dje nga Buenos Airesi, Federata Argjentinase e Futbollit, ka bërë të ditur që nuk ka asnjë përgjegjësi mbi humbjen e dokumentit, që qenka humbur nga vetë lojtari. Në këtë rast, rregullorja e brëndshme e Napolit parashikon një gjobë për lojtarin, i cili pati deklaruar: “Këto ditë kam dëgjuar shumë gjëra rreth meje… Dikush mendon që paskam qëndruar gjatë në Argjentinë, por në të vërtet kalova një ditë të tërë në një zyrë policie”. Në një intervistë të dhënë për një të përditshme argjentinase, Laveci thekson se nuk e sheh të arsyeshme zemërimin e presidentit De Laurentis mbi humbjen e pasaportës dhe në vijimësi vonesën e kthimit nga Argjentina: “Unë s’e kuptoj pse nuk duhet besuar, - deklaron sulmuesi napoletan. - Le të themi se këtu shkon gjithçka mirë, por në të vërtet nuk është kështu. Dhe varet nga ai. Por durimi e ka një kufi…”.
“Ai”, pa dyshim është De Laurentis. I vetmi, sipas Lavecit që vë në dyshim personalitetin e tij: “Unë nga Argjentina i telefonova Bigonit dhe pastaj Maxarrit, të cilëve u shpjegova gjithçka dhe ata më kuptuan. Nuk kisha asnjë interes të humbja kohë për t’u kthyer, sepse mua polemikat s’më pëlqejnë. Mua më pëlqen të luaj. Dhe kur nuk më besojnë dhe më sulmojnë, s’më pëlqen”. Presidenti, deri tani nuk ka replikuar.