22 tetor 2009

Hamdi Salihi, për 1 orë “terrorist”

Sulmuesi i i Rapidit dhe i kombëtares shqiptare ka sqaruar “incidentin” në Televiv
Rapidi i Vjenës do të luajë nesër kundër Hapoel Tel-Avivit, në Euroligë, por kur ka shkelur në aeroportin e kryeqytetit izrealit, është përballur me një procedurë të pakëndshme. Tre pjesëtarë të skuadrës së njohur austriake, mes të cilëve edhe sulmuesi shqiptar, Hamdi Salihi, janë dyshuar si terroristë, për shkak të emrit të tyre, dukshëm muslimanë. Konkretisht, Hamdi Salihi, Jasin Pehlivan dhe shefi i shtypit të Rapidit, Sharif Shoukry, janë veçuar nga të tjerët në Aeroportin e Telavivit, për t’u marrë në pyetje për gati një orë.
Këtë fakt e bëjnë të ditur mediat austriake, të cilat citojnë: “Kur ka shkelur në Izrael, Rapidi i Vjenës i është nënshtruar një kontrolli të rreptë. Tre pjesëtarë të tij, Salihi, Pehlivan dhe Shoukry janë marrë veçmas në pyetje, për shkak të rrënjëve të tyre muslimane. Nisur nga ky fakt, ata janë futur në “mikroskop” nga autoritetet aeroportuale të kryeqytetit izraelit.
Dyshimi kryesor ka qenë mbi shefin e shtypit, Shoukry, i cili ishte ndaluar për shkak të rrënjëve të tij egjiptiane. Për më shumë se gjysmë ore ai ka qenë i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve të hetuesve përkatës. S’është për t’u habitur kjo, sepse emri i familjes së tij është në listën e terroristëve të kërkuar. Bëhet fjalë për të famshmen “Shoukries”, që ka qenë aktive në Irlandë. Pas një diskutimi të gjatë dhe pas shqyrtimit të tërë dokumentacioneve përkatëse, të tre pjesëtarët e Rapidit u lejuan të hyjnë në Izrael. Ndërkaq, Salihi, i kontaktuar në linjë telefonike nga “Sporti shqiptar”, e ka sqaruar në detaj incidentitn në europortin e Tel-Avivit.
“Nuk është se ka ndodhur ndonjë gjë e madhe. Mediat e kanë fryrë pak këtë “incident”, nëse do ta quajmë kështu. Të them të drejtën, na morën pasaportat dhe i kontrolluan me shumë kujdes, jo vetëm në një kompjuter. Vetëm kaq, pasi gjithçka vijoi rregullisht, pa asnjë problem. Ne s’i kushtojmë rëndësinë më të vogël kësaj çështjeje, pasi e kemi mendjen te ndeshja,” - ka sqaruar Salihi nga Tel-Avivi.