Trajneri i Romës akuzon gjyqtarin Rozeti për vendimet e dyshimta në sfidën me MilaninKlaudio Ranieri është i inatosur për humbjen që pësoi skuadra e tij në “San Siro”. “Gjithçka është një turp, - pranon trajneri verdhekuq. - Uroj që të ketë qenë vërtet 11-metërsh për Milanin, sepse kishte edhe një ose dy për ne në pjesën e parë. Burdiso preku topin në rastin e 11-metërshit të Nestës. Çudi që gjyqtari u fut në kurth kur rastin e kishte Milani dhe jo ne. Djemtë më thanë që e dinim që më përpara si do të përfundonte, por unë këtyre gjërave nuk dua t’u besoj. Doja vetëm që të mbyllnim ndeshjen.
Ne po e kontrollonim lojën dhe nuk duhej ta lejonim Milanin të rihapte ndeshjen. Nuk ishim të zotë të shënonim golin e dytë. Duhet të përpiqemi të shënojmë sa më shumë gola. Por në pjesën e dytë Milani gjeti kurajën në fushë deri sa shënoi golin e barazimit me 11-metërsh”. Megjithatë, humbja tregon se pa Totin në fushë kjo Romë lodhet të shënojë dhe Ranieri e pranon: “Me Totin në fushë ndoshta do të kishim qenë më praktikë, por gjithsesi më pëlqeu mënyra sesi luajtëm në fushë.
Dhe ndoshta duhet të ishim për ndonjë moment më konkretë, sidomos me Vuçiniçin, i cili në vend që të pasonte për Perrotën që ishte i vetëm, goditi keq në këmbët e Didës”. Ndoshta për këtë duhet të ankohet më shumë trajneri romanist, sesa të merret me punën e gjyqtarit Rozeti, për të cilin ai përsërit: “Lojtarët ishin të inatosur me vendimin e Rozetit që dha 11-metërsh për Milanin, sepse thonë se ai është i njëjti gjyqtar që na ka bërë të humbasim titullin para dy vjetësh, - përfundon Ranieri.
- Por paraqitjen e Rozetit duhet ta vlerësojë vetëm Kolina (shefi i gjyqtarëve, që në të vërtetë ishte në tribunën e “San Siros”) dhe nëse është i kënaqur ai, jemi të kënaqur të gjithë. Por e përsëris, unë duhet të vlerësoj ndeshjen tonë: duhej ta mbyllnim sa më parë, duhet të ishim më “të këqinj”. Luajtëm një pjesë të parë me notën 9 dhe një të dytë për notë 6…”.