Adriano Galiani, pa dyshim i kënaqur nga fitorja e Milanit ndaj Romës, ka folur për disa tema të tjera, si Toti, Bekham dhe Real Madridi. Duke iu referuar kapitenit verdhekuq, ai ka folur për dy skuadra të mëdha të interesuara për të dhe për një klub të madh italian: “Jo, Toti ka pasur një mundësi të vijë tek Milani kur ka qenë më i ri, - shpjegon administratori i deleguar kuqezi, - dhe pastaj është e drejtë që vazhdoi të luajë për fanellën e Romës.Mendoj që flamujt nuk shiten dhe nuk blihen, është e drejtë që ai ka luajtur në skuadrën e qytetit të tij, siç kanë bërë Maldini e Kostakurta me Milanin”. A do të zyrtarizohet rikthimi i Bekhamit këtë javë? “Jemi shumë afër, - pranon Galiani, - po sistemojmë letrat mes Milanos dhe Los Anxhelesit, por në thelb jemi dakord, ndaj besoj se duhet të arrihet marrëveshja. Presim që gjithçka të nënshkruhet”. Në fund një batutë për sfidën e Championsit nesër kundër Realit të Madridit. Galiani thotë: “Janë dy klubet që e kanë fituar më shumë Championsin, ata kanë fituar disa më shumë, ndërsa ne kemi më shumë tituj në absolut, duke llogaritur veprimtari të tjera. Janë 16 Kupa Kampionesh në fushë, ndaj besoj se është spektakli i spektakleve!”.