Mbrojtësi bardhezi ka theksuar rëndësinë që ka ndeshja e Champions Ligës ndaj izraelitëveMakabi si Reali, në kuptimin që Juventusi duhet të përgatitet për ndeshjen e ardhshme në Champions ashtu siç është përgatitur një vit më parë kundër madrilenëve. “Do të duhet të luajmë me të njëjtin intensitet. Ndeshja e Tel Avivit dhe ajo që do të pasojë për ne janë shumë të rëndësishme dhe duhet t’i fitojmë me çdo kusht”, ka thënë Xhiorxhio Kielini.
Në lidhje me kundërshtarët: “Makabin nuk e njohim shumë, por bëhet fjalë për një skuadër që duhet respektuar edhe për atë që ka treguar kundër Bajernit dhe Bordosë”. Mbrojtësi bardhezi i është rikthyer më pas sfidës së dyfishtë me Realin, të zhvilluar në sezonin e kaluar: “Edhe atëherë po kalonim një moment të veçantë. Në kampionat gjërat ishin më keq se tani, sepse kishim pësuar dy humbje dhe ndodheshim në një pozicion më të ulët në renditje. Ndër të tjera ishim në një situatë të vështirë edhe për shkak të dëmtimeve të shumta.
Fitorja kundër Realit të Madridit për ne ka qenë momenti i kthesës dhe menjëherë pas atij takimi kemi marrë një sërë fitoresh të njëpasnjëshme. Duhet të ndodhë kështu edhe këtë herë”. Ai ka dalë nga momenti i tij negativ, duke rigjetur rrugën e golit kundër Fiorentinës pas 8 muajsh. Tani Amauri ka ftuar Juventusin të bëjë të njëjtën gjë, duke u rikthyer tek fitorja dhe duke dalë nga labirinthi i barazimeve dhe i humbjeve që kanë ardhur kohët e fundit: “Kundër Makabit do të jetë një ndeshje thelbësore dhe duhet të fitojmë me çdo kusht, - ka thënë braziliani.
- Duhet vetëm të rigjejmë entuziazmin që kemi patur në fillim, të kuptojmë se çfarë nuk shkon dhe të gabojmë më pak. Kundër Fiorentinës mund të kishim bërë diçka më shumë dhe na vjen keq se nuk kemi fituar. Mbi të gjitha kemi lënë për të dëshiruar në pjesën e dytë”. Sipas kritikës dhe publikut, një nga më zhgënjyesit ka qenë bashkkombasi i Amaurit, Felipe Melo: “Juventusi nuk përbëhet nga një lojtar i vetëm, por është një skuadër. Nëse ekipi nuk luan mirë atëherë asnjeri nuk luan mirë. Melo ka gabuar në ndeshjen që kemi humbur në Palermo, por përsa i përket pjesës tjetër, ai jep maksimumin në fushën e lojës. Duhet të rigjejmë entuziazmin që kemi patur në fillimin e sezonit dhe gjithçka do të shkojë në rrugën e duhur”, ka përfunduar Amauri.