20 tetor 2009

Nuk ka më krizë

“Prishtina nuk na lejoi hapësirë të veprojmë ashtu si kemi parashikuar në fushë. Ata na befasuan me mbrojtje bunker dhe e realizuan qëllimin, për çka edhe kishin ardhur”, tha Uliks Emra, futbollist i Trepçës.
Sulmuesi më i rrezikshëm në radhët e kampionit në fuqi, klubit të futbollit Prishtina, Astrit Fazliu, tha se me pak fat sportiv kanë mundur të kthehen edhe me tri pikë në ndeshje me liderin e tabelës, Trepçën nga Mitrovica, në javën e 12-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. “Para ndeshjes pata deklaruar se në Mitrovicë udhëtojmë për fitore dhe fati nuk deshi që të kthehem me fitore. Me lojën e mirë që bëmë ia dolëm megjithatë ta marrim një pikë dhe mendoj se përfundimisht e kemi kaluar krizën në lojë. Epilogu është real sipas lojës që bëmë të dyja skuadrat dhe sipas mendim tim ka qenë një derbi që kënaqi të pranishmit. Kemi pasur raste për shënimin e golave, por fusha e vështirë e pamundësoi konkretizimin e tyre. Pas fitores në Gjilan, pikës në Mitrovicë, shihet se Prishtina e ka marrë veten dhe po dëshmon se mund të bëj më tepër. Nga ana tjetër, mitrovicasit na bënë një mikpritje të ngrohtë dhe na krijuan kushtet për lojë. Prandaj, e falënderojmë për mikpritje dhe për atmosferën që e bënë adhuruesit e futbollit mitrovicas”, tha Fazliu. Kjo pikë është një motiv i madh për ndeshjen e radhës që do të kenë në fundjavë kundër Lirisë nga Prizreni. “Në javën e ardhshme na pret sprova e radhës dhe pikërisht kundër një rivalit tejet të fortë, siç është Liria. Prishtina në këtë takim planifikon tri pikë, të cilat do të na siguroi pozitën ku skuadra jonë e meriton, pra në pjesën e epërme të tabelës”, tha Fazliu. Futbollisti i Trepçës, Uliks Emra, para ndeshjes ishte i sigurt në fitore, por ky parashikim dështoi. Me gjithë barazimin Trepça e ruajti kreun e tabelës me 24 pikë, duke lënë pas vete Hysin që ka tubuar 24 pikë. “Para ndeshjes kemi planifikuar të shënojmë fitore në bazë të përgatitjes që kemi dëshmuar javët e kaluara. Prishtina kishte ardhur me një qëllim në Mitrovicë që mos të pësoi humbje, të cilën gjë edhe e arriti. Mesfusha dhe sulmi jonë nuk ka pasur hapësirë veprimi, pasi që ishim të mbuluar nga futbollistët e rivalit. Ata na befasuan me mbrojtje ‘bunker’ dhe e realizuan qëllimin për çka edhe ishin ardhur. Rivali përveç mbrojtjes së fortë, ka aplikuar edhe kundërsulme që vërtetë shpesh herë na sollën në pozitë të pavolitshme. Trepçës iu është dashur të shënojë një gol, e pastaj do të kishim shpërthyer edhe me gola të tjerë. Mirëpo, ajo që më gëzon më së shumti kanë ndryshuar rrethanat në futbollin e Kosovës. Është një garë më interesante sesa në kampionatet e kaluara dhe mundet të fitojnë mysafirët në cilindo terren. Në përgjithësi nuk kemi mundur me bërë lojën tonë ashtu si dimë të luajmë, por mendoj se edhe një pikë është e rëndësishme. Nuk është për t’u çuditur pse barazuam me Prishtinën sepse kjo ndeshje ka qenë derbi i dy skuadrave që bëjnë nam në futbollin e Kosovës”,- tha Uliks Emra, futbollist i Trepçës. Në javën e ardhshme Trepçën e pret sfidë shumë e vështirë në takim me Hysin në Merdare.