Nga hipotezat më të këqija, te rezultatet më të mira. Përkundrazi, më shumë. Për herë të parë në historinë e tij, Milani ka arritur të fitojë në “Santiago Bernabeu” në ndeshjet zyrtare. Vetë tifozët e Milanit pyesnin veten: sa gola do të pësojmë? Rauli dhe Kakaja, nëse do të jenë zemërgjerë, a do të ndalojnë tek i treti? Po për heronjtë tanë çfarë do të themi? Sot duhet të themi se Milani ka shpëtuar nga ankthi njëmujor i të qenit një skuadër pa të ardhme. Dalja nga ky ankth nuk ka qenë e lehtë. Në fillim u rrezikua mbytja në pjesën e parë me Romën dhe po kështu edhe në Madrid, pas një gabimi foshnjarak të Didës. Dhe përsëri Milani u ringrit. Me Paton, Pirlon, Ambrozinin dhe shpirtin milanist, që i mungonte “Championsi”. Diçka duhej të ndodhte. Leonardo është kryqëzuar që nga ndeshja e parë në krye të Milanit, por diçka duhet ta jepte edhe ai. Rilindi një Milan të bërë nga e para. Inzagi, sulmues i vetëm, ndërsa Borrielo i rikthyer pas mungesës së gjatë. Pato është spostuar në krah, ndërsa Ronaldinjo diti si të veprojë para tifozëve të Madridit, gjë që e ka bërë edhe më parë. Një lojë e hapur sulmuese, e provuar nga domosdoshmëria e rezultatit në takimin me Romën. Ndoshta kjo është rruga e drejtë. Tiago dhe Nesta duket se kanë vënë rregull në mbrojtje, ndërsa Pirlo dhe Sedorf kanë ende për të treguar nga repertori i tyre. Emra të mëdhenj, këmbë të arta, gjëra që funksionojnë dhe të tjera që nuk funksionojnë. Jo për të hequr dorë nga gjithçka, por për t’i nisur nga këto dy fitore të bujshme, brenda katër ditëve, dhe për të menduar për të ardhmen, pa ankthin se duhet bërë gjithçka nga e para.Futbolli të mbush me ndjenja, momente, fitore dhe nganjëherë ndryshon drejtimin e ngjarjeve, edhe për shkak të humbjeve. Pas Zyrihut ishte vetëm errësirë, ndërsa sot ka rilindur drita. Është ndezur në mbrëmje, që të bën të kujtosh momentet më të bukura të kuqezinjve. Dhe nuk është pak.